A e dini se Aleks Buda ka qenë Kryetari i parë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që nga viti 1972, si dhe anëtar i Kongresit të Drejtshkrimit ose i mbiquajtur edhe “babai i historisë tonë”?
Po kështu, për turpin e qytetit Elbasan, emrin e tij sot e mban vetëm një shkollë (8-vjeçare), sot 9-vjeçare në një qosh të humbur të qytezës Cërrik.
Ndoshta në qytetin e tij nuk kishin kohë dhe dëshirë, që ta nderonin të paktën me një shkollë të njëjtë, sepse për një shkollë të mesme as që bëhej fjalë.
Në të vërtetë, i kanë dhënë titullin “Qytetar Nderi i Elbasanit” dhe kaq. U lanë duart me të dhe … heshtje.
Lindi në qytetin e Elbasanit më 11 Shtator 1910, në një familje me tradita qytetare e atdhetare. Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes, studimet e mesme dhe të larta në Austri. Në formimin kulturor dhe intelektual të tij, binte në sy sidomos zotërimi i shumë gjuhëve të huaja. Dinte shumë mirë latinishten, greqishten e vjetër, gjermanishten, anglishten, frëngjishten, italishten, rusishten, greqishten e re, serbokroatishten dhe rumanishten.
Mbas diplomimit punoi si mësues në shkollat e mesme në Korçë e Tiranë. Në vitet 1945 -1946 emërohet drejtor i Bibliotekës Kombëtare dhe pas vitit 1947 u bë një ndër organizatorët e Institutit të Shkencave, ku drejtoi sektorin e historisë. Ka dhënë një ndihmesë të çmuar për orientimin dhe drejtimin e shkencave në përgjithësi, dhe të shkencave albanologjike në veçanti. Ndihmesa e tij më e spikatur është në fushën e studimit të historisë së Shqipërisë.
Megjithëse drejtonte sektorin e historisë së mesjetës shqiptare, veç punës shkencore në këtë drejtim, ndërmori studime edhe për periudhën ilire, etnogjenezën shqiptare, periudhën e Skënderbeut, Rilindjen Kombëtare. E pazëvendësueshme ka qenë puna e tij sidomos në konceptimin dhe hartimin e tekstit të Historisë së Shqipërisë, një vepër voluminoze, e veçantë në llojin e vet. Ndihmesë të madhe dha edhe në hartimin e redaktimin e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar.
Studimet e tij i ka referuar apo kumtuar në konferenca e kongrese shkencore brenda e jashtë vendit, ka botuar shumë artikuj me vlera të mëdha në shtypin shkencor. Një pjesë e punimeve janë botuar në vëllimet “Shënime historike”.
Aleks Buda ka qenë i dalluar edhe në punën pedagogjike. Leksionet e tij në auditorët e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë dhe në Universitetin e Prishtinës, janë ndjekur me interes nga studentë e pedagogë. Puna e frytshme shkencore-pedagogjike e Aleks Budës, e rriti autoritetin e tij shkencor dhe e bëri të njohur si në botën shqiptare, brenda e jashtë Shqipërisë, ashtu edhe në rrethet shkencore ballkanike e evropiane. Prandaj, atij natyrshëm i takoi vendi i kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që me themelimin e saj më 1972, detyrë të cilën e mbajti plot dinjitet deri në fund të jetës.
Nderimi për Aleks Budën është dinjiteti ynë. Mban titullin “Qytetar Nderi i Elbasanit”.
Mblodhi: B. Dylgjeri. Literaturë: “Mirënjohje për mësuesit e nderuar të qytetit tim”, të cilën mua ma ka dhuruar Sami Domni – i ndjeri.
Bukurosh Dylgjeri
Elbasan, Maj 2022