Lindi në një familje të thjeshtë, aty pranë Namazgjahut dhe në vendlindje kreu edhe shkollimet e para. Që i vogël bie në sy për dhuntinë që kishte ndaj këngës. Këndonte çuditërisht i intonuar mrekullisht dhe me ritëm të pacënuar. Kënga e tij ishte aq përgjëruese, fjalët i dilnin ëmbël me aq mallëngjim dhe me aq ndjeshmëri sa mendja të thotë që ai sikur po e parandjente fatin e zi që do ta pasonte për gjithë jetën.
Kishte natyrë të dashur, tip i ëmbël, sa dhe fqinjët e donin të gjithë. Mirëpo, fati shpesh tregohet i lig dhe në moshë 17 vjeç mbeti jetim, pasi i vdiq i ati e për rrjedhojë pesha e rëndë e familjes tani ra në supet e tij ende të brishta. Pa mëdyshje iu përvesh punës dhe provoi hamallin, kamerierin, këngëtarin. Në vitin 1929 shkoi në Tiranë dhe filloi punë për disa kohë në kinemanë e Beshirëve e më pas si këngëtar në bar-restorant “Stambolli”, aty ku mblidhej shoqëria e lartë e kohës.
Ndërkohë në Tiranë kryen shkollën dramatike, si dhe një kurs për nëpunës komunal. Punoi pak kohë si sekretar komune në Tepelenë, në Pogradec dhe në fshatin Vrap të Peqinit. Në çdo vend ku punoi ai shkëlqeu si nëpunës i ndershëm e korrekt. Nuk ishte në natyrën e tij poshtërsia, vjedhja apo çfarëdo e keqe. Ndërkohë që punonte në Tiranë, ai ndoqi për dy vjet mësime private edhe në Itali. Edhe pse jeta e përplasi nëpër mejhane e kafene ku jo rrallë gëlonte vesi, ai nuk u ngatërua kurrë me pijanecë e bixhozçinj, as me sarhoshë e kodoshë, po mbeti i dlirë dhe i pastër si kristali plot hijeshi.
Shpejt ua rrëmben zemrat tiranasve fisknikë të cilët e çmonin dhe e ndihmuan mjaft. Veç interpretimeve, ai filloi edhe krijimtarinë e tij me motive elbasanase të cilat i këndonte me aq përmallim sa ishte e pamundur të mos u përlotje. Kur këndonte kabareve, kokën e kthente instiktivisht nga malet e Krrabës. A mund ta harronte ai Elbasanin e shtrenjtë?
Në pranverë të vitit 1939 niset drejt Italisë dhe nis studimet për aktor. Dëshira e madhe, talenti, sjellja e përkryer, paraqitja e jashtme prej fisniku elegant e mbi të gjitha veçoritë e zërit, shpejt tërhoqën vëmendjen e drejtuesve të kinematografisë italiane “Cinecittá”. Ata e cilësuan si e ardhmja e kinematografisë shqiptare. Ai vërtetë adhuronte tmerrësisht skenën e teatrit e të kinemasë.
Dashurohet në Romë dhe më pas martohet me një italiane të bukur si lule, Ada Sarmi, mbesa e kuestorit të Romës. Mirëpo, fati e godet përsëri pikërisht kur ai ishte në zenithin e lumturisë së tij. Një sëmundje e lëkurës së fytyrës ia rrënoi shpresat për aktor. Gjithë trishtim ai vërente në pasqyrë ato njolla të mallkuara në ballë, faqe, mjekërr….tmerr, fatalitet! Rruga e tij për aktor u mbyll.
I trishtuar e plot maraz kthehet në Tiranë në vitin 1940 bashkë me gruan e tij Ada. Po atë vit, për nevoja të jetës fillon punë milic në Durrës, për t’u vetëlarguar pas një viti. Nuk ishte i sajuar për milic. Pas një viti çifti gëzohet më lindjen e djalit të madh, Saliut dhe në vitin 1943 lindi edhe djali i dytë, Aleksandri. Në vitet 1943-1944 jeton ndër miq, herë në Elbasan dhe herë në Tiranë derisa mbaroi lufta. Përfundimi i luftës e godet në mënyrë shkatërrimtare. Gruaja e tij, e shtrenjta Ada shpejt kuptoi që fitimtarët nuk do t’ia falnin asaj të shkuarën si mbesë e një kuestori fashist. Në këto kushte, ndoshta ata u mirëkuptuan, Ada vendosi ta braktisë Shqipërinë dhe burrin e saj besnik. Bashkë me të dy djemtë ajo u largua përfundimisht drejt Italisë në pranverë të vitit 1945. Vetëm shpirti i tyre e di se ç’kanë ndjerë atë çast dhe gjatë gjithë jetës për këtë ndarje së gjalli.
Tanimë ai ishte zhytur përfundimisht në vetmi dhe trishtim, pa të dashurit e zemrës, pa punë, pa shtëpi. Bohem i vërtetë. Në vitin 1946 e burgosin për pak vite si ish milic fashist dhe e degdisën andej nga këneta e Maliqit. Mbijetoi nga burgu dhe rikthehet në Tiranë që ishte tashmë qyteti i tij i zemrës. Fillon punë në estradën e Tiranës dhe pas aktrimeve të tij të shkëlqyera, në vitin 1953 e merr Teatri Kombëtar. Por nuk ishin bërë mirë hesapet dhe vigjilenca e luftës së klasave e flak tutje, sepse nuk mund t’u dhurohej qytetarëve të Tiranës loja mjeshtërore e një ish të dënuari që kishte pasur edhe grua fashiste italiane!!!
Në vitin 1954 fillon punë krahu në fermën shtetërore në Sauk. I nëpërkëmbur nga shteti dhe shoqëria mbyllet në vetminë e tij, qarkuar vetëm nga skamja. Banoi disa kohë në një shtëpi përdhese të mjeruar andej nga pallatet e aviatorëve (sot Tirana e Re). Nën shoqërinë e tymit të duhanit dhe avujve të alkoolit ai gjeti forcë te kënga. Shpirti i tij gjente prehje te kënga. Të paktën këtë nuk ia mohonin dot. Krijonte këngë njëra pas tjetrës pa qenë profesionist dhe i këndonte nëpër kafenetë e Tiranës. Dikush e paguante, një tjetër i falte drekën dhe pijet. Ishte shndërruar në garip shëtitës, por megjithatë këngët ia pëlqenin. Një ditë ishte aq i uritur sa aroma e mirë e gjellëve të restorantit pranë Sahatit, pa vetëdije ia komandonte këmbët andej. U afrua. Zgjati pak kokën në dritare dhe vështroi me ngulm. Ç’të shihte…!? Ah… u përcoll aq shumë sa iu duk sikur i shkoi gjuha teposhtë. U kthye dhe u shtri në lulishten e Pallatit të Kulturës. Humbi në gjumë. Thuhet se rastësisht aty kaloi ish ministri i arsimit të kohës, elbasanasi Thoma Deliana, dhe u interesua ta njohë atë endacak të çuditshëm. Një llustraxhi aty në trotuar i tregoi atij për të. Më pas, këtij endacaku i caktuan një pension të vogël financiar. Vazhdoi jetën pak më ndryshe edhe pse ftohtësia dhe mjerimi nuk iu ndanë asnjëherë.
Në vitin 1966 shtrohet në spital. U kujdesën për të aq shumë sa njërës prej infermiereve ai i kushtoi disa këngë që edhe sot të magjepsin, sepse zemra e tij vërtetë ishte mpirë prej kohësh, por shpirti…ah, shpirti i tij nuk i njihte ligështi. Një ditë Nëntori të vitit 1969 u rrëzua përtokë ndërsa ishte duke shkarkuar qymyrin për kuzhinën e hotel “Vjosa” dhe e sollën përsëri e me të shpejtë në spital. Ishte mjaft rëndë. Jeta e tij e vështirë e rrethuar vazhdimisht prej fatkeqësive familjare, skamja, herë i ngrënë e herë i pangrënë dhe fjetja ku të mundej, e rrëzuan më në fund, e thyen atë. Por, hallet e këtij gjëmëmadhi nuk kishin të sosur dhe kobi i erdhi ndërsa ishte ende në spital. Djali i tij i madh, Saliu, humb jetën në një aksident automobilistik në Itali. Saliu që mbante emrin e të atit të tij, Saliu që kishte mbaruar studimet e mjekësisë dhe specializuar për dermatologji, që kishte ëndërruar të vijë në Shqipëri e të kurojë të atin, tani nuk jetonte më. Kjo ishte e pabesueshme. E tmerrshme!
Dhe atëhere ai ngriti duart drejt qiellit me pamje të shfytyruar e gojën hapur dhe mbeti ashtu për disa çaste. Nuk ofshau! Nuk mundej! Nuk kishte ç’të kërkonte e kujt t’ia kërkonte! I mblodhi duart rreth kokës, uli gjunjët përdhe me fytyrën përtokë. O Zot, çfarë tmerri!!! Ishte data 17 Prill. Me gjithë kujdesin e ngrohtë të personelit shpirtmirë të spitalit, ai u shua përfundimisht… pa u përpëlitur, pa ankime, pa…asgjë. Iku drejt Amshimit për t’u qetësuar më në fund nga kjo botë së cilës i fali me ngazëllim shpirtin e tij dhe si shpërblim mori një thes me brenga.
Një nga punëtorët e varrezave në Sharrë nguli me çekiç një dërrasë mbi varr dhe shkroi: “Ktu prehet MUSTAFA BODINI leu n’Elbason 1911 – vdiq m’Tiron 1970”. Pastaj ra heshtja!
Unë nuk jam aspak në gjendje të analizoj ç’e shtynte atë njeri që të krijonte këngë pa pushim, kur jeta i erdhi aq e shëmtuar dhe me goditje të njëpasnjëshme? Shpesh pyes veten ku e gjente forcën ai për të përballuar dhimbjet dhe nga ana tjetër të krijonte perla të muzikës qytetare në të cilat nuk vërehet asnjë lloj pezmi, nuk gjen aspak inat, mllef apo urrejtje??? Asnjëherë nuk kam për ta kuptuar këtë! Mos ndoshta vetë natyra i përzgjedh disa njerëz dhe u pasi u merr gjithçka, u jep dhuntinë e krijimeve? Kush e di…!?
Ai krijoi 70 këngë, njëra më e bukur se tjetra, disa prej të cilave ia përvetsuan rrufjanët që më pas u mburrën rrejshëm me to në koncerte e tribuna dhe emrin e tij e lanë n’harrim.
Bukurosh Dylgjeri
Elbasan, Gusht 2018