//

Vende dhe Toponime në Elbasan

Bushek. Çdo të thotë kjo fjalë? Busheku është një vend piktoresk buzë lumit Shkumbin, 4-5 km në juglindje të Elbasanit, pranë fshatit Shushicë. Në mes të fushës ndodhet nje masiv i vogël shkëmbor dhe nga brendia e tij nëntokësore buron prej shekujsh një rrymë uji e ftohtë, e lehtë dhe e këndëshme për t’u pirë. Hijet e rrepeve shumë të vjetër pranë këtij burimi, të ndjellin kurdoherë për pak shlodhje.

1434 pamje
10 minuta lexim

BUSHEK!

Çdo të thotë kjo fjalë? Busheku është një vend piktoresk buzë lumit Shkumbin, 4-5 km në juglindje të Elbasanit, pranë fshatit Shushicë. Në mes të fushës ndodhet nje masiv i vogël shkëmbor dhe nga brendia e tij nëntokësore buron prej shekujsh një rrymë uji e ftohtë, e lehtë dhe e këndëshme për t’u pirë. Hijet e rrepeve shumë të vjetër pranë këtij burimi, të ndjellin kurdoherë për pak shlodhje. Ky vend ka shërbyer prej motesh nga qytetarët e Elbasanit për piknik (teferryç). Kohës së verës kur lumi sillte pak ujë, gjindja nisej në këmbë dhe pasi përshkonte fushën e Bejlerbeut, ndalonte në Bishtin e Krastës dhe që aty këmbëpërveshur kaptonin lumin në një va e hidheshin në Bushek.

Thuhet se në shek. XV, ushtria osmane nën komandën e sulltan Mehmetit -II- Fatih që ishte nisur nga Manstiri për të rrethuar për herë të dytë Krujën, bëri ndalesën e radhës në fushën e Shushicës. Aty, ata ngritën kampin pasi vendi është me të vërtetë strategjik dhe i mbrojtur. Në këtë fushë ata kishin ujë me bollëk për të pirë dhe për t’u larë, kullota për kuajt, si dhe kjo fushë është e rrethuar nga male të lartë nga jugu, ndërsa tre anët e tjera të horizontit i përfshin shtrati i lumit që kontrollohej në distancë të largët.

Por, cili është kuptimi i fjalës Bushek? Albanologu gjerman Franz Babinger e lidh këtë fjalë me emrin e një fisi vendas “Buzerseq”, që në shek. XV ndodhej në fshatin Valmas. Ndërsa kronikani osman Evlija Çelebiu që ka vizituar Elbasanin në vitin 1670, thotë se “bushek” rrjedh nga persishtja “buzurq-senq”, që do të thotë: “gur i madh”.

Në dokumentat vendore osmane të shek. XVII-XVIII ky fshat është shkruar: “Buzeseki” dhe “Bushek”. Rreth origjinës së fjalës “bushek”, ekziston edhe varianti popullor vendas, sipas të cilit kjo fjalë ka lindur nga togfjalëshi “buzë shelgut”.

BETEJA E TORVJOLLIT 1444

Fusha e Torvjollit apo Domosdovës, a kanë lidhje me njëri-tjetrin këto toponime?

Siç dihet nga historia, më 29 Qershor 1444 Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në një prej betejave u ndesh dhe e theu keq ushtrinë osmane të komanduar nga Ali Pasha. Beteja u zhvillua në Fushën e Torvjollit (?!). Por, vendi ku u ndeshën dy ushtritë ende nuk është përcaktuar ku ndodhet, si dhe pse e ka pasur këtë emër, çdo të thotë Torvjoll, a përdoret sot etj.

Shumë historianë të vjetër dhe të rinj janë ende në garë për të fiksuar saktë fushën ku u zhvillua kjo betejë me ushtrinë e superfuqisë mesjetare. Referuar dokumentave të pakta dhe të dyshimta të kohës, disa prej tyre kanë gjetur si më të mundëshmen Fushë-Çidhnën në Dibër të Poshtme, ose Fushën e Shubatit, Fushën e Thatë etj etj. Megjithatë nuk jepet asnjë shpjegim për emrin Torvjoll të kësaj fushe, që sot nuk përdoret askund. Po nga këto dokumenta vërejmë edhe një shënim tjetër ku thuhet: “…Skënderbeu u drejtua për në Dibër të Poshtme, dhe këtu e vendosi ushtrinë në Fushën e Torvjollit, që është e gjerë rreth 3 milje dhe e gjatë 7 milje, e rrethuar prej malesh, brigjesh dhe pyjesh nga të gjitha anët (por sot nuk ekziston një toponim i tillë) dhe përmes saj kalonte lumi Skampanio (Shkumbin)”. Disa historianë të tjerë e lidhin betejën në fjalë me fushën e Dosmosdovës që gjendet pranë Prrenjasit, por që lumi Shkumbin ndodhet pak kilometra më në perëndim.

Nëse ky variant i dytë është i vërtetë, lind pyetja, si është quajtur në mesjetë fusha e Domosdovës dhe pse e ka marrë këtë emër të ri të pakuptimtë? Sipas legjendave dhe gojëdhanave popullore, fusha e sotme e Domosdovës është quajtur më parë Fusha e Tri-Vjollave (vjollë-vendi ku futet kripa për bagëtitë). Sipas këtyre thënjeve, në këtë fushë veronin për kullotë bagëtitë e tre krahinave, Çermenikës, Mokrës dhe Rrajcës dhe secila tufë e bagëtive kishte vjollën e vet për kripën. Ende sot të moshuarit e zonës nga fshati Xibrrakë deri në Qafë-Thanë e përdorin termin VJOLLË për vendin ku i futet kripa bagëtive.

Në shenjë hakmarrje dhe poshtërimi prej disfatës që pësuan në këtë fushë turqit e emërtuan atë: DOMUZ VE DOMUZ e cila më pas mori trajtën e sotme DOMOSDOVË. (turq. domuz ve dovuz – shq. derr me derr, që ka kuptimin ofendues- fushë derrash) pasi dihet përbuzja që kanë myslimanët për derrin.

Një gojëdhanë tjetër thotë se termi DOMOSDOVË ka ngelur nga përgjigjet që ushtarët i dhanë Skënderbeut kur ai para betejës i pyeti nëse do të fitojnë. Ata iu pergjigjën: Do të fitojmë DOMOSDO… Pra me çdo kusht. Ku i dihet…..?!

Një miku im i quajtur Muhamet Shkalla nga fshati Xibrrakë (midis Elbasanit dhe Librazhdit) më ka treguar se kur ka qenë në punë në ish kooperativën bujqësore, ka punuar disa kohë çoban i bagëtive. Ndër të tjera, gjatë bisedës më tha se ”…kam qenë rehat me ato bagëtitë atëhere, nuk u lodhja fare. I lëshoja në mëngjes për kullotë dhe në drekë i dërgoja tek VJOLLA”. Unë e pyeta menjëherë ç’është VJOLLA dhe ai u përgjigj: Asht vendi në formë lugu ose kanal i ngushtë ndërtuar me tulla ose çimento ku i fusnim krypën bag’tive).

Përgatiti: Bukurosh Dylgjeri

Elbasan, Janar 2014.

RSS
Ndiq me Email
Share