Për të mësuar se çfarë ishin këto shkolla në gjuhën greke që ishin hapur në Elbasan e në qytete të tjera në periudhën e sundimit të perandorisë Otomane, duhet t’i drejtohemi historisë.
Më 1822 në Greqi shpërtheu kryengritja e popullit grek për t’u shkëputur nga sundimi turk. Në mënyrë të veçantë kontribut dhanë shqiptarët autoktonë, banorë të viseve apo të krahinës së Çamërisë e cila shtrihej që nga Peloponezi e në gjithë bregdetin perëndimor të detit Egje. Nën presionin e invazionit turk gjatë shekujve, në periudha të ndryshme një pjesë e tyre u shpërngulën në mënyrë masive drejt Italisë së Jugut e të Siçilisë duke e prezantuar veten si “arvaniti apo arbëresh”.
Këta arbëreshë vazhduan të mbajnë të gjalla traditat, duke mbetur të lidhur shpirtërisht me fenë ortodokse e cila u bë pengesë shekullore që banorët arbëreshë të vendosur në Itali të mos asimiloheshin nga popullata katolike që i rrethonte. Studiuesit italianë e konsiderojnë fenë ortrodokse si një faktor thelbësor që nuk e lejoi këtë lloj asimilimi nga italianët. Drejtuesit e fesë katolike lokale, madje edhe vetë Vatikani, bënë përpjekje të panumurta për të bindur këtë popullsi të përqafonte fenë Katolike, por më kot.
Pasi arritën fitoren në këtë kryengritje, populli grek me ndërhyrjen edhe të fuqive të mëdha si Franca, Anglia dhe Rusia, si dhe me traktatin e Adrianopojës në 1829, e detyruan Turqinë ta njohë Greqinë si krahinë autonome, ndërsa pavarësinë ja njohu në 1832. Njëkohësisht ju njoh e drejta e Greqisë për një protektorat shpirtëror mbi ortodoksët e perandorisë, duke ju dhënë e drejta të hapë shkolla dhe të kryejë shërbimet fetare në gjuhën greke.
Edhe në Elbasan filloi të funksionojë, këtë herë e lejuar, e para shkollë greke që nga 1836. Siç e përmendëm edhe më parë, Dhaskal Todri ishte një nga nxënësit e parë të kësaj shkolle. Më pas ai shkoi të vazhdojë studimet në “Akademinë e Re” të Voskopojës, ku u gjet nën ndikimin e Iluminizmit Europian.
Pasi u kthye në Elbasan, ai u emërua Dhaskal (Mësues) po në shkollën greke të lagjes Kala. Dhaskal Todri i qëndroi besnik tërë jetën idesë së tij për t’i dhënë bashkëqytetarëve një alfabet që të kishin mundësi të shkruanin e të lexonin shqip. Për këtë qëllim ai vetë krijoi një alfabet me 52 shkronja. Siç thotë Aleksandër Xhuvani në një nga dorëshkrimet e tij në një studim mbi Todrin, ai ishte “më i ploti nga të gjithë alfabetet, ku për çdo tingull kishte nga një shkronjë”. Po me këtë alfabet ai përktheu dhe shkroi më dorën e tij “Liturgjinë e Shën-Gjon Gojartit” si dhe vepra të tjera kishtare, me qëllim që ceremonitë fetare të kryeshin në gjuhën shqipe. Mjerisht këto dorëshkrime u dogjën si rezultat i shpifjeve të kishës grekë se gjoja ishin bërë shkak për shfaqjen e kolerës në Elbasan në vitin 1857.
Siç shkruan Aleksandër Xhuvani, ky alfabet u përhap mjaft në Elbasan e në Berat. Por në kulmin e përpjekjeve të tij, Dhaskal Todrin e vranë pabesisht forcat antishqiptare ndërsa po sillte në Elbasan shkronjat metalike që do të shërbenin për shtypshkronjën që mendonte të hapte. Një tjetër elbasanas që vuri emër në historinë e gjuhësinë e Shqipërisë është edhe Kostandin Kristoforidhi, për të cilin Kostaq Cipo ndjente një respekt të madh. Kjo jo sepse e kishte elbasanas dhe nga lagja Kala, por sepse ai ishte një nga pionierët e futjes së gjuhës shqipe në letërsi, duke u përpjekur tërë jetën për t’jua mësuar atë shqiptarëve. Duke lënë mënjanë biografinë e tij që është mjaft e trazuar, po mjaftohemi vetëm me atë çka shkruante vetë Kristoforidhi në relacionin dërguar “Shoqërisë Biblike” mbi gjendjen e shkollës dhe të arsimit. “Në Shqipëri ka shkolla greke pothuajse në çdo qytet, ashtu siç ka dhe shkolla turke. Qytetarët e varfër i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat greke në mënyrë që të mësojnë shkrim e lexim në një gjuhë të huaj … por asnjë nga fëmijët nuk është i aftë të flasë apo të kuptojë greqishten, ndonëse atje mësojnë ta lexojnë”.
Por këto shkolla u kthyen nga mësuesit patriotë në vatra ku mësohej fshehurazi gjuha shqipe. Një përkufizim të shkurtër mbi Kristoforidhin (emri i tij i vërtetë është Kostandin Nelko) na e paraqet Kostaq Cipo kur iu rekomandon studiuesve që në “Bibiliotekën e Puntorit Intelektual” duhet të vendosin “…Kostandin Kristoforidhin, ku: Fjalori i tij njëherë na duhet medoemos… është i vyer… është fruti i kaq e kaq mundimeve nëpër fush’ e male për të mbledhur fjalën nga goja e popullit me kujdes e shenjtëri. Duket i varfër, po sa fjalë, sa fraza fshihen nëpër ato fletë të paka. “Gramatika e Gjuhës Shqipe”, “Gjaja e Malësorëve”, “Dhiata”, “Fjalët e Urta të Solomonit”, etj. na duhen domosdo se pa këto s’e kemi të gjithë Kostandin Nelkon. Proza e Kristoforidhit është e rahur dhe e lidhur mirë; shqip e ka theksën, shqip arkitekturën. Nuk mund të themi se di shqip një që s’ka kënduar prozën e Kristoforidhit… “.
Për jetën e Kristoforidhit kemi një broshurë prej 29 faqesh, shkruar në Elbasan që në vitin 1910 nga Simon Shuteriqi, profesor i nderuar i Normales së Elbasanit dhe i ati i shkrimtarit Dhimitër Shuteriqi. Libri titullohet “Jetë-shkrimi i Konstandin Kristoforidhit” dhe është botuar në Manastir në 1911. Në kopjen që ndodhet në bibliotekën e Cipos, në faqen e brendshme të kapakut të librit, ka këtë dedikim “Shokut t’em të dashun Z. Filip Papajanit për kujtim. Auktori Simon Shuteriqi”.
Gjithashtu Kostantin Kristoforidhi dhe Hosha Tahsini ishin ndër të parët mësues shëtitës të gjuhës shqipe që pikërisht në verën dhe vjeshtën e vitit 1870 kaluan nëpër shumë qytete e fshatra të Shqipërisë së Mesme me trastë në krah dhe me abetaren në dorë për t’i mësuar popullit shkrim e këndim e për t’ju shpërndarë atyre abetare. Kjo gjendje e turbullt në përcaktimin e alfabetit mori fund me Kongresin e Manastirit të vitit 1908 i cili shqyrtoi përdorimin e dy alfabeteve. Njëri ishte alfabeti i Stambollit dhe tjetri ishte alfabeti i përpunuar nga vetë Kongresi. Ky i dyti doli më i fituar dhe është pikërisht alfabeti i sotëm i gjuhës shqipe.
Arkeologu elbasanas Hasan Ceka në librin e tij “Në kërkim të Historisë Ilire” shprehet se “përdorimi i emrave me alfabetin grek vazhdoi në vendin tonë si gjatë pushtimit romak ashtu dhe në Mesjetë duke u shtrirë deri në të kaluarën e afërme, në kohën para shpalljes së pavarësisë”. Në kohën e sundimit turk të gjitha dokumentat tona të shkruara private apo zyrtare, dukë përfshirë mbishkrimet përkujtimore dhe ato të skalitura në gurët e varreve, hartoheshin në Turqisht ose Greqisht. Edhe ndër emrat e personave rrallë takoheshin emra shqip si Hekuran, Rrap, Shegë ose Shpend. Në shumicën e tyre dërrmuese këta ishin Arabisht apo Greqisht, megjithëse banorët nuk ishin as Turq e as Grekë por Shqiptarë, gjyshërit e prindërit tanë.
Marrë nga monografia “Prof. Kostaq Cipo”
Robert Cipo
Tiranë, 2003