Mbetet padyshim një nga krijuesit më të veçantë të këngës qytetare elbasanase, jo vetëm për faktin se ai ishte analfabet dhe instrumentist njëkohësisht, por mendoj që ai është i vetmi krijues i tekstit, muzikës dhe interpretimit, sipas frymëzimit të tij me orientim sufi, çka do të thotë se në tekstet e tij kuptimet janë të dyfishta dhe secili nga ne e lexon sipas mendjes së tij. Ai mbetet i vetmi këngëtar-krijues dhe interpretues i këtij lloji.
Këngët e krijuara prej tij, shpesh u shmangen strukturave të thjeshta të përbëra nga dy strofa dhe një refren. Ai mbetet idealist. Ai i këndon dashurisë hyjnore, në të cilën njeriu “udhëton i kënaqur drejt Krijuesit për të përfituar lavdërime të shumta dhe vëmendjen e Tij”. Dukshëm tekstet dhe muzika e tij ishin të karakterit sufi, të ngjashme me traditën poetike dhe muzikore persiane, që ka të bëjë me misticizmin, ekstazën dhe meditimet. Ndoshta ky ishte ndikim tek ai nga poezia persiane, të cilën e mësonte nga baballarët e teqeve bektashiane që frekuentonte.
Duhet theksuar se në poezinë dhe muzikën sufiste, me dashuri nuk kuptohet dashuria tokësore, por ka të bëjë me atë që është tretur plotësisht në Burimin e të gjithë dashurisë, Të Vërtetën Hyjnore, El Hakk – Hakikat. Shumë e quajnë Zot.
Në këto tekste sufiste, njeriu udhëzohet të heqë dorë nga fama, arroganca, lavdërimi i të tjerëve dhe jeta materialiste, por të pastrohet, përsoset etj.
Përgjithësisht, dashuria për të cilën këndon Isuf Myzyri, megjithëse mund ta interpretojmë si tokësore, në fakt është një poezi hyjnore dashurie ose më mirë një vajtim për një “dashnor” të humbur dhe dëshirë për t’u bashkuar me Të. Secili nga ne mund ta interpretojë atë ashtu siç do, por gjithashtu mund t’i referohet dëshirës së Myzyrit për të qenë përsëri Një me Krijuesin.
Sidoqoftë, Myzyri u dha një karakter më vendas krijimeve të tij muzikore dhe e hapi gamën e krijimtarisë së tij, pa u përqendruar vetëm te dogma bektashiane mbi adhurimin e shenjtëve, si: imam Aliu dhe imam Hyseni.
Isuf Myzyri ishte “ditari ynë” muzikor, sepse ai – veç yshtjeve mistike – përfshiu në tekstet e këngëve të tij edhe ngjarje, histori, dashuri, personalitete nga Elbasani. Kjo e bën atë të admirueshëm ende sot.
Mirëpo sot ka raste që për muzikën, mjerisht vlen përcaktimi: “Edhe muzika, arti e letërsia – të cilat duhet të përfaqësojnë dhe frymëzojnë ndjenjat më fisnike dhe aspiratat më të larta, duhet të jenë burim ngushëllimi e qetësie për shpirtrat e trazuar – janë larguar nga rruga e drejtë dhe tani janë pasqyra e zemrave të ndotura të kësaj epoke të hutuar, joparimore dhe të çrregullt…” […]
***
“Sa inat qe nuk di me shkru’. Natën, para se me ra n’ngjumë, m’vijnë menime shumë t’bukra” – tha Myzyri.
Ia vlen ta kujtojmë që ai ishte edhe një njeri krenar, dinjitoz, epik, sepse kur deshën ta dekoronin para se të kalojë në amshim, u tha anëtarëve të komisionit që “nuk e dua dekoratën tuaj, sepse më latë tan’ jetën n’zindan (vuajtje)” dhe u largua në mënyrë demonstrative nga tubimi i rastit, tek ish-Shtëpia e Kulturës në Elbasan.
Bukurosh Dylgjeri
Elbasan, Shtator 2022