//

A e Dini Se …

Elbasani është ndoshta i vetmi qytet, emri i të cilit është shkruar në pllaka guri? Asnjë mëdyshje, asnjë interpretim, kundërshtim ose hamendësim ...

571 pamje
5 minuta lexim

Elbasani është ndoshta i vetmi qytet, emri i të cilit është shkruar në pllaka guri? Asnjë mëdyshje, asnjë interpretim, kundërshtim ose hamendësim …

të dy rastet, qyteti i ndodhur në rrjedhën e mesme të lumit Shkumbin, u ndërtua dhe u rindërtua nga të huajt dhe sigurisht ata i vunë edhe emrin.

Periudha e Antikitetit

Fillimisht ishin romakët të cilët rreth viteve 160 – 200 e. s. ndërtuan një fortesë për të strehuar një garnizon ushtarak, që kishte detyrë mbrojtjen e karvanëve të cilët qarkullonin tutje e tëhu nëpër rrugën Egnatia (ose Aegitana, sipas “Pellasgët, Ilirët, shqiptarët” – Kosta Çekrezi, 1917 USA). Ata e quajtën qytetin SCAMP. Pavarësisht interpretimeve, kjo fjalë mbetet e pandriçuar mirë. Nuk ka gjetje të qarta arkeologjike, që kjo fortesë romake e quajtur SCAMP, të ketë qenë edhe qendër urbane. Sidoqoftë, duhen përmendur dy bazilikat paleokristiane, të cilat nuk janë objekte ushtarake. Ato ndodhen në Bezisten pranë Kalasë, si dhe në Tepe, në kodrën me ullinj, e cila ndodhet në skajin perëndimor të Urës së Zaranikës. (Mendohet që brenda në Kala të ketë pasur edhe një katedrale kristiane). Prej këtyre bazilikave mund të hamendësojmë, që veç fortesës ushtarake, në SCAMP të ketë pasur edhe veprimtari civile. Mendoj që këto bazilika të jenë ndërtuar pas vitit 313 e. s. koha kur u ligjërua krishtërimi nga Perandoria Romake.

(Udhëpërshkrues të ndryshëm latinë ose helenë i shtuan emrit SCAMP, prapashtesa sipas artikulimeve të tyre, respektivisht: Skampino dhe Skampinus. Ne shqiptarët e quajmë SKAMPA, emrin antik të qytetit).

Guri ku gjendet i shkruar emri SCAMP (i cili mendohet të ketë qenë gur varri i një ushtari romak të quajtur Mark Sabidi), u gjet në vitin 1922 në rrënojat e xhamisë mbi Portën e Kalasë, e cila u shemb nga tërmeti i vitit 1920.

(Sa mirë që atë gur nuk e gjeti që në krye të herës ndonjë stërgjysh yni, se do ta kishte rrasur në ndonjë themel shtëpie) 😊

Periudha e Mesjetës

Pas shkatërrimit të qytetit SCAMP prej barbarëve gjermanikë në vitin 479 e. s. nuk ka shenja të qarta që në këtë vend të jetë zhvilluar jetë urbane, ndonëse burimet byzantine përmendin “qyteti Valm” (!).

Siç dihet nga historia, në verën e vitit 1466 sulltan Mehmeti II i Perandorisë Osmane urdhëroi rindërtimin e kësaj fortese mbi themelet dhe rrënojat e SCAMP-ës, pas humbjes së dytë radhazi që pësuan ushtritë osmane në Kalanë e Krujës.

Ata e rindërtuan fortesën dhe e riemëruan duke e quajtur ELBASAN (fillimisht e quajtën Ijl-basan) që ka kuptimin: vura dorë, shtyp këtë vend, dhésundues etj.

Emrin e qytetit ata e shkruan me alfabet arab në dy pllaka të gurta (mermerta) të cilat i vendosën mbi Portën e Kalasë, në faqen veriore dhe në faqen jugore.

Qëllimi i rindërtimit të fortesës së Elbasanit nga osmanët është i njëjtë me atë romak, strehimi i një garnizoni ushtarak kundër Skënderbeut, si dhe ruajtja e qarkullimit nëpër udhën Egnatia.

Vetëm pas një shekulli dalin në dritë dokumente që tregojnë se brenda në Kalanë e Elbasanit dhe përreth saj (varoshe) kishte nisur jeta e vrullshme civile me banorë shqiptarë.

Bukurosh Dylgjeri

Bukurosh Dylgjeri

Elbasan, Shkurt 2023

RSS
Ndiq me Email
Share