Mirëpo, mjerisht këtë këngë të bukur unë e dëgjoj me disa tekste të ndryshme, ndonëse muzika është e njëjtë. Nuk e di cili tekst është i sakti prej tyre, sepse sot këngët qytetare të Shqipërisë së Mesme janë shndërruar në një çorbë të vërtetë, përsa u takon teksteve dhe krijuesve të tyre. Unë vetë, disa këngë tiranase, kavajse dhe beratase i kam ditur elbasanase, ndërkohë shumë këngë tonat i dëgjoj të jenë anasjelltas etj. etj. Sidoqoftë, më pëlqen që këngët të jenë të renditura sipas krijuesit dhe nuk e di nëse do të bëhet e mundur kjo ndonjë ditë, por besoj se diçka po bëhet.
Jo vetëm kaq, por p.sh. një këngë diku këndohet me tekst pjesërisht të ndryshuar, diku këndohet vetëm me pak strofa, diku mbase këndohet saktë, por nuk dihet se cila është.
Më vjen mirë që këndohen dhe ruhen këto këngë të traditës, të cilat janë jo veç pjesë e kulturës sonë shpirtërore, por edhe “ditar” i ngjarjeve historike.
Në këto tekste, shpesh gjejmë ngjarje dhe personazhe që nuk përmenden askund.
Unë e kam cekur më herët këngën e Ceno Kavajës, por nuk e di sa ia kam qëlluar. Në vargjet e kësaj kënge, ndër të tjera thuhet:
O mu atje o ke Zaranika
Po vjen asqeri besa me muzika (2)
O s’janë muzika po janë boria
Ceno Kavaja n’dor’ o s’po bika (2)
O hiqu Faje s’e kam o me ty
O m’qit Jakupin sa ta shof me sy (2)
O hiqu Faje se t’kam o vella
O m’qit Jakupin se s’e la o pa vra’. (2)
………………………………………………
Moj martin’ ta puthsha çarkun,
Pa m’dal’ xhani ma more hakun. (2) _____ siç këndohet në Elbasan
(Kup Çaushit ia more hakun) ______ këndohet sot. (?)
Po cilët janë personazhet e përmendur: Faja, Jakupi dhe Ceno Kavaja, që përmenden në këto rreshta?
Duhet sqaruar se ngjarja e përmendur në këtë këngë duhet të ketë ndodhur në vitet 1878 -1881, koha e Lidhjes së Prizrenit dhe Ceno Kavaja ishte komandanti ushtarak i Degës së Elbasanit të kësaj Lidhjeje. (Ndërsa kënga të jetë krijuar më pas).
Gjatë kësaj kohe, Ceno Kavaja ndeshet me armë me një repart ndëshkimor osman, pikërisht tek Ura e Zaranikës në Elbasan. Mendohet se Faja (?) të ketë qenë komandant vendas i atij reparti osman që përmendet në këtë këngë, pasi rezulton që Ceno Kavaja ta ketë njohur më parë atë.
Ndërsa, Kup Çaushi ishte bylykbashi vendas i trupave osmane në Elbasan, i cili në prill të vitit 1881 arrestoi Abdyl Bej Frashërin, e shpallur në kërkim nga autoritetet osmane, si një nga drejtuesit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Dega e Elbasanit të Lidhjes së Prizrenit e dënoi me vdekje Jakup Çaushin dhe sipas këngës që këndohet sot, hamendësohet sikur vrasjen e tij ta ketë kryer Ceno Kavaja … (Kup Çaushit ia more hakun – shih më lart).
Mirëpo unë kam mundur të gjej vargjet e një kënge tjetër të kënduar nga fshatarët e zonës; Bugjës, Topçias, Belik dhe Kryezjarrth (buzë lumit Shkumbin, ku u arrestua Abdyl Bej Frashëri), në të cilën thuhet:
“M’u ke muri ke Namazgjaja,
plasi pushka, u trondit kasabaja.
M’u ke muri ke dyqani,
plasi pushka, u trondit Elbasani.
Na qeka vra Jakup Çaushi,
nga dy trima shpatarake.
Çuni i Qoftes (Kamer Qoftja) shoq Jonuz Topuzin,
me mauzerka qëllun’ n’kasabá.
Kush e vrau bylykbashin,
Jonuz Topuzi trim i thatë.
…………………………… etj.
(dëshmi e të ndjerit Josif Dhimitër Panxhi, nga fshati Kryezjarrth)
Atëhere lind pyetja, Kup Çaushin e vrau Ceno Kavaja apo Jonuz Topuzi me Kamer Qoften, siç thuhet në këngën e dytë???
Në ndihmë na vjen një shënim i autorit elbasanas Xhaferr Belegu te libri i tij “Lidhja e Prizrenit”, në të cilin thuhet:
“Jakup Çaushin e murën muni (mëri) bejlerët për kët punë që bâni, si edhe për sjelljet e tij brutale dhe e vranë pas disa vjetsh me anë të Jonuz Topuzit nga Shpati, kur po dilte nji mëngjes nga shtëpia për me shkue në detyrë”. (Lidhja e Prizrenit, autor Xhaferr Belegu, qershuer 1939. Botim i “Kristo Luarasi”, fq. 189 – 190).
Pra, çështja nuk shtrohet se “hajt ç’u bë për një varg”, por në këtë rast kemi të bëjmë me tjetërsim të historisë vendore dhe personazheve të atyshëm.
Bukurosh Dylgjeri
Elbasan, Janar 2023