Bakall quhej shitësi me pakicë në dyqan, i sendeve ushqimore dhe veçanërisht i frutave dhe perimeve. Nuk ia di prejardhjen kësaj fjale, por Google Translate më thotë se është huazim nga turqishtja, që do të thotë: bakkal – dyqan i përgjithshëm ose artikuj të përzier etj.
Proverbial është bërë edhe blloku i shënimeve të bakallit, për hesapet që mbante ai ose dhëniet e mallit veresie. Thuhet se ishin të ndotur dhe të pavlerë “letër bakalli”, “defter bakalli”, por unë nuk mendoj ashtu.
Por, qëllimi i këtij postimi të shkurtër është tjetërkund. Unë dua të tregoj se si funksiononte ai treg me fruta dhe perime, fitimi si dhe kontrolli cilësor i mallrave që tregtoheshin.
Më ka treguar fqinji im I.K. (i ndjeri) se babai i tij para 80 – 90 vjetëve ishte bahçevan dhe bakall. Ai e niste punën në mëngjes me një shumë të caktuar lekësh, të mallrave që kishte blerë dhe të cilat do t’i tregtonte deri pasdite. Gjatë ditës ai mbante shënim ecurinë e gjendjes së lekëve dhe sapo vërente që në arkë janë siguruar paratë e fillimit (investimi ditor), ai menjëherë ulte çmimet dhe thoshte: – Imé fillon qari (fitimi) im! Pra, fitim quheshin vetëm lekët e përfituar nga shitjet, pasi ulte çmimin.
Natyrisht, pemurinat – siç quheshin atëhere, konsideroheshin “kalb’sina”, që nuk durojnë gjatë, të cilat absolutisht nuk duhet të shiteshin të nesërmen. Po ashtu, nuk duhet harruar se mjeku i Beledijes (Bashkisë) çdo mëngjes dhe çdo pasdite kontrollonte cilësinë dhe freskinë e mallrave të të gjithë tregut. Atje ku ai vendoste shkopin, malli duhej të groposej. (Mjerisht sot sheh që tregtohen p.sh. mollët me 100 lekë/kg, por edhe pas disa ditësh po ato mollë të cilat ndërkohë janë rryshkur, kanë të njëjtin çmim).
Duhet theksuar, se në Elbasan, pothuajse të gjitha banesat kishin oborre të mëdhenj përplot me pemë frutore, madje një pjesë të kopshtit banorët e mbillnin me perime, të cilën e quanin: kopshtári.
Përjashtim bënin vetëm banesat në lagjen Kala, të cilat kishin hapësira më të vogla dhe rrjedhimisht edhe mundësira më të vogla për mbjelljen e pemëve frutore dhe perimeve. Megjithatë, kushtet klimatike dhe vendosja e qytetit të Elbasanit në skajin lindor të Fushës së Shkumbinit mjaft të begatë, i ofronte banorëve të tij fruta dhe perime përgjatë gjithë vitit, nga fushat dhe nga malet.
Edhe fshatarët që banonin pranë qytetit tregtonin fruta dhe perime të gjithfarëshme. (Ky lloj shërbimi nuk duhet ngatërruar me “çertexhinjtë”, të cilëi ishin shitës në natyrë, me tezga, të çikërrimave (kapse, karfica, prefse të ndryshme, gjilpëra etj) që i nevojiteshin familjeve).
Bukurosh Dylgjeri
Elbasan, Shkurt 2022