//

GËZUAR DITËN E VERËS! BÂFSHIM GJAT’N E MOTIT!

Futet sheqeri në enën e bakrit dhe pas tij menjëherë futet tëlyni i shkrirë pak më parë në zjarr, por me temperaturë të vakët, pra jo i nxehtë. Fillon përzierja e kësaj mase, me lugë druri pa ndërprerje përreth 30 minuta, derisa masa e sheqerit dhe tëlynit në enën e bakrit të marrë formën e kremit.

3727 pamje
8 minuta lexim
ballokume

PËRGATITJA E BALLOKUMEVE

(Unë nuk ia them fare për të gatuar, por meqenëse prej shumë vitesh marr pjesë në përgatitjen e ballokumeve, po jua shpërndaj përvojën time për këtë ëmbëlsirë tradicionale)

Përbërësit:

  • 1 kg sheqer (jo i bluar)
  • 1 kg majë mielli misri (i bardhë ose i verdhë, sipas dëshirës)
  • 500 gr tëlyn (preferohet tëlyn dhije jo shumë i vjetër)
  • 7 kokrra vezë
  • ½ lëvozhgë veze e mbushur me finjë (nga hiri i zjarrit me dru ahu, ose e njëjta masë me qumësht)
    (përbërësit mund të shumëfishohen në mënyrë proporcionale sipas dëshirës)

Përgatitja:

Futet sheqeri në enën e bakrit dhe pas tij menjëherë futet tëlyni i shkrirë pak më parë në zjarr, por me temperaturë të vakët, pra jo i nxehtë. Fillon përzierja e kësaj mase, me lugë druri pa ndërprerje përreth 30 minuta, derisa masa e sheqerit dhe tëlynit në enën e bakrit të marrë formën e kremit. Kohëzgjatja e përzierjes ka të bëjë me tretjen sa më të mirë të sheqerit dhe tëlynit duke u fërkuar në muret e enës së bakrit. Kjo është e rëndësishme dhe veçanti e kësaj ëmbëlsire delikate në gatim.

Tenxhere bakri (e pa kallajisur), që përdoret për gatimin e ballokumeve në shtëpinë time. (ena është punuar nga mjeshtri kalajas, Petër Leka – i ndjeri).

Vijon me vezët:

  • Futet veza e parë, pa e ndërprerë përzierjen me lugë druri, derisa ajo të njëtrajtëzohet me masën e kremit. (Këshillohet që vezët fillimisht të thyhen e të futen më parë në një pjatë, për të evituar ndonjë vezë të prishur).
  • Pas 1 minute futet veza e dytë, pa e ndërprerë përzierjen me lugë druri, derisa ajo të tretet si veza e parë.
  • Pas 1 minute tjetër futet veza e tretë, pa e ndërprerë përzierjen me lugë druri, derisa edhe kjo të tretet si dy të parat.
  • Pas futjes së tre vezëve të para futet në masën që po përgatitet, ½ lëvozhge veze me finjën e përgatitur më pare (ose qumështi), pa e ndërprerë përzierjen me lugë druri.
  • Përzierja me me lugë druri vazhdon përreth 5 minuta.
  • Rifillon futja e vezës së katërt, pa e ndërprerë përzierjen me lugë druri, derisa ajo të tretet si të parat.
  • Pas 1 minute futet veza e pestë, pa e ndërprerë përzierjen me lugë druri, derisa ajo të tretet si të parat.
  • Pas 1minute futet veza e gjashtë, pa e ndërprerë përzierjen me lugë druri, derisa ajo të tretet si të parat.
  • Pas 1 minute futet veza e shtatë dhe e fundit, pa e ndërprerë përzierjen me lugë druri, derisa ajo të tretet si të parat.

Vijon përzierja me me lugë druri përreth 5 minuta. Pas kësaj, fillon futja e miellit të misrit me dorë (duke e përhapur miellin në të gjithë sipërfaqen e enës dhe jo në formë topi), pa e ndërprerë përzierjen me lugë druri në mënyrë që të njëtrajtëzohet shpërndarja e miellit në masën e kremit.

Vijon futja e miellit të misrit me dorë, me intervale çdo 4-5 minuta në mënyrë që të mos krijohen topa mielli brenda masës së kremit, pa e nderprerë përzierjen me lugë druri. Nga mielli i misrit hiqet një dorë dhe zëvendsohet me miell gruri. Kjo procedurë vazhdon derisa të mbarojë mielli.

*** Me masën e përftuar mund të bëhen 9-11 kokrra ballokume (sipas dëshirës për madhësinë e kokrrave), të cilat vendosen në tepsi, të barazlarguara nga njëra-tjetra, si dhe jo ngjitur me muret e tepsisë. Merret me dorë një masë nga ky brumë dhe pa e ngjeshur aspak nëpër duar, i jepet lehtë forma e duhur dhe vendoset në tepsinë që do dërgohet në furrë, e cila duhet të jetë e pudrosur lehtë vetëm me miell misri.

(Këshillohet që para se të dërgohen në furrë për t’u pjekur, merret në dorë pak brumë nga tenxherja ku po gatuhen ballokumet dhe bëhet një kokërr e vogël sa një grusht dhe piqet në një stufë elektrike me 170 -180ºC për 15-20 minuta (në stufën e shtëpisë). Nëse kjo kokërr hapet/ndehet shumë, tregon se masa kërkon edhe pak miell. Në të kundërt, nëse kokrra qëndron e rregullt, është tregues se masa është gati për t’u bërë kokrra dhe të shkojë në furrë.

I GJITHË PROCESI I PËRGATITJES SË BALLOKUMEVE ZGJAT 45 – 60 MINUTA. PJEKJA NË FURRË BËHET ME TEMPERATURË 185 gradë C, për 35 – 40 MINUTA (në furrat publike apo në furrat që prodhojnë bukë).

GËZUAR DITËN E VERËS!

Image 1 of 27

Postuar fillimisht në Mars 2015

b_dylgjeri

Bukurosh Dylgjeri

Elbasan, Mars 2021

RSS
Ndiq me Email
Share