Onufri është ikonografi mesjetar shqiptar më i famshëm që njohim deri më sot. Ai është autor i shumë afreskeve dhe ikonave të mahnitëshme nga pikëpamja artistike dhe, ka pikturuar portrete shenjtësh në kishat e Shelcanit (Shën Kolli) e të Valshit (Shën e Premte) në Shpat, si dhe në Berat, Kostur (Greqi) dhe në Slepçë (Maqedoni).
Onufri ishte piktor i kishave të thjeshta në zonat e thella malore. Ai ishte një revolucionar i këtij arti sepse u shkëput nga tradita e pikturimit të shenjtëve me fytyra të zbehta dhe vështrime abstrakte, por u dha atyre elementë jetësorë dhe karakter popullor përplot gjallëri.
Onufri ishte piktori i parë mesjetar shqiptar që futi elementë etnografikë në pikturat e tij. Nuk mungojnë në pikturat e Onufrit as njerëzit e thjeshtë nga jeta reale, si fshatarë dhe barinj me kërraba dhe qeleshet e tyre karakteristike, nga ambientet e Shqipërisë së Mesme.
Në sipërfaqet e shtangura dhe hermetike të kishave, pikturat e Onufrit rrezatojnë dinamizëm, gjallëri. Shenjtët për të janë karaktere të individualizuar dhe sugjestionues dhe jo asketë të drobitur nga agjërimet e pa fund dhe meditimet raskapitëse.
Madhështia e Onufrit piktor lidhet edhe me faktin se ai nuk u çorientua në artin e tij, si shumë piktorë të tjerë mesjetarë, pas rënjes së Perandorisë Bizantine në vitin 1453. Për Onufrin nuk dihet saktësisht se ku dhe kur ka lindur dhe as se ku u formua si artist.
Në shënimet që ai ka lënë për veten e tij në kishën e “Shën Kollit” në Shelcan, thotë për vetveten: “O meshtar i Perëndisë, kur të ngresh duart e tua nga Perëndia, më përmend edhe mua mëkatarin dhe të paditurin piktor Onufri”. Ndërsa në kishën “Shën e Premte” të Valshit shkruan për veten: “Prift e kryeprift, protopapë i Neokastrës-Elbasanit”. Ky shënim i fundit të bën të mendosh se Onufri ishte nga Elbasani. Në mbishkrimet e tij të shumta të Shpatit, Onufri ka lënë edhe një tjetër shënim ku thuhet: “Ju të Neokastrës të gjithë sa jini, lutuni….” e cila mund të interpretohet se ai nuk ishte nga Elbasani. Të dhënat e pasakta të origjinës së tij shpesh kanë krijuar situata qesharake midis elbasanasve dhe beratasve për ta përvetësuar këtë gjeni të pikturës bizantine shqiptare. (Mbishkrimi i tij në kishën e Valshit ka edhe vlera historike pasi për herë të parë të krishterët vendas në vitin 1554 përdorin me shkrim fjalën Elbasan, krahas termit grek Neokastër, për qytetin e rindërtuar nga osmanët).
Emrin Onufër e ka marrë nga një shenjt me origjinë të lashtë Lindore, shenjti Nofir nga Egjypti, një eremit i shek. IV. Më fjalën Nofir, egjyptianët e lashtë nënkuptonin të bukurën, të dobishmen dhe të përsosurën. Emrin e këtij eremiti, kisha lindore e feston më datë 12 Qershor të çdo viti. Po të kemi parasysh se të krishterët u venë fëmijëve të tyre emrat e shenjtëve të muajit kur kanë lindur ose muajit paraardhës, mund të themi se Onufri ka lindur në muajin Maj ose Qershor. Ndërsa për vitin e lindjes nuk ka asnjë të dhënë përafruese.
Nga analiza që i bëhet veprës së Onufrit, mendohet se fillesat e tij ai i ka pasur në kishat e Beratit, për të vijuar në Kostur dhe më pas në Elbasan ku qëndroi gjatë. Në Berat ai shkëlqeu me pikturën murale dhe të kavaletit, sidomos në manastirin e Vangjelistrës dhe kishën e Shën Todrit me 8 afreske.
Ndryshe nga tradita e mëparshme me pikturën e zymtë kishtare, Onufri i dha ngazëllim dhe jetë reale pikturave të tij dhe e pasuroi ikonostasin me ikona të pikturuara me ngjyra të forta. Ngjyra e kuqe është për të më e preferuara dhe ende sot quhet “e kuqja e veçantë dhe e paimitueshme e Onufrit”. Mendohet se për të përftuar këtë nuancë, piktori i madh ka përdorur rrënjët e një bime të cilën në Myzeqe e quajnë rojbëz, e përpunuar në uthull të shuar, kurse për të zezën është përdorur druri i frashërit.
Më 23 Korrik 1547 ai përfundoi pikturën në kishën e Kosturit, i cili në atë kohë ishte një qytet me shumicë shqiptare. Kjo kishë ruan 31 afreske. Gjatë lëvizjeve të tij për në Kostur, Onufri kalonte nëpër qytetin e Ohrit dhe atje u njoh me kishën e Joan Theologut, pranë fshatit të vogël Slepçë (Maqedonia e sotme). Atje mendohet se ka pikturuar dy ikona dhe dy kryqe me Krishtin të kryqëzuar.
Onufri ishte një piktor mjeshtër i nivelit kombëtar dhe ndoshta në krejt Ballkanin.
Literaturë: Studime Historike 2, 1980, fq. 151, Dhorka Dhamo
Mblodhi: B. Dylgjeri, Elbasan, Korrik 2014
Bukurosh Dylgjeri
Elbasan, Janar 2021