/////

Familja e Mësuesve, e Përndjekur nga Turqit – Dhaskal Tod’hri

Nga dera e madhe e Tod’hrit kanë dalë dhjetëra mësues, të cilët kanë shërbyer për 246 vjet në arsim. Historia e plotë nga krijimi i alfabetit shqip me 52 gërma e deri tek vrasja e atdhetarit sepse po ndërtonte në Elbasan një shtypshkrojë shqipe.

1560 pamje
16 minuta lexim
dhaskal-todri

Nga dera e madhe e Tod’hrit kanë dalë dhjetëra mësues, të cilët kanë shërbyer për 246 vjet në arsim. Historia e plotë nga krijimi i alfabetit shqip me 52 gërma e deri tek vrasja e atdhetarit sepse po ndërtonte në Elbasan një shtypshkrojë shqipe.

Stërnipi i tij, Vilson Tod’hri, tregon për historikun e familjes dhe djegien e dokumenteve nga Kisha.

Kanë kaluar rreth tre shekuj nga koha kur Dhaskal Tod’hri i parë jepte mësim dhe aq më tepër kishte dëshirë që nxënësve të tij t’iu mësonte shqipen duke formuar edhe alfabetin e tij me 52 gërma. Tashmë Elbasani ka një Universitet të konsoliduar, me dhjetëra shkolla dhe një gjimnaz ndër më të mirët në vend me një traditë rreth 50- vjeçare që ruan emrin e tij. Lagjia Kala me rrugicat dhe shtëpitë karakteristike e përcjell atë dashuri për kulturën dhe identitetin e këtij qyteti që i shërbeu mjaft përhapjes së arsimit shqip brenda dhe jashtë kufijve të vendit.

E vetmja familje që ka mbiemrin Tod’hri jeton buzë murit të gurtë të Kalasë në fund të rrugicave me kalldrëm, që si një labirint gjarpërojnë mes shtëpive me porta të drunjta dhe historive shekullore të këtij qyteti. Vilson Tod’hri, një nga pasardhësit e mësuesit, tregon se nga të parët ka mësuar se prejardhja e kësaj familjeje është nga fshati Shijon. Ai ka bërë një jetë si të gjithë mësuesit elbasanas që shëtitën vendin për të dhënë mësim. Pothuajse e gjithë familja e tij është marrë me arsimin dhe me krenari mund të thotë se kanë shërbyer për 246 vjet në arsim duke e justifikuar më së miri emrin e Dhaskal Tod’hrit.

dhaskal-todri
Dhaskal Tod’hri

Vrasja

Vilsoni tregon se nga ato që kanë mësuar në familje stërgjyshi i tij është vrarë me urdhër të patriakanës greke për shkak të përpjekjeve të tij për ndërtimin e shtypshkronjës për të shtypur libra shqip. “Flitet se u vra ndërsa transportonte shtypshkronjën për në Elbasan në rrethinat e Manastirit, në Dhiavat të Resnjës. Vrasja mendohet të jetë akt i kishës greke e cila i kishte vënë nga pas agjentët e saj. Kisha nuk lejonte shkrimin e gjuhëve jo greke sidomos të shqipes. Por nuk mbaroi me kaq. Stërgjyshi u përndoq edhe pas vdekjes. Me urdhër të Patriakanës në vitin 1827, në kohën e murtajës, iu dogjën të gjitha dorëshkrimet. Ne dimë që ekzistojnë disa dorëshkrime të pakta të stërgjyshit të cilat aktualisht ndodhen në muze dhe arkiva. Megjithëse ka mbetur shumë pak nga ajo që ka shkruar dhe studiuar, emri i tij nderohet dhe respektohet në Elbasan dhe në të gjithë Shqipërinë”, rrëfen Vilson Tod’hri.

Vlerësime për Dhaskalin e Elbasanit

Prof. Kujtim Bevapi shprehet se Theodhor Haxhifilipi (Dhaskal Tod’hri) jetoi në kohën e formimit të dy pashallëqeve të mëdha, të pashallëkut të Bushatllinjve dhe atij të Ali Pashë Tepelenës. Ai ishte pjesëtar aktiv në qëndresën e ortodoksëve shqiptarë kundër kishës greke. Për herë të parë emrin e tij e takojmë në një shkrim në Greqisht në Kodikun e Argjendarëve më 1750. Më 1751 ai nënshkruan në greqisht emrin e tij Theodhor në një Kodik të Kishës Shën Maria në lagjen Kala. Më 1779 merr pjesë në një mbledhje në Voskopojë për pajtimin e peshkopëve të Durrësit, Gorës dhe Mokrës, të cilët ishin në mosmarrëveshje mes tyre. Ka një dokument pajtimi i nënshkruar nga ai, por jo si klerik. Figura e tij paraqet interes të veçantë në historinë e gjuhës dhe letërsisë shqipe jo vetëm si lërues por si pararendës i Rilindjes Kombëtare. Ai shkroi me alfabetin e tij, e cili ishte i përbërë nga 52 shkronja. Shkroi në elbasanishten e kohës, krijoi traditë të shkrimit të shqipes me alfabetin e tij i njohur që nga fundi i shek. XVIII deri në fillim të shek. XX. Dhaskali vazhdoi traditën e Papa Totasit, priftit shpatarak, duke u përpjekur të fusë shqipen në kishë dhe në shkollë. Sipas albanologut J.G. Von Hahn, Tod’hri kishte përkthyer në shqip Dhiatën si dhe shkrime fetare si “Meshën e Shën Jon Gojë artit”.

Shyqyri Demiri (Histori e shkurtër e trevës së Elbasanit)

Deri në vitin 1795 në Elbasan është shkruar me alfabetin e Dhaskal Tod’hrit që kishte 52 shkronja. Ky alfabet, sipas të dhënave historike, ka vazhduar deri në pjesën e parë të shekullin XIX. Më pas kanë qenë rilindasit dhe Kristoforidhi që zëvendësuan këtë alfabet. Për Tod’hrin thonë se ka dashur të ngrejë edhe një shtypshkronjë në Elbasan. Në radhorin familjar të Jakov Popës konstatohen disa shkrime kronologjike mbi trungun familjar e vendosur në lagjen Kala. Shkrimi ishte në shqip me alfabetin e Todrit, ku janë përfshirë edhe disa shkronja greqisht. Gjuha elbasanase në pjesën e dytë të shek XVIII ishte më pranë toskërishtes se ç’është sot. Kisha greke e përndoqi Todhrin edhe pas vdekjes duke djegur shumicën e shkrimeve në 1827 kur ra mortaja në elbasan dhe vrau nipat e tij.

Lista e shkrimeve që njihen deri më sot

  • Më 1850 Hani botoi në faksimile 2 fragmente të “Librit të Orëve”(43) dhe më 1853 një fragment të “Ungjilli pas Joanit”.
  • Më 1883 Gojtleri botoi 3 faksimile prej 6 faqesh nga dorëshkrimet e Hanit e cila ndodhet në bibliotekën e Vjenës.
  • Më 1903 Pehmesi botoi dy faksimile të dorëshkrimeve të ndryshme të Tod’hrit. Njëri është pjesë e letrës së parë të Pablit me Romenin (47) ndërsa tjetra një fragment përralle e Ezopit në tri gjuhë, në greqishten e vjetër, në greqishten e re dhe në shqip.

Historia, shumë pak për Dhaskal Tod’hrin

Theodhori, i biri i Haxhi Filipit, të cilin elbasanasit e thërrisnin Dhaskal Tod’hri (mësues Tod’hri), ka lindur në një familje të njohur në atë kohë në pjesën e krishterë të lagjes Kala të Elbasanit. Të moshuarit kanë treguar ndër breza se ai ka qenë shumë i ditur dhe  Kristoforidhi vetë e paska vlerësuar si njeri të urtë e të mësuar. Asnjeri nuk di të thotë me siguri se kur lindi dhe në çfarë moshe vdiq, por mendohet se jetoi në mesin e shekullit XVIII dhe vdiq nga agimi i shek XIX. Një biografi jo zyrtare tregon se ka lindur rreth vitit 1730 dhe vdiq në moshën 75- vjeçare, pra në vitin 1805.

Në një kod të vjetër që ndodhet në Metropolinë e Elbasanit gjenden disa akte të shkruara prej Tod’hrit. Dora e tij filloi të duket në akte me 1768 dhe zhduket pas vitit 1801. I ati e dërgoi në shkollën Greqishte që lulëzonte në atë kohë në Voskopojë, e cila nga mesjeta e deri nga shekulli i XVIII ishte edhe zona më e zhvilluar e vendit. Atje ka ekzistuar një shtypshkronjë e vjetër që vinte pas asaj të Stambollit. I shtyrë nga dëshira që kishin elbasanasit për të thënë uratat në Shqip në kishë, Dhaskal Tod’hri filloi përkthimin e librave të kishës ortodokse duke krijuar edhe një alfabet me 52 shkronja. Ky është shkaku që Albanologu i shquar, Dr. Haliu, konsull i Shqipërisë në Janinë e quan Elbasanin “Hesnaf des alfabetis”. E vetmja vepër që ka mbetur nga Dhaskal Tod’hri është Liturgjia e Shën Johan Gojëartit.

Shkolla Dhaskal Todri

Shkolla që ndjek gjurmët e Dhaskal Tod’hrit

Shkolla e Mesme “Dhaskal Todhri” është gjimnazi më i vjetër në qytetin e Elbasanit, i cili u hap në vitin 1960 si rezultat i bashkimit të disa shkollave të mesme. Kjo shkollë është më e madhja në Elbasan ku zbatohet projekti nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për profilizimin e shkollave të mesme të përgjithshme. Ndër vite nxënësit kanë shkëlqyer në këtë shkollë dhe shumë prej tyre kanë bërë emër në fusha të ndryshme duke e mbajtur lart emrin e kësaj shkolle.

Tashmë 47 vjet nga krijimi, Dhaskal Tod’hri vazhdon të nxjerrë emra me rezultate të shkëlqyera dhe këtë vit flamurin e ka mbajtur maturantja Armanda Xhaferri (2007). Ajo në diplomën e saj ruan vetëm dhjeta, në provimet përfundimtare nuk ndryshon rezultatet maksimale dhe për të vazhduar studimet e larta ka zgjedhur fakultetin Juridik. Armanda tregon se arsimin bazë e ka marrë në shkollën e parë shqipe në Elbasan dhe arsimin e mesëm në gjimnazin më të vjetër. “Unë kam mbaruar tetëvjeçaren në shkollën “Naim Frashëri” e cila ka nxjerrë shumë nxënës të mirë. Deri tani nga shkolla Dhaskal Tod’hri kam marrë titullin “Nderi i Shkollës” dhe ky është një vlerësim për mua. Kam marrë mbështetje nga mësuesit, nga drejtoresha e shkollës dhe nga të gjithë. Dhaskal Tod’hri është një shkollë me emër dhe mendoj se nxënësit duhet të punojnë shumë për ta mbajtur lart emrin e saj. Mendoj se ndoshta edhe unë kam kontribuar me rezultatet e mia që kjo shkollë të ketë vazhdimësinë e rezultateve pozitive”.

Nxënësit e mirë janë të shumtë dhe profilet e tyre të ndryshme por të gjithë e quajnë shkollën e tyre një ndihmë më shumë për të arritur rezultatet maksimale duke ndjekur gjurmët e Dhaskal Tod’hrit.

Robert Cipo

RSS
Ndiq me Email
Share