Është e ditur tashmë madhështia jonë dhe respekti ndaj të tjerëve ndryshe, veçanërisht midis besimeve fetare, pra, shumicës myslimane nga njëra anë dhe pakicës kristian-orthodokse nga ana tjetër. Kjo ka domethënie të madhe.
Megjithatë, më shumë se një shekull më parë ka pasur dy orvatje të dështuara për nxitjen e konflikteve midis dy komuniteteve tona fetare. Pak vite para shpalljes së Pavarësisë, në Elbasan u përhap një lajm i rremë nga elementë fanatikë, sikur “kaurrët po masakrojnë myslimanët në Tiranë dhe Durrës, ndaj o burra t’u biem edhe ne orthodoksëve që kemi këtu”. Por, ndërhyrja e Aqif Pashë Elbasanit dhe e drejtuesve shpirtërorë të komuniteteve fetare e qetësuan situatën dhe përgënjeshtruan lajmin e zi.
Më pas ishin serbët – që pushtuan Elbasanin në vitin 1916 – të cilët nxitën pa sukses banorët orthodoksë të Kalasë për t’u “hakmarrë për gjëmën që nuk ndodhi, por që desh t’ua bënin myslimanët”.
Në të dy rastet ishin të huajt ata që dëshironin të ndodhte një përplasje e përgjakshme fetare në Elbasan, njëjtë me Natën e Shën Bartolomeut midis kristianëve protestantë dhe atyre katolikë në Francë.
Rol të madh në qetësimin e gjendjes në të dy rastet e mësipërme, kanë luajtur pra, edhe udhëheqësit shpirtërorë të të dy komuniteteve në fjalë.
Bien në sy veçanërisht baballarët patriotë që drejtonin teqe në Elbasan, të përmendur për atdhetarinë e tyre, si: Shejh Hysen Sulova, Shejh Mahmud Guma, Shejh Xhaferr Pasmaqi etj. (që të tre këta shejhlerë të nderuar ishin firmëtarë të Pavarësisë së Elbasanit më 25.11.1912). Gjatë sundimit Osman, teqetë e tyre shërbyen edhe si shkolla të fshehta shqipe. Kjo është e rëndësishme për ne. Pikërisht, shejh Hysen Sulova, bashkë me dervishët e tij, ka luftuar me armë për mbrojtjen e Elbasanit kundër terroristëve të Haxhi Qamilit në Qershorin e vitit 1914.
Ç’JANË SUFISTËT
Janë besimtarë, ndjekës dhe vijues të islamizmit (sekt, tarikat, fraksion), por kanë disa dallime nga pjesa tjetër e quajtur Sunni, që i kryejnë ritet e tyre në xhami. Objektet e kultit të sufistëve janë teqetë. Sufistët praktikojnë murgjërinë, adhurojnë varre dhe të ashtuquajturat “vende të mira”, konsumojnë alkool, adhurojnë imam Aliun, imam Hysenin etj. Sufistët janë shumë të pranishëm që nga Persia deri tutje në Indi. Besohet se ata janë 73 sekte (tarikate), ndërsa në vendin tonë ndeshen më shumë bektashinjtë dhe më pak halveti, rufai, ahi-kadiri etj. Mendohet se sufistët kanë mbërritur te ne para pushtimin osman, si predikues fetarë të “ndërmjetëm” midis islamit dhe krishterimit të përhapur në Ballkan.
Por pjesa më interesante e sufistëve është organizimi i ceremonive fetare kolektive, të njohura me emrat “ziqër”, “zikri” ose “dhikri”. Në data të veçanta, ata mblidhen në objektet e kultit (teqetë) dhe renditen në formë: rrethi, katrori ose drejtkëndëshi.
Nën muzikën ritmike orientale që i shoqëron, të udhëhequr nga njëri prej tyre, ata lëvizin pareshtur në këmbë sikur po vallëzojnë, duke luhatur trupin, si dhe tundin kokën herë majtas dhe herë djathtas (ose para e pas), duke përsëritur me zë vargje kuranore, pasthirrma mistike ose transmetime profetike. Këto lëvizje sa vjen dhe shtohen, si dhe rritet shpejtësia e tyre. I gjithë rituali vazhdon për afro një orë e ndërkohë ata të përçartur shkëputen nga gjithçka që i përket rendit tokësor … zhytur në meditime të përmallshme, mbushur me energji hyjnore dhe të dehur në imagjinatën e kënaqësive shpirtërore.
Besohet se nëpërmjet ceremonive të “zikrit”, sufistët nxisin forma të sugjestionit kolektiv, hipnotik, (muzika, ritmi, mjedisi, bashkësia etj). Pra, eksitimi që krijohet prej ceremonive më lart, ua frenon atyre veprimtarinë e disa qendrave cerebrale që ndodhen në koren e trurit, të cilat janë përgjegjëse për kontaktin me botën reale. Ata kalojnë në një botë shpirtërore të përsosur dhe plot përjetime mallëngjyese, adhurues të devotshëm të parajsës sureale që u duket se përqafojnë. Madje të ngazëllyer, atyre u duket sikur janë pajisur me cilësi të larta dhe të denjë për t’iu afruar Të Vërtetës Hyjnore e si shpërblim të përfitojnë prej Krijuesit, hirin e Tij ose paqen qiellore.
Pra, ata kalojnë në gjendje ekstaze.
Shpesh, këta sufistë ndeshen edhe në trajtën e dervishëve shëtitës, dervishëve rrotullues, fakirë, kalanderë etj.
Një sekt prej tyre i quajtur “Rufai”, gjatë ceremonive të veçanta dhe nën efektin e autosugjestionit (hipnozës), zhvillojnë praktika vetmohuese të shoqëruara me vuajtje fizike. Këta shpojnë me shtiza faqet ose gjuhën, ecin zbathur mbi prushin e zjarrit të ndezur, hanë gota qelqi etj, … pa ndier dhimbje dhe shpesh pa u dalë gjak.
Në Elbasan, këta të fundit ishin anëtarë të teqesë së rufainjve, që ndodhet pranë “Pusit që Lahet Vetë”.
Prej tyre – që nga Persia e deri në Afganistan, Pakistan e Indi – kanë dalë një varg i madh me poetë, rrëfimtarë, filozofë, dijetarë, si: Rumiu, Saadi Shirazi, Hafëz Shirazi, Shams Tabrizi, Firdeus, Khayaami, Nizamuddini etj. etj. Tekstet e poezive ose të sentencave shumëkuptimëshe të këtyre sufistëve, përdoren ende si tekste këngësh në muzikën popullore ose në krijimtarinë muzikore sufi-rock të atyre vendeve.
Bukurosh Dylgjeri
Elbasan, Janar 2023