////

Gjuha Shqipe dhe Abetaret e saja (në Krahinën e Elbasanit)

Banorët e Elbasanit gjithnjë i ka karakterizuar dëshira e zjarrtë për arsim e kulturë. Veçanërisht e theksuar kjo në përpjekjet e vazhdueshme për të patur mundësi të shkruanin e lexonin gjuhën e tyre, pikërisht atë gjuhë që ata e përdornin si në familje ashtu dhe në shoqëri.

2221 pamje
21 minuta lexim
Kongresi Elbasanit

Banorët e Elbasanit gjithnjë i ka karakterizuar dëshira e zjarrtë për arsim e kulturë.  Veçanërisht e theksuar kjo në përpjekjet e vazhdueshme për të patur mundësi të shkruanin e lexonin gjuhën e tyre, pikërisht atë gjuhë që ata e përdornin si në familje ashtu dhe në shoqëri.

Tentativa të shumta u bënë nga individë e patriotë të veçantë të cilëve u dukej e pamundur që një popull me një traditë kaq të lashtë historike e kulturore, të shtrirë në një hapësire gjeografike të përcaktuar, që kishin nxjerrë nga gjiri i tyre njerëz të mëdhenj, luftëtarë të dëgjuar, njerëz të artit, madje edhe Papë që kishin lënë gjurmë nëpër  Evropë, të mos ishin në gjendje të shkruanin në gjuhën e vet.

Dëshira për të realizuar këtë ide vihet re që herët. Shqipja e shkruar dokumentohet që në shek. XIV me alfabet latin i cili u përdor dhe nga autorët e shek. XVI e XVII i plotësuar me 5 shkronja të veçanta për ato gërma që evropa perëndimore nuk i njihte. Po ky albabet, por i plotësuar edhe me ndonjë shkronjë greke u përdor edhe nga shkrimtarët arbëreshë. Gjuha shqipe u shkrua dhe me shkronja greke, për shkak të mundësisë për tu përdorur në librat e shenjtë në kishën ortodokse shqiptare.

Kristoforidhi

Me interesimin dhe dëshirën e mirë të shqiptarëve që ishin brumosur me kulturë islamike, u bënë tentativa nga fillimi i shek. XVIII për ta shkruar gjuhën shqipe duke përdorur edhe alfabetin turko-arab. Këto tentativa u mbështetën edhe nga disa qarqe xhonturke me qëllim mbajtjen e territorit shqiptar nën mvarësi të tyre.

Daut Borici

Daut  Boriçi

Këtu vlen të përmendet Daut Boriçi (1825-1896), figurë e shquar e Rilindjes Kombëtare, mësues, edukator, autor tekstesh shkollore, i cili botoi një abetare shqip me shkronja arabe ku mbizotëronte metoda rrokësore (silabike). Me këtë alfabet janë shkruar edhe krijimet letrare të atyre që u quajtën “bejtexhinj”.

Një rrugë tjetër që u ndoq ishte ajo e krijimit të alfabeteve të veçanta nga individë patriotë apo njerëz të shkolluar. Që nga shek. XVIII, ndoshta dhe më parë, kemi tentativa për ti dhënë shqiptarëve një alfabet që të kishin mundësi ta shkruanin e ta lexonin.

Anonimi

Është e kuptueshme që një person i tillë duhet të dilte vetëm nga ai vend apo krahinë a qytet ku arsimi e kultura ishin pjesë përbërëse e shumicës së banorëve, prandaj pas tentativës së parë në Shek. XVII, të atij që u quajt Anonim i Elbasanit ose Papa Totasi e që sipas kërkimeve të Prof. Dh. Shuteriqit mendohet se duhet të ketë qenë Theodhor Bogomili, orvatjen më të suksesshme e realizoi veçanërisht një nga këta kërkues, edhe ky elbasanas i quajtur Teodor Haxhi Filipi (Dhaskal Todri), i  cili do t’i hynte kësaj eksperience e që nuk reshti tërë jetën së menduari si ti jepte shqiptarëve një alfabet që të kishin mundësi të shpreheshin në gjuhën e tyre.

Vetë Dhaskal Todri mësimet e para i mori në shkollën greke të lagjes Kala, duke qenë një ndër nxënësit e parë që në hapjen e kësaj shkolle.

Shkolla greke në Elbasan

Për të mësuar se çfarë ishin këto shkolla në gjuhen greke që ishin hapur në Elbasan e në qytete të tjera në periudhën e sundimit të perandorise turke, duhet ti drejtohemi historisë. Më 1822 në Greqi shpërtheu kryengritja e popullit grek per t’u shkëputur nga sundimi turk.

Në mënyrë të veçantë kontribut dhanë shqiptaret autoktonë, banorë të viseve apo të krahines së Moresë (Çamerisë) që shtrihej që nga Peloponezi e në gjithë bregdetin perëndimor të detit Egje. Nën presionin e invazionit turk, gjatë shekujve në periudha të ndryshme, një pjesë e tyre u shpërngulën në mënyrë masive drejt Italisë së Jugut e të Siçilisë duke e prezantuar vehten si “arvaniti apo arbëresh”. Këta arbëreshë vazhduan të mbajnë të gjalla traditat, duke mbetur të lidhur shpirtërisht me fenë ortodokse e cila u bë pengesë shekullore që banorët arbëreshë të vendosur në Itali të mos asimiloheshin nga popullata katolike që i rrethonte.

Studiuesit arbëreshë me të cilët pata rastin të takohem e të shkëmbej mendime në lidhje me këtë problem, e konsideronin fenë ortrodokse si një faktor thelbësor që nuk e lejoi  këtë lloj asimilimi nga katolikët italianë. Drejtuesit e fesë katolike lokale, madje dhe vetë Vatikani bënë perpjekje të vazhdushme për të bindur këtë popullsi të përqafonte fenë Katolike, por më kot.

Ndërsa një pjesë tjetër e popullsisë shqiptare që ndodhej nën presionin e turqve për ti shpëtuar raprezaljeve e për të mbijetuar u kthyen në Myslimanë e që më vonë do të merrnin emrin Çam e territori ku ata banojnë do të quhej Çamëria. Kjo krahinë me vendim të Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1913 ju aneksua territorit grek. Më vonë banorët e saj do ti nënshtroheshin nje spastrimi etnik nga ana e qarqeve nacionaliste greke të cilet i dëbuan duke i larguar me forcë në drejtim të Shqipërisë, duke i mohuar në periudha të mëvonshme kthimin në tokat e tyre si dhe mohimin e pasurive të patundëshme.

Pasi arritën fitoren në këtë kryengritje, populli grek, me ndërhyrjen edhe të fuqive të mëdha si Franca, Anglia dhe Rusia, si dhe me traktatin e Adrianopojës me 1829 e detyruan Turqinë ta njohi Greqinë si krahinë autonome, ndërsa pavarësinë ja njohu më 1832. Njëkohesisht iu njoh e drejta e Greqisë për një protektorat shpirtëror mbi ortodoksët e perandorisë duke ju dhënë e drejta të hapi shkolla dhe të kryejë shërbimet fetare në gjuhën greke. Kështu që edhe në Elbasan filloi të funksionojë, këtë herë e lejuar, e para shkollë greke që më 1836.

Siç e përmendëm dhe më parë, Dhaskal Todri ishte një nga nxënësit e parë të kësaj shkolle dhe pas kësaj shkoi të vazhdojë studimet  në “Akademinë e Re” të Voskopojës, ku u gjet ndën ndikimin e iluminizmit europian.

Mbasi u kthye në Elbasan, u emërua dhaskal (mësues) po në shkollën greke të lagjes Kala. Dhaskal Todri i qëndroi besnik tërë jetën idesë së tij për ti dhënë bashkëqytetarëve të tij një alfabet për të patur këta mundësi të shkruanin e të lexonin. Per këtë shpiku ai vetë një alfabet me 52 shkronja, që siç thotë A. Xhuvani në një nga dorëshkrimet e tij, në një studim të tij mbi Todrin, ishte “më i ploti nga të gjithë alfabetet, ku për çdo tingull kishte nga një shkronjë”. Po me këtë alfabet ai përktheu dhe shkroi me dorën e tij “Liturgjinë e Shën-Gjon Gojartit” si dhe vepra të tjera kishtare, me qëllim që ceremonitë fetare të kryheshin në gjuhën shqip, por mjerisht këto dorëshkrime u dogjën si rezultat i shpifjeve të kishës greke se këto shkrime ishin bërë shkak për shfaqjen e kolerës në Elbasan më 1857. Siç shkruan Aleksandër Xhuvani, ky alfabet u përhap mjaft në Elbasan e në Berat. Por në kulmin e përpjekjeve të tij,  Dhaskal Todrin e vranë pabesisht forcat antishqiptare kur po sillte në Elbasan shkronjat metalike që do të shërbenin për shtypshkronjën që mendonte të hapte.

Kristoforidhi

Një tjetër elbasanas që vuri emër në historinë e gjuhësinë e Shqiperisë ishte dhe Kostandin Kristoforidhi, për të cilin Kostaq Cipo-ja ndjente një respekt të madh jo se e kishte elbasanas dhe nga lagjia Kala por sepse ishte një nga pionierët e futjes së gjuhës shqipe në letërsi duke u munduar tërë jetën për t’ja u mësuar atë shqiptarëve.

Duke lënë mënjane biografinë e tij që është mjaft e trazuar po mjaftohemi vetëm me atë çka shkruante vetë Kristoforidhi në relacionin dërguar “Shoqërisë Biblike” mbi gjendjen e shkollës dhe të arsimit. Ai shkruante se në Shqipëri “ka shkolla greke pothuajse në çdo qytet (ashtu siç ka dhe shkolla turke). Qytetarët e varfër i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat greke në mënyrë që të mësojnë shkrim e lexim në një gjuhë të huaj…..por panë se asnjë nga femijët nuk është i aftë të flasë apo të kuptojë greqishten, ndonëse atje mësojnë ta lexojnë.” Por këto shkolla u kthyen nga mësuesit patriotë ne vatra ku mësohej fshehurazi gjuha shqipe.

Një përkufizim të shkurtër mbi Kristoforidhin (në të vërtetë quhej Kostandin Nelko) na e paraqet Kostaq Cipo-ja  kur iu rekomandon studionjësve që në “Bibiliotekën e Puntorit Intelektual” duhet të vendosin Kostandin Kristoforidhin, ku “Fjalori i tij njëherë na duhet medoemos… është i vyer… është fruti i kaq e kaq mundimeve nëpër fush’ e male për të mbledhur fjalën nga goja e popullit me kujdes e shenjtëri. Duket i varfër, po sa fjalë, sa fraza fshihen nëpër ato fletë të paka.” “Gramatika e Gjuhes Shqipe”, “Gjaja e Malësorëve”, “Dhiata”, “Fjalët e Urta të Solomonit”, etj. na duhen domosdo se pa këto s’e kemi të gjithë Kostandin Nelkon. Proza e Kristoforidhit është e rrahur dhe e lidhur mire; shqip e ka theksën, shqip arkitekturën. Nuk mund të themi se di shqip një që s’ka kënduar (lexuar) prozën e Kristoforidhit… “

Për jetën e Kristoforidhit kemi një broshurë prej 29 faqesh, shkruar në Elbasan që më 1910 nga Simon Shuteriqi (profesor i nderuar i Normales së Elbasanit dhe i ati i shkrimtarit Dhimitër Shuteriqit) me titull “Jetë-shkrimi i Konstandin Kristoforidhit” botuar në gjuhën shqipe në Manastir më 1911.

Hasan Tahsini

Gjithashtu Kostantin Kristoforidhi dhe Hoxha Tahsini ishin ndër të parët mësues shëtitës të gjuhës shqipe të cilët pikërisht në verën e vjeshtën e vitit 1870 kaluan nëpër shumë qytete e fshatra të Shqiperisë së Mesme me trastë ne krah dhe me abetaren në dorë, për t’i mësuar popullit shkrim e këndim e për t’u shpërndare abetare të gjuhës shqipe.

Po kjo gjendje e turbullt në përcaktimin e alfabetit mori fund me Kongesin e Manastirit të vitit 1908, i cili mori vendimin për përdorimin e alfabetit të Stambollit si dhe të një alfabeti tjetër të përpunuar nga vetë Kongresi. Ky i dyti  doli më i fituar dhe është pikërisht alfabeti i sotëm i gjuhës shqipe.

Këtu e shohim të nevojshme të përmendim një shënim kuptimplotë që na e ka paraqitur arkeollogu elbasanas Hasan Ceka në librin e tij “Në Kërkim të Historisë Ilire” dhe ku shprehet se “përdorimi i emrave me alfabetin grek vazhdoi në vendin tonë si gjatë pushtimit romak ashtu dhe në Mesjetë duke u shtrirë deri në të kaluarën e afërme, në kohën para shpalljes së pavarësisë.

Në kohën e sundimit turk, d.m.th. në periudhën para vitit 1912, të gjitha dokumentat tona të shkruara, si ato private apo zyrtare, duke përfshirë mbishkrimet përkujtimore dhe ato të skalitura në gurët e varreve, hartoheshin turqisht ose greqisht. Edhe ndër emrat e personave rrallë takoheshin emra shqip si Hekuran, Rrap, Shegë, Shpend, etj. Në shumicën e tyre dërrmuese këta ishin arabisht apo greqisht, megjithëse banorët nuk ishin as turq e as greke, por shqiptarë, gjyshërit e prindërit tanë.”

Marrë nga studimi i pabotuar i Robert Cipos “Elbasani në Shekuj” (2004)

RSS
Ndiq me Email
Share