//

“Gjahu i Malësorëvet” i Kostandin Kristoforidhit

Kostandin Kristoforidhi (1826-1895) ishte ndër figurat më të spikatura të shekullit nëntëmbëdhjetë për zhvillimin dhe afirmimin e gjuhës së shkruar shqipe. Njihen mirë ndihmesat e tij në fushën e leksikologjisë dhe të përkthimit.

2686 pamje
23 minuta lexim

… dhe përkthimi i tij gjermanisht nga Maksimilian Lamberci

Kostandin Kristoforidhi (1826-1895) ishte ndër figurat më të spikatura të shekullit nëntëmbëdhjetë për zhvillimin dhe afirmimin e gjuhës së shkruar shqipe. Njihen mirë ndihmesat e tij në fushën e leksikologjisë dhe të përkthimit. Por, për fat të keq, ai nuk ka lënë vepra të mirëfilltë letrare. Prapëseprapë kemi nga dora e tij nga viti 1884 një tekst i shkurtër Gjahu i Malësorëvet, i cili gabimisht merret shpesh për tregimin e parë e prozës artistike shqipe. Qoftë tregimi i parë apo jo, është një tekst mjaft i herët dhe interesant në hullinë e kulturës shqiptare të Rilindjes.

Lexuesi i cili merr në dorë këtë tekst dhe e lexon, habitet menjëherë dhe, të themi troç, zhgënjehet nga cilësia e dobtë e tij. Në krahasim, gati çdo nxënës dhjetëvjeçar në një shkollë të Elbasan sot e bën më mirë. A ishte mungesa e arsimit nga ana e Kristoforidhit? Me siguri që jo. A ishte mungesa e talentit letrar artistik? Nuk e besoj. Gjatë gjithë jetës së tij, Kristoforidhi është marrë intensivisht me punën e përkthimit, e cila presupozon zotërimin e artit të të shkruarit. Edhe prapë, kush e lexon Gjahun e Malësorëvet, që nuk është as prozë as dramë, mund të mendojë që ky tekst nuk ka vend fare në letërsinë shqiptare.

Na duket bindës interpretimi i Xhevat Lloshit në parathënien e tij të botimit të tekstit nga shtëpia botuese Onufri në vitin 19981. Aty del e qartë se i ashtuquajturi tregim është në fakt një sprovë për nxënësit e tij, një skeç i vogël dramatik që mund të shfaqet nga fëmijët në një klasë shkollore. Kristoforidhi, siç duket, e kishte shkruar në fillim në dialektin e Elbasanit, variant ky që u botua në revistën Tomorri të Elbasanit në vitin 1910, por që
mungon për fat të keq në botimin e Lloshit. Pastaj u hartua në një variant geg të Veriut, pak të ndryshëm, dhe në një variant tosk.

Ky tekst ka atëherë një interes gjuhësor dhe, sipas interpretimit të Lloshit, një farë interesi kulturor për simbolizmin kombëtar dhe fetar që përmban. Por si tekst letrar apo si tregim ai mbetet i dobtë. Pse u botua atëhere? Në fakt, Kristoforidhi nuk e botoi fare dhe me siguri nuk do ta kishte botuar kështu.

Pas vdekjes së autorit, dorëshkrime të mbetura dhe të pabotuara u blen nga Gjergj Qiriazi (1868-1912), i cili e dërgoi tregimin Faik bej Konicës (1875-1942). Ky i fundit e botoi në revistën e njohur Albania2 pas shpërnguljes në Londër në vitin 1902.

Më vonë, Gjahu i Malësorëvet është përkthyer gjermanisht nga albanologu
Maksimilian Lamberc (1882-1963), i cili e botoi tekstin në antologjinë e tij të shqipes të vitit 1948.

Kostandin Kristoforidhi

Maksimilian Lamberci ishte një filolog klasik dhe indoevropianist nga Vjena, i cili është marrë që herët edhe me albanologjinë. Gjatë viteve 1913 dhe 1914 ai kaloi disa javë në Kalabri për të njohur diakektet shqiptare të Italisë së Jugut. Në Vjenë në vitin 1913 ai hartoi, bashkë me Elbasanasin Gjergj Pekmezi (1872-1938), një libër mësimor për gjuhën shqipe
Lehr- und Lesebuch des Albanischen (Libër mësimor dhe i leximit të shqipes), në të cilin ai kishte përfshirë në gjuhën shqipe një tekst të vogël të Kristoforidhit me titullin Qeni3. Në vitin 1916, në mes të Luftës së Parë Botërore, Lamberci udhëtoi, me kërkesë të Komisionit Ballkanik të Akademisë së Shkencave të Austrisë, për në Shqipërine e Veriut dhe të Mesme për të kryer studime dialektologjike.

Pas këtij udhëtimi, ai kreu edhe shërbimin ushtarak në Shqipëri me trupat austro-ungareze, të cilat e kishin pushtuar Veriun e vendit. Në Shkodër, Lamberci ishte anëtar i redaksisë së revistës shqiptare Posta e Shcypniës4. Ishte gjithashtu i vetmi anëtar i huaj i Komisisë Letrare Shqipe, e cila është marrë me kodifikimin e një gjuhe letrare për përdorim zyrtar dhe për shkollat. Kuptohet që prej kësaj kohe është njohur mirë me veprat e Kristoforidhit. Në vitin 1916, Lamberci shkroi mbi Kristoforidhin në Buletinin e Akademisë Mbretërore të Shkencave të Austrisë:

“Soll ein bestimmter Dialekt Albaniens zur Schriftsprache erhoben werden, oder soll eine Mischsprache, die gegische und toskische Elemente vereinigt, die offizielle Amtsund Schulsprache werden? Im Sinne der zweiten Lösung der Alternative hat schon vor mehr als vierzig Jahren der um die albanische Sprachwissenschaft hochverdiente Konstantin Kristoforidis aus Elbasan gewirkt, der Verfasser einer albanischen Grammatik und eines erst nach seinem Tode gedruckten (1904) sehr wertvollen albanisch-griechischen Lexikons. Er übersetzte nämlich im Jahre 1872 das Neue Testament und die Psalmen in einen mittelalbanischen Dialekt, der seiner Heimatmundart, dem Elbasanischen, ganz nahe steht, aber, wenn auch seinem Wesen nach gegisch, doch in der Wortwahl und Flektion sowohl, wie in der Syntax stark vom Toskischen beeinflußt ist. Dieser von Kristoforidis geschaffenen und von ihm meisterhaft gehandhabten Kunstsprache blieb aus äußeren Gründen das weitere Vordringen versagt. Denn auf den katholischen Norden konnte die von der Britischen und Ausländischen Bibelgesellschaft übernommene Übersetzung keinen Einfluß ausüben, im orthodoxen Süden aber schuf Kristoforidis selbst eine Konkurrentin, indem er 1879 das Neue Testament auch in reines Toskisch übersetzte. Obwohl somit dieser erste Versuch eines Sprachmeisters, eine Gemeinsprache zu schaffen, gescheitert war, ruht die Frage nicht, sondern die gebildeten patriotischen Albaner rangen in Prosa und Poesie um dieses Lebensproblem ihres Volkes. Bald wurden die Zeitschriften ‘Albania’ in Brüssel und ‘Diturija’ in Saloniki die Organe, in denen geistige Führer wie Trank Spiro Beg, Lumo Skendo, Faik bey Konitza u.a. zu Worte kamen.”5

Maximilian Lambertz

(A të ngrihet një e folme e veçantë e Shqipërisë si gjuha e shkruar, apo të bëhët një gjuhë e përzier me elemente të toskërishtjes dhe të gegërishtjes, gjuha zyrtare dhe gjuha shkollore? Për zgjidhjen e dytë ka punuar para më shumë se dyzet viteve gjuhëtari shqiptar i merituar Kostandin Kristoforidhi nga Elbasani, i cili ishte autori i një gramatike shqipe dhe një fjalori shqip-greqisht shumë të vlefshëm, të botuar pas vdekjes së tij në vitin 1904. Në vitin 1872 ai ka përkthyer Dhjatën e Re dhe Psalmat në një dialekt të Shqipërisë së Mesme, i cili ishte shumë afër Elbasanishtjes, gjuhës së tij amtare. Në thelb ishte gegërisht, por në leksikë, në fleksion dhe në sintaksë ishte i ndikuar fort nga toskërishtja. Kjo gjuhë artificiale e krijuar nga Kristoforidhi dhe e përdorur nga ai në mënyrë mjeshtërore nuk pati jehonë për arsye jo-gjuhësore. Ky përkthim, i pranuar nga Shoqata Biblike Britanike dhe e Jashtme, nuk mund të ndikonte në Veriun katolik, kurse në Jugun orthodoks, Kristoforidi vetë kishte krijuar një konkurent me përkthimin e Dhjatës së Re toskërisht në vitin 1879. Me gjithë se përpjekja e parë nga një mjeshtri gjuhësor për të krijuar një gjuhë të përbashkët dështoi, çështja nuk u qetësua. Shqiptarë të shkolluar dhe atdhedashës u përpoqën në prozë dhe në poezi të zgjidhnin problemin jetësor të popullit të tyre. Pas pak, dolën organet e shtypit si revista Albania e Brukselit dhe Diturija e Selanikut për të dhënë fjalën udhëheqësve intelektualë siç janë Trank Spiro bej, Lumo Skendo dhe Faik bej Konica.)

Lamberci ishte marrë me letërsinë shqiptare që prej vitit 1922, së pari me letërsinë gojore dhe më vonë me letërsinë artistike. Në Shkodër ai kishte njohur personalisht shkrimtarë kryesorë të Shqipërise. Në vitin 1943 doli artikulli i tij Das Werden der albanischen Literatur (Qenia e letërsisë shqiptare), në të cilin Lamberci ia kushtoi dy faqe të tëra veprave të Kristoforidit. Për gjuhëtarin i madh elbasanas ai thotë ndër të tjera:


“Er wird zu einer tragenden Säule des albanischen Geisteslebens. Die beiden Motive der bisherigen literarischen Schaffens der Albaner zusammenfassend, das religiöse und das sprachliche Interesse in sich vereinigend, wird er zum Bibelübersetzer und Lexikographen… Infolge seiner Herkunft aus dem Zentralland Albaniens und dank seiner sprachlichen Begabung beherrschte er den gegischen wie den toskischen
Dialekt in gleicher Weise und konnte daher, was vor ihm und nach ihm keiner vermocht, beiden Teilen Albaniens eine Bibel und eine vorbildliche Sprache schenken.”

(Ai u bë një shtyllë kryesore të jetës intelektuale shqiptare. Ai i lidhi të dy motivat të letërsisë së deriatëhershme të shqiptarëve dhe, duke bashkuar interesin fetar me interesin gjuhësor, u bë përkthyesi i Biblës dhe leksikograf. Si pasojë e preardhjes së tij nga Shqipëria e Mesme dhe falë talentit të tij gjuhësor, ai zotëroi njësoj edhe dialektin geg edhe dialektin tosk dhe ishte në gjendje kështu të bënte atë që asnjeri para tij apo pas tij nuk ka mundur të bëjë, ai dhuroi të dy pjesëve të Shqipërisë një Bibël dhe një gjuhë të shkëlqyer shembullore.)

Lamberci botoi gjithashtu përkthime të shumta gjermanisht të letërsisë shqiptare, duke përfshirë edhe një përkthim të plotë të kryeveprës Lahuta e Malcis7 së Gjergj Fishtës. Mund të thuhet pa rezervë që tërë njohja publike e letërsisë shqiptare dhe të gjuhës shqipe në Gjermani deri në vitin 1960 vjen nga puna e Maksimilian Lamberc-it.

Vepra themelore e Lambercit për përhapjen e njohurive të letërsisë shqiptare dhe të gjuhës shqipe në botën gjermane ishte Albanisches Lesebuch, mit Einführung in die albanische Sprache (Libër leximi shqip me një hyrje në gjuhën shqipe), i botuar në dy vëllime në Lajpcig në vitin 1948. Vëllimi i parë është një antologji e pasur e letërsisë shqiptare shqip nga Buzuku deri në autorët bashkëkohosë, kurse vëllimi i dytë, dhe kjo është
mrekullia e vërtetë, është tërë antologjia në përkthimin gjerman. Në parathënien e librit, si vlerësim për letërsinë shqiptare, Lamberci thotë kështu:

“Die Albaner haben eine reiche Volkspoesie. Heldenlieder, Liebeslieder, Kinder- und Hochzeitslieder werden in allen Gegenden gesungen und sind in schönen Sammlungen der Welt vorgelegt. Auch die Märchen sind gesammelt. Die Kunstliteratur blüht. Die ältesten Texte religiösen Inhalts stammen aus dem 16 und 17 Jahrhundert. Wir versuchen, in diesem Buche einen Durchblick durch die albanische Kunstliteratur des letzten Jahrhunderts zu geben… Wir bringen von jedem Autor ein Stück oder mehrere mit Übersetzung.”

(Shqiptarët kanë një poezi popullore të pasur. Këngë kreshnikesh, këngë dashurie, këngë fëmijsh dhe të dasmës këndohen në çdo trevë dhe janë të paraqitura në përmbledhje të bukura të botës. Edhe përrallat janë të përmbledhura. Letërsia artistike po lulëzohet. Tekstet më të vjetra me përmbajtje fetare vijnë nga shekulli 16 dhe 17. Ne përpiqemi në këtë libër të japim në shikim mbi letërsinë artistike shqiptare të shekullit të kaluar… Ne sjellim nga çdo autor një tekst apo disa tekste me përkthim.)

Antologjia përfshin një panoramë të mrekullueshme autorësh: Gjon Buzuku, Pjetër Bogdani, Jul Variboba, Jeronim de Rada, Namik Ressuli, Spiro Kristo Dine, Cristina Gentile, Zef Skiroi, Anton Santori, Pashko Vasa, Anton Argondica, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Engjëll Radoja, Filip Shiroka, Ndoc Xanoni, Ndoc Nikaj, Kostandin Kristoforidhi, Stefan
Zurani, Mati Logoreci, A. Pashko Bardhi, Gjergj Fishta, Mihal Grameno, Asdreni, Shtjefën Gjeçovi, Faik Konica, Kristo Floqi, Luigj Gurakuqi, Fan Noli, Lumo Skendo, Aleksandër Xhuvani, Terenc Toçi, Gaetan Petrotta, Ali Asllani, Hilë Mosi, Vinçenc Prennushi, Kolë Kamsi, Marin Sirdani, Hafiz Ibrahimi, Foqion Postoli, Anton Harapi, Justin Rrota, Lazër Shantoja, Rosolin Petrotta, Karl Gurakuqi, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Et’hem
Haxhiademi, Sadik Bega, Branko Merxhani, Loni Logori, Anton Zako Çajupi, Ernest Koliqi, Luigi Lorecchio, Bernardin Palaj, Kristë Maloki, Zef Valentini, Hasan Ceka, Kostandin Çekrezi, Eqrem Çabej, Dhimitër Shutëriqi, Ibrahim Hasnaj, Ferit Vokopola, Ilo Mitko Qafëzezi, Skënder Luarasi, Nexhat Haki, Manush Peshkëpia, Shevqet Musaraj, Sotir Caci, Fulvio Cordignano, Andre Skanjeti, E. Giansanti, Musine Kokalari, Henrik Lacaj, Frano Alkaj, Spiro Konda, Antonin Fishta, Salih Vuçitërni, Jakob Marlekaj, Marian Prelaj,
Muhamet Bala, dhe Migjeni.

Siç e dimë, Lamberci ishte një admirues i madh i Kristoforidhit, dhe në këtë antologji ai boton prej tij tregimin Gjahu i Malësorëvet, Hieja e Tomorit, dhe e përkthen, bashkë me hyrjen e shkurtër të Konicës, me titullin Die Jagd der Bergbewohner, Die Gottheit vom Tomor. Përkthimi gjerman i Lambercit është besnik dhe jep plotësisht dhe në mënyrë të duhur gjithë atmosferën e origjinalit, me gjithë se, si tekst letrar, është po aq i dobtë se si në shqip.

Pyetja shtrohet atëhere pse Lamberci ka përkthyer dhe ka botuar pikërisht këtë tekst të Kristoforidhit. Po të kishte dashur një tekst gjuhësor për antologjinë, dhe ka shumë tekste të dialekteve të ndryshme në të, Lamberci do të kishte përdorur një përkthim nga Bibla, ndoshta si krahasim në të dy variantet. Ai vetë ishte jo vetëm dialektolog por edhe teolog. Por jo, për të prezantuar Kristoforidhin, ai preferoi këtë skeç, këtë pseudo-tregim pa vlerë letrare, që gjeti në revistën e Konicës. Kristoforidhi, nga ana e tij, me siguri do të ishte mërzitur shumë, po të dinte që u prezantua botës gjermane pikërisht me këtë tekst. Zgjedhja e çuditshme e Lamberc-it do të mbetët një mister.

Nga Robert Elsie

Botuar në / published in: Teuta Toska & Vjollca Asllani (ed.): Përmbledhje me studime për Konstandin Kristoforidhin. Materiale nga Konferenca Shkencore Ndërkombëtare ‘Konstandin Kristoforidhi, Figurë e Ndritur e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.’ Botim i Universitetit Aleksandër Xhuvani (Sejko, Elbasan 2002), p. 87-92.

RSS
Ndiq me Email
Share