//

Tradita e Qëndisjes

Dikur, gjyshet tona, shpesh i qëndisnin vetë jorganët, jastëkët, perdet apo rroba të tjera të cilat përdoreshin në raste festash. Ndër të tjera, ato qëndisnin me fije ari, mbi mëndafsh, mbi kadife…

1413 pamje
2 minuta lexim

Dikur, gjyshet tona, shpesh i qëndisnin vetë jorganët, jastëkët, perdet apo rroba të tjera të cilat përdoreshin në raste festash. Ndër të tjera, ato qëndisnin me fije ari, mbi mëndafsh, mbi kadife… Verës, ato uleshin mbi postiqet e leshta në hajat dhe përqendroheshin te punimet e tyre – që në të vërtetë – ishin më shumë se qepje apo qëndisje të çfarëdoshme.

Ato ishin punime artistike. Nuk e di sesi i krijonin ato figura aq të bukura me lule, me shpendë apo krijime figurinash të mahnitëshme. Ngjyrat e përdorura, madhësia e figurave, hapësira që zenin këto figura në rrobë… gjithçka ishte e harmonizuar, nuk ta vriste syrin.

Qëndisja

Gjyshet tona nuk ishin të shkolluara, por rregullsia e punimeve të tyre edhe sot më mahnit. Ato vinin shpirtin në punë dhe, duart e gishtat vetëm sa e zbatonin me harmonin dhe simetri atë imagjinatë, që me ngrohtësi i buronte nga shpirti. Ato e përfytyronin figurën që do të qëndisnin dhe pastaj e realizonin me ëmbëlsi, me qetësi dhe me bukuri.

Jo vetëm kaq. Ato mblidhin rreth vetes edhe vajzat e shtëpisë, të cilave ua mësonin këtë zeje të mrekullueshme. Ndërkohë që qëndisnin, ato u tregonin këtyre vajzave edhe ngjarje nga jeta, histori dasmash, ndodhi të ndryshme, mënyrat e gatimi, u tregonin si të ndërtonin marrëdhëniet mes të afërmve… ato i përgatisnin vajzat, që të bëheshin familjare dhe amvisa të devotshme.

Gjyshet tona e përcillnin aq bukur dhe aq ëmbël, dijen personale dhe kolektive.

Bukurosh Dylgjeri

Elbasan, Nëntor 2020

RSS
Ndiq me Email
Share