//

TË GJITHA UDHËT E PATRIOTIZMËS SHQIPTARE “KALOJNË” NË ELBASAN

Sepse në Elbasan nisin përpjekjet për studimin dhe njësimin e gjuhës shqipe (papa Jorgji Theohari, Todri, Kristoforidhi, Xhuvani, Cipo, Domi e dhjetra qytetarë të tjerë më pak të përmendur.

826 pamje
5 minuta lexim

Sepse në Elbasan ruhet ende e gjallë e vetmja festë pagane (Dita e Verës), e cila bën lidhjen tonë me të shkuarën plot me mite e legjenda të bukura.

Sepse në Elbasan gjenden dy bazilika tepër të veçanta të periudhës paleokristiane (në Bezisten dhe në Tepe).

Sepse në Elbasan, në Mesjetën e Vonë (1580), hasen për herë të parë organizimet esnafore, të cilat normonin rreptësisht punën e zejtarëve, format dhe mënyrat e prodhimit e të shitjes.

Sepse në Elbasan nisin përpjekjet për studimin dhe njësimin e gjuhës shqipe (papa Jorgji Theohari, Todri, Kristoforidhi, Xhuvani, Cipo, Domi e dhjetra qytetarë të tjerë më pak të përmendur.

Elbasani

Sepse në Elbasan ishte krijuar një prej alfabeteve shqip, shumë kohë më parë se alfabeti i Manastirit.

Sepse në Elbasan u zhvillua Kongresi i Gjuhës Shqipe (shtator 1909).

Sepse në Elbasan filloi të zhvillohet arti i fotografisë me përfaqësues Fot Papajanin, nxënës i Marubit.

Sepse në Elbasan u çel e para shkollë e mesme, e cila do të përgatiste mësuesit e parë shqiptarë, Normalja (dhjetor 1909).

Sepse në Elbasan do të ngrihet për herë të parë Flamuri i Pavarësisë (25 Nëntor 1912, Aqif Pasha, Vërlaci, Peni, Pasmaqi, Dhimitruka etj. etj.).

Sepse nga Elbasani do të nisen dhjetra studentë në universitetet më të mira europiane (Austri, Gjermani, Francë, Itali, Turqi etj).

Sepse Elbasani do të ketë përfaqësuesit e vet në Aktin e Shpalljes së Pavarësisë më 28 Nëntor 1912 në Vlorë (Shefqet bej Daiu, Lef Nosi, Qemal bej Karaosmani).

Sepse në Elbasan u formua banda muzikore frymore “AFËRDITA” në vitin 1917.

Sepse në Elbasan nis lëvizja amatore teatrore që në vitin 1917, me Abedin Çaushin e të tjerë.

Sepse në Elbasan nisin udhën botimet e para kulturore dhe gazetat, (KOPËSHTI LETRAR, gazetat URA E SHKUMINIT, KU VEMI, SHKUMINI etj.).

Sepse në Elbasan do të nisin fillesat e para kapitaliste me shoqëri aksionere (SAIDE), si dhe do të krijohet Dhoma e Tregtisë, fill pas atyre të Tiranës dhe Durrësit.

Sepse nga Elbasani do të nisen qindra vullnetarë në Luftën e Shkodrës (1912 – 1913), si dhe në Luftën e Vlorës (1920).

Sepse në Elbasan do të krijohen poezitë lirike dhe epike më të bukura, si dhe të parat tragjedi shqiptare nga Haxhiademi.

Sepse nga Elbasani do të nisen dhjetra mësues për t’u mësuar shqip vogëlushëve në trojet shqiptare të Kosovës dhe të Maqedonisë.

Sepse në Elbasan do të krijohen dhe interpretohen këngët më të bukura qytetare (Myzyri, Bodini, Leksi i Vinit).

Sepse në Elbasan do të zhvillohet kulinaria më e pasur shqiptare me gatime krejt të veçanta.

… e sa e sa të tjera.

A thua të jenë rastësisht këto zhvillime, veprimtari, krijimtari?

Jo, jo! Ky është Elbasani me histori të shtresëzuar ku përfshihen natyrshëm atdhetaria, kultura, arsimi, organizimi etj.

Unë mendoj se këto janë vetëm pak të dhëna për Elbasanin, por janë shumë për njerëzit që mendojnë.

Bukurosh Dylgjeri

Bukurosh Dylgjeri

Elbasan, Shtator 2022

RSS
Ndiq me Email
Share