//

Meditim

Një herë në muaj, sidomos në pranverë dhe verë, babai im bashkë me 7-8 shokë dhe kolegë zanatçinj, organizonin piknik/teferiç. Merrnin me vete ushqim, pije, duhan dhe, i hipnin autobusit. Preferonin vende ku kishte, burim uji dhe linjë autobusi. Unë, i pranishëm për çdo herë. Po kështu, edhe disa nga miqtë e tij, merrnin ndonjë djalë me vete.Ata uleshin në formë rrethi në vendin e caktuar, përshëndeteshin vetëm me dorën e djathtë në zemër, dhe shkëmbenin kutitë e duhanit. Ndërkohë bënin pyetje të thjeshta me njëri-tjetrin mbi shëndetin, punën etj. Pa shumë fjalë dhe zhurma të kota, tepër seriozë, ata më ngjasonin si procesion murgjërish.

690 pamje
15 minuta lexim
Bukurosh Dylgjeri

Në këto ditë të trishta, mbushur me gjithfarë lajme e kundërlajme mbi koronavirusin, herë ngazëlluese dhe herë plot panik, m’u kujtua një ndodhi. Isha fare i ri dhe një ditë, teksa po kërkoja diçka në një sirtar të shtëpisë, gjeta katër fletore. Ishin të zverdhura nga koha, të vjetra, të holla. I hapa një e nga një dhe aty pashë që kishte vjersha me dorëshkrim. Nisa t’i lexoj me kureshtje, por edhe me vështirësi, sepse shkrimi i imët ma vështirësonte mjaft leximin, si dhe ndër vargjet e tyre, kishte mjaft huazime, që unë as i kuptoja. Meqenëse në shumë prej atyre strofave kishte përsëritje dhe rimë, mendja më shkoi rrufeshëm se duhej të ishin tekste këngësh. Dhe pyeta tim atë: “Këto janë këngë të Isuf Myzyrit?”. “Jo, mor’ bir! Âsht i vonë Isuf Myzyri. Ato janë kângë të Grykës së Zaranikës”!!!, ishte përgjigja. Shtanga, sepse në atë moshë, njohuritë e mia ishin të cunguara, si dhe nuk kisha dëgjuar që në atë zonë të këndohen këngë. (?!) Ishin këngë të vjetra, të cilat im atë i kishte mbajtur shënim vetë, i kishte shkruar në ato fletore. Babai im këndonte… këndonte shumë bukur (them unë). Në raste gëzimesh familjare apo të fisit, ai ia merrte këngës. Kryesisht, ishin këngë qytetare elbasanase. Ëmbël, ngadalë dhe shtruar, ai e fillonte këngën, pasi “ishte ngrohur fyti” me pak raki e me një meze të thjeshtë.

Një herë në muaj, sidomos në pranverë dhe verë, babai im bashkë me 7-8 shokë dhe kolegë zanatçinj, organizonin piknik/teferiç. Merrnin me vete ushqim, pije, duhan dhe, i hipnin autobusit. Preferonin vende ku kishte, burim uji dhe linjë autobusi. Unë, i pranishëm për çdo herë. Po kështu, edhe disa nga miqtë e tij, merrnin ndonjë djalë me vete.Ata uleshin në formë rrethi në vendin e caktuar, përshëndeteshin vetëm me dorën e djathtë në zemër, dhe shkëmbenin kutitë e duhanit. Ndërkohë bënin pyetje të thjeshta me njëri-tjetrin mbi shëndetin, punën etj. Pa shumë fjalë dhe zhurma të kota, tepër seriozë, ata më ngjasonin si procesion murgjërish. Pastaj, hapnin trastat me ushqime e pije dhe, kthenin ndonjë gotë. Bisedat e tyre vërtiteshin për këngëtarë të vjetër, ngjarje apo personazhe të përmendur në këngë, kujtonin autorë të harruar këngësh shumë të vjetra, plotësonin shoqi-shoqin për fraza apo pjesë teksti të këngëve…. Ata përgatiteshin shpirtërisht për të kënduar. Dikush e fillonte si me pahir dhe si me drojë. Niste kënga. Të gjithë përfshiheshin duke kënduar dhe në disa raste edhe duet. Unë u befasoja, kënaqesha dhe, përpiqesha të kapja fjalët e tyre. Sa bukur këndonin … !

Nuk ishin këngëtarë të mirëfilltë dhe nuk kishin instrumente muzikore, por kur i dëgjoja ata duke kënduar, mua më zbukurohej dita. Sa mall kam!

Pas çdo kënge, pushonin pak, kthenin gotat e rakisë e bisedonin disa minuta. Dhe, ia fillonin një kënge tjetër. Vazhdonin kështu deri pasdite vonë, kur ishte orari i fundit i autobusit të kthimit. Para se të ngriheshin, po aty, linin datën e takimit të ardhshëm. Nëse nuk gaboj me kohën, pikniku i fundit i atij grupi të mrekullueshëm zejtarësh pasionantë të këngës qytetare elbasanase, ka qenë në vitin 1974 ose 1975, pranë Fabrikës së Çimentos, në Elbasan. Fatkeqsisht, me përjashtim të njërit prej tyre, të quajtur Stefan Shuteriqi, unë sot nuk i mbaj mend emrat e atyre burrave dinjitozë dhe këngëtarë të pashoq. Dhe, më besoni! Në Elbasan kishte edhe grupe të tjerë zanatçinjsh të cilët, pasi përmbushnin me korrektesë detyrimet e familjes dhe, sipas mundësive ekonomike të vështira të asaj kohe, organizonin piknikë dhe këndonin. Kënga ishte e pranishme, detyrimisht. Ishin zejtarë të nderuar të qytetit, si: rrobaqepës, këpucarë, bakërxhinj, kasapë, berberë etj. Ata ishin njerëz të mrekullueshëm… Ata e programonin, që një pjesë të kohës së tyre të lirë, ta kalonin me këngë dhe me miq. Ishte një kombinim i shkëlqyer: punë dhe argëtim.

Thua, se nuk kanë pasur halle, probleme, shqetësime? Po, kishin. Mundet më shumë se sot, sepse jeta është e njëjtë, por me të tilla festime, ata, veç haresë dhe gëzimit, rregullonin ekuilibrat shpirtërorë. Ata kishin zgjedhur të jetonin normalisht. Së fundi, marr vesh, që zëri i babait është edhe regjistruar nga studiues të folklorit. Vite më vonë, unë fillova të interesohem për ato organizime, festa, piknikë, personat pjesëmarrës, por koha bukur e gjatë nuk më ndihmoi. Nuk e di, mbase ata gjenden të zhytur thellë në skutat e kujtesës dhe, unë sot fatkeqsisht nuk i mbaj mend emrat e tyre. Sa keq! Madje, interesimeve të mia nuk i shpëtoi as e famshmja, Gryka e Zaranikës. Shpejt mësova se këngëtarë amatorë të kësaj zone, kanë kënduar këngë aq të vjetra, sa ishin të rrallë edhe në Elbasan, ata që mund t’ i dinin ato këngë. Midis emrave të tyre, më dalin përpara: Ali Shabani, Shyqyri Hidri, Lush Duka, Latif Pepa, Qani Hidri dhe Ymer Osmani nga fshati Bixëlle, Mexhit Filja, Zyber Tori dhe Hamit Alla nga fshati Mollagjesh, Veli Braneshi, Hasan Braneshi dhe Hysen Braneshi nga fshati Branesh, Dem Gava, Nezir Kullolli, Ismail Gava, Riza Kullolli dhe Qerim Meta nga fshati Létan, Din Hasa e Ramadan Hasa nga fshati Bashabun, si dhe Xhep Mullahu e Hamit Çehu nga fshati Rrilë. Ndoshta mund të kem harruar ndonjë. Me ndonjë përjashtim të rrallë, shumica prej tyre, tashmë kanë ndërruar jetë.

Sot, unë mundem të them, se ato këngë të vjetra ishin me frymëzim lirik dhe kompozicion pothuaj oriental. Shumica ishin këngë të tarikateve sufiste, si: ilahi, nefeze, gazele, peshrefe apo forma të tjera më të rralla. Madje, hamendësoj, se ky organizim – i teferiçit të kombinuar me këngë e shoqëri – ishte i vetmi element i mbijetuar zbehtë, i organizimeve të mëhershme esnafore, të cilët, prej kohësh ishin shuar në heshtje. Por, kënga më e pëlqyer e tim eti dhe që, ai e këndonte rrallë, në mjedise shumë të besuara ose me të afërm, titullohej “Ori flutur” dhe në subjekt kishte Kosovën e robëruar. Babai im e adhuronte Kosovën, sa njërën prej vajzave të tij, e quajti Kosova. Unë e kam dëgjuar vetëm nja dy-tre herë atë këngë, këngën e Kosovës. Ai e këndonte atë këngë rrallë, veçanërisht, me një grua të moshuar nga fisi i vet, me momë Dijen. Hedije Qatipi ose momë Dija, ishte e afërme e babait tim dhe, njëkohësisht, vjehrra e tezes sime. Momë Dija ishte një elbasanase e rrallë. Jo vetëm këndonte shumë bukur, por ajo kishte kujtesë fenomen dhe mbante mend shumë njerëz, ngjarje, histori, martesa e mort, që në Elbasan, kishin ndodhur vite e vite më parë. Ajo ishte si zyrë e gjendjes civile. Megjithëse e kaloi pjesën më të madhe të jetës në Tiranë, zemra e saj rrihte vetëm e vetëm për Elbasanin. Afro 45 vjet më parë, kur momë Dija vinte nga Tirana në Elbasan, drejtohej fillimisht te shtëpia ime dhe bashkë me tim atë, ulur pranë oxhakut, këndonin pas darke, me gota rakije përpara.

Unë isha shumë i ri, por nga ajo këngë, mbaja mend disa fjalë dhe fare pak melodinë. Më vonë, nisa ta kërkoj atë këngë, sepse nuk e di pse më tërhiqte aq shumë. Kam takuar dhe pyetur shumë muzikantë e këngëtarë popullorë, por askush nuk e kishte dëgjuar. Më vinte shumë inat që s’po mundja.Dhe një ditë, fati e solli që këtë këngë mua ma dhuroi miku im Behar Arllati dhe unë po e postoj me miratimin e tij.

https://voca.ro/74Oyml8ahlC

(Kënga këndohet nga këngëtari i njohur gjakovar Mazllom Mejzini, me grupin në përbërje: Mazllom Mejzini-Mandolë dhe këngëtar-Vokal; Rasim Cana-Mandolinë; Minib Bejtullahu-Mandolinë dhe vokal shoqërues; Nazmi Bejtullahu, Bardhosh Rudi-Kitarë dhe Esat Muhaxhiri-Ritëm çampare, i cili edhe e ka bërë regjstrimin e këngës. Pra, është formacion tërësisht gjakovar. Plotësoi: Behar Arllati)

(Falënderoj miqtë e mi, Sefedin Dika dhe Behar Arllati për ndihmën)

Bukurosh Dylgjeri

b_dylgjeri

Elbasan, 19 Mars 2020

RSS
Ndiq me Email
Share