/

Legjenda e Lisit të Fshatit Lleshan

Mu në buzë të rrugës automobilistike, pikërisht në fshatin Lleshan, ndodhet një lis shekullor. I madh, i lartë, plot gjallëri, me kunorë të rregullt dhe me trung të trashë sa që duhen dy-tre burra ta zaptojnë.

1237 pamje
10 minuta lexim

Në Jug të Elbasanit zë fill malësia e Shpatit me dhjetra fshatra, zonë e cila kufizohet me malësinë e Gramshit (kanionet e përroit të Holtës) dhe të Librazhdit (Sopoti).

Pasi lë mbrapa Urën e Shkumbinit, rruga gjarpëron në ngjitje duke përshkuar fshatrat kodrinorë: Hajdaran, Mlizë dhe Shelcan. Janë fshatra të bukur, me toka të punuara e të mbjella plot me vreshta e drunj frutorë dhe me klimë të mirë. Syri kureshtar vëren me habi se si për pak kilometra udhë, arrin të shohë zonat klimatike që ia lënë vendin njëra-tjetrës. Pra, nga kodrat me vreshta e ullinj, ngjitesh dhe fillojnë shkurret, ferrat dhe mareja për t’u zëvendësuar pak më lart nga dushqet e rrallë. Lart në fshatin Gjinar je i rrethuar vetëm nga pishat magjepëse dhe nëse shkon ende më lart, në Bukanik, fillon ahishtja.

E gjitha kjo përshkohet vetëm në gjatësinë e 20-22 km rrugë, ndërsa ngjitja është afro 1000 m lartësi mbidetare, ndërkohë që qyteti i Elbasanit është vetëm 150 m lartësi mbidetare.

Midis fshatit Shelcan dhe fshatit Gjinar, ndodhet fshati Lleshan, i ngulur në atë terren tepër të pjerrët e me shtëpi të shpërndara në korijet me pisha. Pothuajse aspak tokë bujqësore.

Mu në buzë të rrugës automobilistike, pikërisht në fshatin Lleshan, ndodhet një lis shekullor. I madh, i lartë, plot gjallëri, me kunorë të rregullt dhe me trung të trashë sa që duhen dy-tre burra ta zaptojnë.

Është e çuditshme si ka mbirë dhe ka mbijetuar aty ky dru lisi, i cili i përket floristikës së përzier të asaj zone me shumë pisha dhe pak dushqe. Them “mbijetoi”, sepse ai ka edhe një legjendë shoqëruese, e mjaftë që lisi të pritej e të shkatërrohej, pas vitit 1967 kur te ne shpërthyen idetë e çmendura të Revolucionit Kulturor kinez, që rrafshuan përtokë mjaft objekte kulti me vlera të jashtëzakonshme arkitektonike dhe historike. Kush pyeste për një lis dhe legjendën e tij …

Ekzistojnë disa legjenda për këtë “ndodhi” të vjetër, por subjekti është i njëjtë. Ndryshon veç mënyra e tregimit me elementë të dorës së dytë e të tretë.

E pra, legjenda e këtij lisi na vjen prej kohëve të largëta, të cilat janë transmetuar gojarisht nga njëri brez te tjetri. Mua ma ka treguar miku im Josif S. të cilit ia ka treguar gjyshi tij e kështu me radhë. Askush nuk e di moshën e legjendës dhe të lisit.

Sipas legjendës, një grua shkoi për të punuar në arë dhe merr me vete djalin e vogël të lidhur brenda në djep. Për ta çliruar nga shpërgënjtë e djepit, ajo e zgjidhi vogëlushin dhe e le të lirë në tokë, ndërkohë ajo punonte duke e vëzhguar herë pas here të birin. Djali, i cili nuk ishte më shumë se 2 vjeç, i shtyrë nga instinkti nutrist si i çdo gjallese, kap një lende dushku aty përdhe dhe e fut në gojë. Nuk e përtypi dot, por e kapërdiu. Mirëpo fyti i tij i vogël nuk e pranoi dhe lendja e mallkuar ngeci në fyt duke ia vështirësuar frymëmarrjen. Përpëlitjet e tij me duar e këmbë i pa e ëma, e cila rendi me vrap si e çakërdisur pa e ditur se ç’ka ndodhur. Kur e hetoi mirë të birin, ia hapi gojën me zor dhe me tmerr vështroi lenden e dushkut që kishte ngecur në fytin e njomë të vocrrakut. Nuk ia nxirrte dot, por as ia shtynte dot për në stomak. U përpoq, por nuk kishte ç’të bënte më shumë. Dha e mori vetë që t’ia hiqte nga fyti të birit atë dreq lendeje, por pa dobi. Atëhere ia dha britmës dhe kujës për ndihmë, por ishte e kotë. Koha nuk priste se djaloshi me zor po mbushej me frymë, ndërsa xherahu ishte larg në shehër, në Elbasan. Pas pak minutash me gulçima shpirti, biri i saj i ëmbël mbaroi. Ai vdiq në krahët e së ëmës e cila me sy të shqyer vërente që biri i saj i dashur nuk po merrte më frymë. E gjitha ndodhi për pak minuta.

Po atë ditë në të thyer, djalin fatkeq e varrosën aty ku ai dha shpirt.

Pas ndonjë viti, në vendin ku u varros ai djalë i vogël, mbiu një lis. Të vjetrit e fshatit pëshpëritën dhe sipas besëtytnive, menduan që ai lis ka mbirë nga lendeja që i ngeci në fyt vogëlushit. Ata urdhëruan dhe lanë testament brez pas brezi, që ai lis nuk do të pritet.

Ende edhe sot e kësaj dite, ky lis dhe një varr i thjeshtë i vogëlushit me pllakën e gurtë përkujtimore, ndodhen aty si dëshmi e kësaj legjende. Ky vend, që prej shekujsh është shndërruar në “vend i shenjtë”, “vend i mirë” respektohet dhe adhurohet nga të krishterët orthodoksë të shumtë dhe myslimanët e paktë të kësaj zone. Askush nuk “guxoi” ta presë atë lis, edhe pse dimri i atyre anëve vjen i ashpër me borë e ngrica.

***

Pavarësisht sfondit nekrologjik të legjendës, pyetjet e para që shkojnë në mendje janë:

Ç’kuptim ka kjo legjendë?

Ç’kanë dashur të thonë me këtë?

Pse shumica e legjendave tona përmbajnë flijime ose sakrifica njerëzore (Rozafa, Mali i Vashës etj)?

Ndoshta legjenda është një simbol i nxitjes së vëllazërimit dhe harmonisë fetare, po të kemi parasysh që banorët e fshatit Lleshan pranë xhadesë, si dhe fare pak fshatra të tjerë aty, i përkasin monoteizmit islam dhe janë si enklavë e rrethuar nga një shumice fshatrash me besimtarë të monoteizmit të krishterë orthodoks?

Ku i dihet ç’fsheh ajo legjendë?!

Bukurosh Dylgjeri

Bukurosh Dylgjeri

Elbasan, Maj 2023

RSS
Ndiq me Email
Share