//

Prof. as. Dr. Astrit Bishqemi

Astrit Bishqemi është pa asnjë dyshim shembëlltyra më pozitive e qytetarisë elbasanase. Shkrimtari brilant i letërsisë për fëmijë, ndonëse me profesion mësues. I thjeshtë dhe pa lavde, ai qendron larg kamerave dhe tubimeve me duartrokitje hipokrite pafund, sepse puna e tij krijuese, matet vetëm me librat e botuar, aq shumë të kërkuar nga fëmijët.

1081 pamje
5 minuta lexim
astrit_bishqemi

“Mësues i Merituar” dhe “Profesor i Asociuar”

(Lindi më 18 Korrik 1943 në Elbasan – aktualisht në pension)

Astrit Bishqemi është pa asnjë dyshim shembëlltyra më pozitive e qytetarisë elbasanase. Shkrimtari brilant i letërsisë për fëmijë, ndonëse me profesion mësues. I thjeshtë dhe pa lavde, ai qendron larg kamerave dhe tubimeve me duartrokitje hipokrite pafund, sepse puna e tij krijuese, matet vetëm me librat e botuar, aq shumë të kërkuar nga fëmijët.

E nisi profesionin e dashur të mësuesit shumë herët. Për shkak të nevojave të ngutshme të arsimit të kohës, u rreshtua ndër arsimtarët elbasanas që në moshë të pabesueshme, vetëm 13 vjeç. Me kalimin e viteve, kreu shkollën e mesme Pedagogjike në Elbasan dhe më pas Institutin në Shkodër, dega Matematikë – Fizikë. Mirëpo atë e tërhiqte letërsia, veçanërisht letërsia për fëmijë, ndaj kreu edhe studimet e larta për gjuhë – letërsi, në qytetin e lindjes Elbasan.

astrit_bishqemi
Astrit Bishqemi

Astrit Bishqemi punoi mësues për shumë vite në Dumre, Librazhd, Peqin, Elbasan dhe, që nga viti 1981 ishte pedagog (i jashtëm e më pas efektiv) në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Shkrimtar i letërsisë për fëmijë, që në fondin e tij krijues ka me dhjetra tregime, romane, novela, përkthime, skenarë për filma, si dhe autor e bashkautor i teksteve mësimore të letërsisë për fëmijë etj.

Por, vepra më monumentale e tij është padyshim “Teoria dhe historia e letërsisë për fëmijë e të rinj”, në të cilën janë përfshirë (aq sa mundej të gjendeshin) të gjithë shkrimtarët shqiptarë, që janë marrë me këtë letërsi, si: autori, koha kur u shkrua, botimi, tematika etj. etj.

Përgjithësisht, vepra të tilla kryhen nga një grup studiuesish dhe akademikësh, të shoqëruar me fonde të majme. E pra, Astrit Bishqemi e ka realizuar i vetëm, me ngulm, për vite e vite me rradhë dhe pa asnjë mbështetje financiare nga ndonjë ent shtetëror apo privat.

  • Histori e letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj [Botimi i katërt i tekstit të 2001-shit, por i zgjeruar: i rishikuar e i pasuruar rishtazi] – ShBLSh e RE, Tiranë 2014 etj. (Wikipedia)

Tashmë, çdo studiues vendas apo i huaj që interesohet për letërsinë shqipe për fëmijë, me këtë botim ka një qasje dinjitoze për këtë letërsi.

Shkurtimisht, ky është bashkëqytetari ynë i vyer, Astrit Bishqemi. Për të kanë botuar edhe 2 libra: “Astrit Bishqemi – Krijues dhe studiues i shquar i letërsisë për fëmijë e të rinj” nga Dr. Rudina Alimerko (Vlorë), si edhe “Talent dhe përvojë krijuese e shkencore – Vështrim analitik e sintetik i Astrit Bishqemit në veprën “Vlera të anatemuara”. Faik Shkodra (Prishtinë).

Ndërkohë, çuditërisht në Elbasan është heshtje e përgjithëshme për këtë autor.

*** Ndoshta, ka vend ajo shprehja: Njerëzit që i meritojnë dekoratat nuk i kërkojnë, ndërsa ata që i kërkojnë nuk i meritojnë.

b_dylgjeri

Bukurosh Dylgjeri

Elbasan, Mars 2021

RSS
Ndiq me Email
Share