Vetëm pak ditë më parë, pikërisht më datë 17 Maj u mbushën 120 vjet nga lindja e arkitektit elbasanas Halit Narazani, mirëpo askush nuk u kujtua për të, askush nuk e përkujtoi, askush nuk e përmendi ….
Nuk është për t’u çuditur aspak, pasi në rrjetet shoqërore të internetit po na përmendin edhe “ditën e krymit të mënafshit”, ndërsa njerëzit tanë me vlera lihen n’harrim.
Unë e marr me mend që shumë lexues do të thonë cili është ky, çfarë ka bërë etj.
Për shkak të mungesës së të dhënave për jetën dhe shkollimin e tij, unë me zor arrita të mbledh diçka.
Është personaliteti më interesant i qytetit tonë, për të cilin nuk shkruhet dhe as përmendet kund. Në botimin “Elbasani – Enciklopedi”, hartuesit e atij libri shumëfaqësh nuk e panë të arsyeshme të shkruanin diçka për të edhe pse ai ishte i vetmi arkitekt elbasanas i diplomuar në Austri. Më bën përshtypje, sepse “Elbasani – Enciklopedi” me 711 fletë, veç vlerave që ka, është mbushur me gjithfarë shpjegues bimësh, kafshësh, barishtesh e livadhesh, që unë nuk e di se kujt i hyjnë në punë. Gjenden aty edhe inxhinierë dhe ndërtues të ndryshëm të pallateve tona, që në të vërtetë ata pallate janë disa ngrehina ose kubizma të shpifura alla-sovjetike dhe pa kurrfarë shije estetike.
Mbase hartuesit e asaj Enciklopedie për Elbasanin kanë pasur parasysh të krijojnë ndonjë enciklopedi të tipit “Grand Larousse Encyclopédique” për Elbasanin. (!!!) Ku i dihet … ose ndoshta gaboj.
Me përjashtim të një rruge në Elbasan që mban emrin “Halit Narazani”, fatkeqsisht nuk thuhet asgjë tjetër për të, nuk përmendet askund … , ndonëse duhet thënë, që ai nuk pati ndonjë persekutim politik gjatë Diktaturës.
Me sa munda të mësoj për të, Haliti edhe pse mbeti jetim shumë herët, u arsimua në Normalen e Elbasanit dhe punoi pak kohë mësues. Më vonë, në kundërshtim me shumicën e djelmoshave elbasanas që ia mësynin studimeve për arsim kryesisht në Austri, ai shkon atje për të studiuar arkitekturën. Shqipëria e kohës kishte shumë nevojë për projektues dhe ndërtues me mendësi të reja, në mënyrë që të shkëputeshin nga stili oriental i ndërtimeve publike dhe i banesave.
Pasi kthehet nga studimet universitare që kreu në Austri, H. Narazani në vitin 1935 kur ishte 33 vjeç projektoi ish-kinema “Nasional” – pronë e Dervish bej Biçakut (sot Teatri “Skampa”). Veçantia e ndërtimit, forma dhe harmonizimi i përmasave, salla e saj me platé dhe me lozha, si dhe akustika e brendshme e mrekullueshme, ende të mahnisin. Kjo ndodhi pikërisht në kohën që në Elbasan ende qëndronin në këmbë pak ndërtesa të vjetëruara të Hyqymetit (qeveritare), disa objekte kulti, një duzinë me hane karvanesh të vjetër e të pistë, dy-tre hamame për higjenë dhe, pafund dyqane gjys’ të rrënuar. Gjithçka të jepte përshtypjen e një qendre urbane orientale dhe aspak europiane. Kinema “Nasional” (ose Teatri “Skampa”), është pa u mburrur, një Teatro alla Scala i vogël, meritë kjo e arkitektit Halit Narazani.
E pra, ai i la Elbasanit ndërtesën më të bukur, më të mahnitëshme … e cila ende mbetet funksionale.
(Si për ironi të fatit, në sallën e teatrit “Skampa” – të projektuar nga ky arkitekt çuditërisht i panjohur – janë dhënë e jepen papushim dhjetra shfaqje, që nga ato gaztoret e amatorëve të ish-ndërmarrjeve dhe ish-koooperativave bujqësore të djeshme, e deri te ato lloj-lloj shëmtirash të sotme dhe të kota, gjasme moderne nga bota. Por, asnjëherë në këtë teatër nuk u dha asnjë pjesë teatrale, dramë ose tragjedi nga i vetmi tragjedian shqiptar, shkrimtari elbasanas Ethem Haxhiademi. Ndërkohë teatri “Andon Zako Çajupi” i Gjirokastrës shfaq me sukses pjesë të Haxhiademit, pikërisht sepse ai ka shërbyer disa kohë atje, gjatë Monarkisë. Ndërsa këtu në qytetin e tij, jo!)
Nejse …
H. Narazani madje, ndërtoi edhe banesën e tij që ndodhet rreth 100 m në Jug të Namazgjahut, për të cilën unë nuk munda ta dalloj se në ç’vit është ndërtuar. Ajo banesë është krejt e veçantë dhe e konceptuar ndryshe nga godinat përreth. Ajo është e bukur deri në magjepsje, me tre kate dhe papafingon. Është pa dyshim një projekt, që sapo e sheh të kujton vilat vjeneze.
Me pamje nga Lindja (rruga), ajo shtëpi është e lartë, asimetrike, me disa ballkone të cilët kanë forma dhe përmasa të ndryshme, ka dritare nga të katër anët, si dhe kthina dhe dhoma të mëdha e të vogla, shkallë të brendshme që mundësojnë hipjen në katet më sipër etj.
E admiroj atë godinë.
Ajo shtëpi të jep ndjesi të mira kur e sheh jo vetëm se është ndryshe nga të tjerat, por seç ka diçka të veçantë, që unë sado të rrekem nuk di si ta shpjegoj. Kjo banesë shërben ende sot si toponim orientues në Elbasan dhe ndodhet në kufirin e dy lagjeve: “Dautbej” (Brig. XVII S) dhe “Shën Koll”. Mjafton të thotë dikush që “takohemi ke Narazanja” dhe bashkëbiseduesi vendas kujtohet se për cilin vend bëhet fjalë. Në periudhën e Diktaturës ajo banesë u shtetëzua dhe pushteti i kohës strehoi aty disa familje në nevojë.
Megjithatë, Halit Narazani lindi në Elbasan 17 Maj 1902 dhe në moshë të vogël mbeti jetim pasi prindërit e tij u larguan shpejt nga jeta. Haliti i vogël u rrit te familja Hyskja, pranë Sheshit të Gurabardhes, në Elbasan, me të cilët kishte lidhje familjare.
Lufta e II Botërore dhe mungesa e fondeve më pas, ndikuan që Halit Narazani ta ndërpresë aktivitetin e tij dhe ai nuk më rezulton të ketë projektuar gjë tjetër. Vendoset përfundimisht në Tiranë dhe shndrrohet mësues i matematikë-fizikës në shkollat e Tiranës, por duke treguar shumë kujdes për të kaluarën e tij “burgjeze”. Natyrisht, Shqipëria e kohës nuk ia ofronte mundësitë dhe hapësirat që H. Narazani të ushtronte profesionin e arkitektit.
Po ashtu, fati nuk deshi që ai të martohej dhe të kishte fëmijët e tij, deri kur mbylli sytë dhe kaloi në amshim. Mbetet i paqartë viti i vdekjes së tij, sado që unë u përpoqa mjaft.
Sa keq!
Falënderoj miqt e mi Hysen Hyskja (fotot) dhe Blerim Narazani për ndihmën!
Bukurosh Dylgjeri
Elbasan, Maj 2022