/

Kanga e Ikbalit (1920 – 1999)

Ka shumë kangë të vjetra qytetare elbasanase, në të cilat për arsye nga më të ndryshmet, personazhi kryesor është një femër, por shpjegimi këtë radhë i kushtohet një rasti krejt të veçantë, i kushtohet një femre e cila jetoi një jetë të vështirë, të pamoralshme dhe të mjerë.

866 pamje
9 minuta lexim

Dashunija kur filloi,

nâna ime ra né burg. (2)

S’paç njeri té mé zaptojé

u katanisa’ dola k*rvé (né rrugé) (2)

O Ikbal o shpirt me famé,

ni kto fjalé t’i mash’ nér men’. (2)

Po nigjo ç’té thoté jot âmé:

– N’Elbasan moj duhesh me vdek’ (2)

Fati im qeka skéterré,

ç’m’u desh mú’ me vú sevda. (2)

– Fol me goj mre lal’ Kamer,

se-e prej teje s’kam me u nda’ (2)

Xhan xhanan – po té thérret,

– kujtoje pak Peréniné. (2)

Deri ditén qé do t’vdes,

pér me t’fol moj kam bâ jemín (2)

Trupi yt nuk ka té sha’,

si shandan i bukur je. (2)

Më shkon rrugés si Padishah,

vetlla’ jote moj si shigjeté. (2)

Ka shumë kangë të vjetra qytetare elbasanase, në të cilat për arsye nga më të ndryshmet, personazhi kryesor është një femër, por shpjegimi këtë radhë i kushtohet një rasti krejt të veçantë, i kushtohet një femre e cila jetoi një jetë të vështirë, të pamoralshme dhe të mjerë. Ajo quhej Bali K. Prindërit e saj Mal S. dhe Emine K. u divorcuan shpejt dhe Bali e byri jetën veç me të ëmën dhe një motër tjetër. Aq e dëgjuar ishte në Elbasanin e kohës ajo, saqë thuhet se nuk i shpëtoi as krijimtarisë muzikore të Isuf Myzyrit. Sidoqoftë, teksti dhe muzika e kësaj kange të ndjellin trishtim.

Bashkëqytetari im Osman M. 72 vjeç, nga komuniteti egjyptian dhe ish-fqinj i Balit, më sqaron se ajo ka lindur në vitin 1920 dhe ka vdekur në vitin 1999. Me gotën e rakisë përpara, Osmani u zhyt në kujtime dhe mendueshëm më tha se:

“ … ndoshta për disa njerëz nuk kanë rëndësi datat e lindjes dhe të vdekjes … ata ia dalin të futen në kujtesën e qytetit, për mirë apo për keq këtë e ndan vetë secili nga ne. Jam kujdesur vetë për shërbimet e fundit funerale të Balit e deri kur e dërguam në vendprehjen e saj të përjetshme, pranë bashkëshortit të saj, i cili vdiq më herët se ajo. E doja shumë se më ka *pritur kur kam lindur (mamia popullore)”.

Por ajo që të çudit është fakti se si ka mundësi që një femër e tillë, pra e përdalë, të ngulitet në kangë dhe kanga e saj të mbijetojë???

Ndoshta kanga kushtuar asaj gruaje të mjerë, dënuar nga fati dhe nga indiferenca, ishte një “thirrje muzikore” që ne duhet të kujdesemi edhe për ato femra që janë në vështirësi dhe pa përkrahje?! Mundet …

Ajo ishte një vajzë e mjerë që jeta dhe fati e degdisën të bëjë një jetë të trishtë e të shthurur. Them të shthurur, sepse ajo mënyrë jetese nuk është përfshirë në asnjë kod moral tonin. Megjithatë, unë nuk e gjykoj jetën e saj, ashtu siç nuk gjykoj jetën e askujt. Secili e di vetë si e ndërton jetën.

Ikbali ose Bali – sipas ish-fqinjit të saj Osman M. – ngeli vetëm më të ëmën e një motër tjetër dhe askush nuk u përkujdes për të. Gjasat janë që ajo u shtrëngua të mbijetojë me mënyra të pamoralshme ose … ose kishte një voluptet feminil që nuk mund ta nënshtronte? Ku i dihet?! Ajo ishte e re, e freskët, lozonjare, e lakmuar … por mbi të gjitha e braktisur dhe e pambrojtur.

Në kulmin e rinisë së saj të hershme, vendi ynë u pushtua nga italianët dhe Bali filloi të frekuentojë ushtarakët e huaj. Madje, nëse i referohemi tekstit të kangës, e ëma e saj burgoset (?), pikërisht në atë kohë që duhej të ishte një mbikqyrëse e mençur e së bijës.

Vite më vonë, Bali shpesh shkonte te hotel “Labinoti” pranë ish-Shtëpisë së Kulturës dhe atje pleksej me udhëtarë, shoferë etj, që kalonin natën.

Pas disa viteve, ajo u martua me një djalë të quajtur S. P. i cili ishte 6 vjet më i vogël se ajo dhe që punonte shofer kamioni, por fatkeqsisht nuk patën fëmijë. (Për arsye të martesës me Balin, të afërmit e tij e braktisën atë (e bân’ lanet). Vite më pas ky çift adoptuan një nip, i cili u kujdes shumë për Balin derisa ajo ndërroi jetë).

***

Rreth 30 vjet më parë unë e kujtoj të moshuar atë grua, që çuditërisht i ruante ende tiparet e bukurisë së dikurshme. Kur moti ishte i mirë, ajo pasditeve ulej te guri i derës së një shtëpie 1-katëshe aty te Tabakhaneja … veshur një fustan të gjerë e të gjatë me të cilin mbulonte këmbët pak të hapura. Mbi krye mbante një napë të bardhë, faqoren e rakisë në brez, ndërsa tymoste papushim duhan kokëulur. Nuk shoqërohej me asnjë dhe në vetminë e saj të dukej sikur zemërplasur ishte në pendim për jetën që kishte bërë.

Bukurosh Dylgjeri

Bukurosh Dylgjeri

Elbasan, Maj 2023

RSS
Ndiq me Email
Share