/

Hasan Ceka Themel-vënësi i Arkeologjisë Shqiptare – Nderojnë Elbasanin

Duke qenë në rolin e arkeologut të parë shqiptar Prof. Hasan Ceka, në vitin 1947 drejtoi ekspeditën e parë arkeologjike në Apoloni si edhe punën për krijimin e Muzeut Arkeologjik Etnografik në Tiranë.

1508 pamje
7 minuta lexim

Ka lindur në vitin 1900 në një familje me tradita patriotike. I ati i tij, Hysen Ceka, pati studiuar në Stamboll dhe i përkiste rrethit të Nairn Frashërit. Me t’u kthyer në atdhe, përpos veprimtarive të tjera atdhetare, ai themeloi shkolla shqipe në Elbasan, në Shpat e gjetkë.

Ndërsa i biri i tij Hasani nisi studimet në Vjenë së bashku me Aleks Budën, Eqerem Cabein, Hamdi Sulcebeun, Qemal Butkën, Frederik Shirokën etj., ku u dallua si një student i shkëlqyer.

Pas kthimit në Shqipëri, në vitin 1930, Hasan Ceka, punoi në Bibliotekën Kombëtare, ku krijoi edhe një koleksion arkeologjik, të cilin e trashëgon sot Biblioteka e Institutit të Arkeologjisë dhe përfaqësoi shtetin shqiptar pranë misioneve të huaja arkeologjike në Apoloni e Butrint.

Hasan Ceka

Duke qenë në rolin e arkeologut të parë shqiptar Prof. Hasan Ceka, në vitin 1947 drejtoi ekspeditën e parë arkeologjike në Apoloni si edhe punën për krijimin e Muzeut Arkeologjik Etnografik në Tiranë.

Pas disa ekspeditash informative në qendra të ndryshme arkeologjike, në vitin 1956 ai u kthye në Apoloni për t’i kushtuar këtij qyteti antik tërë veprimtarinë e tij kërkimore e studimore. Ai u bë një banor “i përhershëm” i Apolonisë ku gjatë muajve të verës punonte e jetonte së bashku me familjen. Bashkeshortja e tij ishte jo vetëm një nënë e përsosur e 4 fëmijëve, por edhe grua që i krijoi atij kushte për t’u marre gjithë kohën me punën kërkimore. Në këtë mjedis u rrit edhe Neritani, djali i vogel i familjes Ceka, i cili do të bëhej më vonë një arkeolog i shquar.

Gërmimet e filluara nga Prof. Hasan Ceka për zbulimin e murit rrethues të Apolonisë u zgjeruan dhe më tej në vitet 1958-60 nga misioni shqiptaro-sovjetik ku ai shquhet midis arkeologëve shqiptarë e sovjetikë si një nga specialistët më me përvoje në njohjen e kultures antike.

Hasan Cekës i takon merita e zbulimit të një kompleksi arkitektonik në afërsi të ndërtesës së Agonoteteve, e nimfeut të qytetit dhe e shumë veprave të tjera.

Prof. Hasan Ceka

Krahas gërmimeve në Apoloni Prof. Hasan Ceka tregon një kujdes të vecantë për grumbullimin dhe ruajtjen e trashëgimisë sonë monetare antike e mesjetare, duke arritur të krijojë kabinetin numizmatik me një fond shumë të pasur e cilësor. Ai nuk ishte një koleksionist i zakonshëm i monetave antike, por një specialist, studiues i mirëfillte i tyre, punë të cilën e kurorëzoi me veprën e tij të njohur “Probleme të Numizmatikës Ilire” të botuar më 1965 si dhe me përgatitjen e veprës tjeter “Monetat e Dyrrahut dhe Apollonisë”. Sot Prof. Hasan Ceka njihet gjerësisht në botën shkencore si specialist i numizmatikës ilire.

Prof. Hasan Ceka si njohës i mirë i greqishtes së vjetër e latinishtes u bë një nga bashkëautoret kryesorë në përkthimin dhe përgatitjen në shqip të vëllimit “Ilirët dhe Iliria tek Autorët Antikë”, botuar në Tiranë më 1965. Ai është autor i shumë artikujve, studimeve e kumtesave të botuara në revistat shkencore brenda e jashtë vendit.

Për t’u theksuar është edhe fakti se tematika e studimeve të tij nuk mbeti vetëm në fushën e kulturës antike. Ai ka shprehur mendime me shumë vlerë për probleme të historisë politike të ilirëve, për kulturën e hershme mesjetare shqiptare, bile edhe për probleme gjuhësore që lidhen me lokalizimin e disa qendrave antike ilire.

Këto studime janë përmbledhur e botuar në vëllimin “Në kërkim të historisë ilire”, Tiranë 1998.

Prof. Hasan Ceka, një nga themeluesit e arkeologjisë shqiptare shquhet edhe për figurën e tij humane. Me thjeshtesinë, sinqeritetin, korrektesën dhe përpikmërinë në jetën shoqërore dhe familjare, me qetësine dhe drejtësine në gjykimin e gjërave që e karakterizon do të mbetet një model për të gjithë brezat e arkeologëve shqiptarë.

Muzafer Korkuti

ILIRIA” Nr. 1-2, 1998

RSS
Ndiq me Email
Share