/

Ullishta e Elbasanit

Ullishta e qytetit të Elbasanit lartësohet në kodrat që ndodhen në veri të qytetit e qëndron përmbi të, si një vetullore magjepëse. Në këtë ullishtë janë mbjellë në kohë të papërcaktuar dhe, në reliev kodrinor, rreth njëqind mijë rrënjë ullinj që zënë një sipërfaqe të përgjithëshme afër shtatëqind hektarë.

1986 pamje
9 minuta lexim

Ullishta e qytetit të Elbasanit lartësohet në kodrat që ndodhen në veri të qytetit e qëndron përmbi të, si një vetullore magjepëse. Në këtë ullishtë janë mbjellë në kohë të papërcaktuar dhe, në reliev kodrinor, rreth njëqind mijë rrënjë ullinj që zënë një sipërfaqe të përgjithëshme afër shtatëqind hektarë.

Nuk dihet se nga cilët dhe kur u mboll kjo ullishtë, por gojëdhana popullore është mjaft kuptimplote: “Një plak i urtë ishte duke mbjellë disa fidanë ulliri dhe aty pari kalon një i panjohur, i cili i thotë plakut me shpoti, nëse do t’ia mbërrinte të shijonte frutet e punës, pasi plaku ishte shumë i vjetër. E plaku i mençur i përgjigjet udhëtarit mendjelehtë: – “Deri tani kam ngrënë ç’mbollën të tjerët, e tash do të mbjell unë që të hanë të tjerët pas meje”. Mbjelljet e vjetra të drunjve të ullirit ishin 16-18 rrënjë/1 dynym (1,000 m2) dhe largësia nga njëri dru tek tjetri tek mbjelljet e vjetra ishte 6 metra.

Termi i përdorur për ndarjen e sinoreve të kësaj ullishte ka qenë fjala “semt”.

1. Kështu, ullishta që ndodhet në perëndim të përroit të Zaranikës (rrjedha e djathtë), quhet: Semti i Zaranikës.

2. Ullishta që ndodhet midis përroit të Zaranikës dhe përroit të Manasderes (Kroit të Kalit), quhet: Semti Harmas, (mbi lagjen “Haxhijas” dhe mbi kompleksin e spitaleve). Ky është semti më i madh dhe ka numrin më të shumtë të ullinjve.

3. Ullishta që ndodhet nga përroi i Manasderes (Kroi i Kalit) e deri në fshatrat Godolesh e Samurr, quhet: Semti i Karroqes. Poshtë kësaj ullishte ishte edhe Rrapishta e Nosit.

Ullishta e Elbasanit

E gjithë ullishta ka qenë dhe është pronë private e familjeve të ndryshme elbasanase, si dhe e komuniteteve fetare (vakëfe dhe manastire) duke përjashtuar periudhën e diktaturës, kur ullishta u shtetëzua. Duhet përmendur se gjatë periudhës që ullishta ishte e shtetëzuar, ajo ishte e përfshirë në ish-N.B.Sh. (Ndërmarrja Bujqësore Shtetërore), e cila përmendej nga shkurtimisht, fermë.

Janë të shumtë specialistët që kanë punuar aty si Hyqmet Krati me 44 vjet punë dhe që ka drejtuar mbi 1000 punëtorë, Kamer Hoxha, Veli Hasa, Agron Panxhi, Mustafa Doçi, Qamil Subashi etj. etj. Duhet përmendur, se gjatë kësaj kohe u mbollën edhe mijëra rrënjë të tjerë ullinjsh, veçanërisht në kodrat e fshatrave Hajdaran dhe Topçias që ndodhen buzë lumit Shkumbin,

Nuk ka dokumenta të sakta që të vërtetojnë kohën e mbjelljeve të vjetra të ullishtës së Elbasanit, por një gjë dihet me siguri, se ullishta ishte nga çdo pikëpamje, një parajsë e begatë për qytetin.

Megjithatë, në lidhje me kohën kur është mbjellë ullishta, duhet t’i referohemi një dokumenti historik të vitit 1606 në të cilin thuhet se. “…bakejtë e qytetit Elbasan, ankohen përpara organeve të pushtetit vendor që të ndërhyjë dhe dënojë disa persona të cilët grumbullojnë ullinj dhe vaj ulliri, për t’i shitur në krahina të tjera me fitime më të mëdha…”. (Esnafët shqiptarë – Zija Shkodra).

Nga ky dokument, rezulton se ullishta e Elbasanit ka qenë mbjellë të paktën shumë kohë përpara këtij viti. Dikur, njësi matëse e tokave ka qenë “pendë dhè”, e cila sipas njësive të sotme matëse, për zonën e Elbasanit është e barabartë me 3,600 m2 në kodër/malësi, dhe 4,000 m2 në fushë. Për shkak të relievit të thyer, disa ullinjve i përforcohej pjesa e tokës poshtë me mure të thatë guri, me formë gjysmërrethorë, të cilët quhen “ballagamë”.

Veç ullinjve që përpunoheshin me regjje si dhe vajit të ullirit, aty rriteshin edhe fiqtë, shegët, rrushi, arrat, mollët, thanat, kulumbritë, karatanetë që bënin kokrra të vogla të zeza aq të shijshme (caraca), manat e tokës plot aromë dhe të ëmbla mjaltë (luleshtrydhe) etj. Po ashtu, në rrëpirat e saj mbinin gjithfarë bimësh dhe lulesh, dekorative e mjekësore. Veçori e luleve të egra të ullishtës tonë janë menekshet dhe karakaftet që çelin vetën ditëve të para të Marsit dhe pastaj zhduken gjatë gjithë vitit, për ta përsëritur ciklin pranverën e ardhëshme. Këto lule, menekshet dhe karakaftet, janë shumë të pëlqyera nga fëmijët, të cilët i mbledhin tufa – tufa, ferrave dhe përreth rrënjëve të ullinjve.

Kur isha i vogël, pas kthimit nga festimet e Ditës së Verës, dërgoja kësi lulesh në shtëpi. Nana ime më thoshte me qortim:”Mos i bjer mrena n’shpi menekshet, se afrojnë pleshtat”. Nuk e di nëse kjo ishte një bestytni apo e vërtetë.

Edhe bota shtazore ishte shumë e pasur me lepuj të egër, breshka, iriqë e shumë lloje të tjera brejtësish. Në dimër kur ullinjtë piqeshin, në qiell fluturonnin tufa-tufa gueshët (guash) që ushqehen me ullinj. Po kështu, në ferrat e ullishtës gjenden me shumicë zogj të tjerë, si: mëllenjat e zeza dhe mëllenjat me squp të verdhë, fugat dhe bengu, cërle, squptrashi, shapka e shumë të tjera që preferohen nga gjahtarët, si dhe gushëkuqi, harabeli, krahëthata (skifteri), dervishi, bishttundësi apo grabitqarë si dhelpra, nuselale etj. etj.

(Të dhënat e detajuara mbi këtë ullishtë janë dhënë nga agronomi dhe specialisti i ullinjve, Fisnik Hoxholli (i ndjeri).

Mblodhi e përgatiti: Bukurosh Dylgjeri

RSS
Ndiq me Email
Share