Të dhënat e para mbi strukturën gramatikore të gjuhës shqipërishte nisin që në gjysmën e parë të shekullit XVII, me një dorëshkrim mbetur anonim por që mendohet të jetë shkruar më 1710 nga një i quajtur Theodhor Bogomili (ribotuar kohët e fundit). Më 1716 u botua vepra “Vërejtje Gramatikore për Gjuhën Shqipe” nga F. Da Lece.
Në periudhën e parë të studimeve për gjuhën shqipërishte dhanë një ndihmesë mjaft dijetare arbëreshe të Italisë. Punime dhe shënime për strukturën gramatikore të shqipes ose gramatika të shqipes të botuara e të mbetura dorëshkrim gjejmë edhe te një varg studiuesish të huaj të kësaj periudhe.
Ndërsa në të dhënat e paraqitura nga FESH, rezulton se Gramatika e parë mendohet të jetë përgatitur më 1844 nga Naum Veqilharxhi me titullin: “Fort i shkurtër e i përdorshëm Evetar Shqip” plotesuar me copa leximi.
Veprimtaria kërkimore shkencore e gjuhëtareve të periudhës së Rilindjes Kombëtare nxorri në dritë vepra si ajo e Dh. Kamardes (1864).
Në fazën e mëvonshme dalin edhe vepra themelore mbi strukturën gramatikore të gjuhës shqipe hartuar e botuar nga gramatikanë shqiptarë si gramatikat e K. Kristoforidhit (1882), e S. Frasherit (1886), dhe e J. De Radës (1894), i cili kishte botuar edhe një gramatikë disa vjet më parë, më 1871. Disa vepra gramatikore nga autorë shqiptarë kanë mbetur doreshkrimë.
Studim më i thelluar i gramatikës së shqipes nga autorë shqiptarë nisin me Gj. Pekmezin (1908). Në këtë drejtim kontribut kanë dhënë dhe një varg dijetarësh të huaj si A. Dozoni (1879), G. Majer (1888) etj. kurse në Shek. XX mund të permendim N. Jokli, dhe G. Vajgandi (1913).
Pas shpalljes së Pavarësisë tekstet mësimore të gjuhës shqipe erdhën duke u shtuar. Në vitet 20-40 u botuan Gramatika mësimore nga Aleksandër Xhuvani (1919,1922,1933); I. D. Sheperi (1927) etj. Perpjekje të tilla u bënë edhe nga arbereshi M. La Piana. Vepra gramatikore u hartuan edhe nga J. Rrota (1942) dhe O. Myderrizi (1944).
Hartimi i një gramatike shkencore të plotë të gjuhës shqipe u realizua pas Luftës së Dytë Botërore. Puna nisi menjëherë në dy drejtime themelore: së pari në plotësimin e nevojave të shkollës me libra mësimore të gjuhës për të dy ciklet e shkollës, duke hartuar në të njëjtën kohë edhe tekstet e para gjuhësore të shkollës së lartë, dhe së dyti në organizimin e studimeve për kategori e probleme të ndryshme gjuhësore.
Një nga punët kryesore që desh të shohë Instituti i Shkencavet që nga dita e rimëkembjes së tij, ka qenë puna e gjuhës. Asembleja e Institutit që para vitit 1948 kish çfaqur mendimin që të vihej gjuha mbi baza të shëndosha. Por për të hedhur themelet e gjuhës duheshin bërë dy punë:
1. Përpilimin e një fjalori shqip për zyra e shkolla, dhe
2. Punimi e botimi i një gramatike të plotë – Fonetikë, Morfologji dhe Sintaksë, ku të pasqyrohej mundësisht tërë mekanizma e gjuhës. Ky mendim i bukur u pranua dhe u vu në plan të parë.
Për fjalorin u ngarkuan katër punonjës nën drejtimin e Prof. K.Cipos. Për punimin e gramatikës e të sintaksës u ngarkua Prof. K Cipo.
Në këtë kohë u botua për herë të parë një Fonetikë dhe Gramatikë e plotë e shqipërishtes së sotme me karakter shkencor nga Prof. KOSTAQ CIPO (“Gramatika Shqipe” 1949 dhe “Sintaksa” 1952.) F.E.SH. – 1985
“Në historinë e arsimit dhe sidomos të kulturës gjuhësore, Prof. K. Cipo la gjurmë me studimet e tij me vlerë, sidomos në çështjet e drejtshkrimit, të fjalëformimit, në hartimin e “Fjalorit të Gjuhës Shqipe”(1954) dhe si kryetar i Komisionit të Ortografise së Gjuhës Shqipe (1951).
Veprat e tij shquhen për qartësi të shprehuri, për origjinalitet në formulimin e rregullave dhe në zgjedhjen e shembujve. Ato u përdorën për shumë vite edhe si tekste mësimore në shkollat tona dhe ndihmuan në ngritjen e nivelit të pervehtësimit të gjuhës letrare nga nxënësit.
Prof. Cipo hartoi një varg tekstesh shkollore për nxënësit dhe studentët si:
“Morfologjia Historike e Shqipes” (1947)
“Fonetika” (1947)
“Gramatika e Gjuhës Shqipe për Shkollat Shtatëvjeçare” (1948)
“Gramatika Shqipe” (1949)
“Sintaksa” (1952)
“Fjalor i Gjuhës Shqipe” Kryetar Komisioni (1954)
“Kryetar i Komisionit të Ortografisë së Gjuhës Shqipe” (1951)
Nuk mund të lemë pa përmendur që kjo punë e vlefshme u vazhdua më tej me botimin e veprës “Fonetika dhe Gramatika e Gjuhës së Sotme Shqipe” në tri vëllime:
1. Fonetika
2. Morfologjia
3. Sintaksa
Vepra të hartuara në Institutin e Gjuhësisë e Letërsisë të Akademisë së Shkencave nga një grup autorësh nën drejtimin e Prof. M. Domi me anëtarë Prof. Sh. Demiraj, Prof. A. Dodi dhe Prof. A. Gjinari.
Robert Cipo