////

Në Përkujtim të 111-Vjetorit të Normales së Elbasanit

Për kushtet ku ndodhej Shqipëria e kohës, u vlerësua mjaft çelja e një shkolle të mesme që do të përgatiste mësuesit e parë shqiptarë, të cilët pothuajse mungonin fare. Në atë Kongres u vendos që do të jetë Elbasani qyteti i cili do të ketë këtë shkollë.

1460 pamje
9 minuta lexim

Përgatitjet për Normalen

Pas vitit 1900, Perandoria Osmane e gërryer nga dekadenca e brendshme dhe nën presionin e sulmeve ushtarake nga jashtë prej Fuqive Europiane, si dhe nga kryengritjet e vazhdueshme të popujve të pushtuar, u shtrëngua të bëjë disa ndryshime kushtetuese. Kështu, drejtuesit e Portës, xhonturqit, më 24 korrik 1908 miratuan Kushtetutën e re e njohur me emrin “Hürriyet” (Liri) që, ndër të tjera, i njihte disa të drejta popujve që kishte nën sundim, veçanërisht të drejtën e kulturës dhe arsimimit në gjuhët amtare.Këtë liri të përkohëshme e shfrytëzuan menjëherë edhe patriotët shqiptarë, të cilët nxituan të organizonin punën në mënyrë të bashkërenduar, krijimin e çetave të armatosura dhe hapjen e shkollave të para shqipe.

Në datat 14 – 22 nëntor 1908 u mbajt në Manastir, Kongresi i Alfabetit Shqip, që njësoi përfundimisht alfabetin latin të cilin e kemi sot.

Në përputhje të plotë me detyrat që u ngritën në Kongresin e Manastirit, në datat 2 deri 9 shtator 1909, në shkollën greke të Kalasë u mbajt Kongresi i Elbasanit, ku u morën vendime të rëndësishme në lidhje me sistemin e shkollimit shqip, hartimin e programeve unike, braktisjen nga nxënësit shqiptarë të shkollave të huaja greke e turke, përzgjedhjen e dialektit të Elbasanit si modeli standard i shqipes, dhe themelimin e një shkolle Normale laike. Kjo shkollë u çel vetëm tri muaj më vonë, në 1 dhjetor 1909.

Për kushtet ku ndodhej Shqipëria e kohës, u vlerësua mjaft çelja e një shkolle të mesme që do të përgatiste mësuesit e parë shqiptarë, të cilët pothuajse mungonin fare. Në atë Kongres u vendos që do të jetë Elbasani qyteti i cili do të ketë këtë shkollë. Për vetë rëndësinë që kishte shkolla Normale si e para e llojit të tillë në Shqipëri, u tregua kujdes i madh në përgatitjen dhe plotësimin e kushteve për mbarëvajtjen e mësimit. Rol të rëndësishëm në këto përgatitje ka Shoqëria “Përparimi” në Korçë e cila mori përsipër mbulimin financiar për lokalin dhe pajisje e mjete shkollore. Lokali u zgjodh e u muar me qira shtëpia e Hysni bej Zylfit që ndodhej në Fushën e Kazazit (sot në veri-perëndim të parkut “Rinia”).

Mbështetje të përgjithëshme financiare por dhe me dërgesa nxënësish dhanë edhe Hasan bej Prishtina, Nexhip bej Draga etj nga Vilajeti i Kosovës. Ndërsa ishin klubet “Bashkimi”, “Vllaznia” dhe “Afërdita” në Elbasan që u përgjigjën menjëherë në mbështetje të Normales. Në këto klube bënin pjesë atdhtarë dhe intelektualë elbasanas të mirënjohur për veprimtarinë e tyre.

Këshilli Mbikqyrës

Në funksion të Normales dhe për bashkërendimin e punëve me shoqërinë “Përparimi” të Korçës, në Elbasan u ngrit një “Pleqësi kujdestare” ose “Këshilli Mbikqyrës” me kryetar Dervish bej Biçaku dhe anëtarë: Lef Nosi, Emin Haxhiademi, Dhimitër Buda, Hysen Ceka, Ahmet Dakli, Petër Biba e Dhimitër Paparisto.

Ky Këshill, nëpërmjet gazetave të kohës dhe telegrameve të shumtë, njoftoi intelektualë dhe njerëz të shkolluar për të ardhur në Elbasan që të bëheshin mësuesit e parë të Normales. U njoftuan: Luigj Gurakuqi nga Shkodra, Aleksandër Xhuvani nga Elbasani, Sotir Peci nga Korça, Hafyz Ibrahim Dalliu nga Tirana, Hafyz Ali Korça, Bajo Topulli nga Gjirokastra etj. Për shkaqe të ndryshme Bajo Topulli dhe Hafyz Ali Korça nuk mundën të vijnë.

Meqenëse dy anëtarë të “Këshillit Mbikqyrës” të Normales, Petër Dodbiba dhe Dhimitër Paparisto, u zgjodhën mësues në këtë shkollë, ata dhanë dorëheqjen nga Këshilli. Në këto kushte “Këshilli Mbikqyrës” iu drejtua Pleqësive të klubeve të Elbasanit për t’i zëvendësuar ata me persona të tjerë, e ku klubi “Vllaznia”, zgjodhi Ali Çiften për anëtar të “Këshillit Mbikqyrës”.Këshilli i parë i mësonjësve. (Këshilli Pedagogjik)Në Këshillin e mësonjësve bënin pjesë Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Sotir Peci, Petër Dodbiba, Dhimitër Paparisto, Hasan Mezja, Simon Shuteriqi, Hafyz Ibrahim Dalliu.Zgjedhja e drejtorit të parë të Normales.

Ja çfarë thuhet për këtë ngjarje në librin *Shkolla Normale e Elbasanit*, fq. 251, Tiranë 2004, autor Prof. Dr. Hysni Myzyri, shtypshkronja “Urtësia Bektashiane”: “….Lidhur me drejtorin e Shkollës Normale, Aleksandër Xhuvani në një letër personale të dhjetorit 1909 bën këtë sqarim: *Drejtor sivjet nuk u gjet. Shoqnia “Përparimi” e Korçës i çoi telegraf Bajo Topullit për këtë punë, po Bajua gjet shkajk e tha qi nuk munt të vinjë se do të vete në Vjenë për një operacione qi do të bajë. Andaj ne mësonjësit me gjithë Ibrahim efendi Tiranën (Dalliu) zgjodhëm Gurakuqin, jo si drejtor, po si Kyetar të Këshillës së Mësonjëvet, se Peci (Sotir Peci) nuk deshi t’a marri këtë barrë*.………Sipas Hafyz Ibrahim Dalliut, edhe Hafyz Ali Korça ishte ftuar për t’u bërë drejtor i Normales, por nuk kishte pranuar për shkak të ndjekjeve që i bënin xhonturqit….”.

Elbasan, Gusht 2016

Bukurosh Dylgjeri

RSS
Ndiq me Email
Share