////

“Elbasani – Traditë në Arsim”

Hovi popullor i elbasanasve për çlirim dhe arsim shqip, i përkrahur nga të gjitha shtresat sociale të kohës do të arrinte pikun e vet me caktimin dhe zhvillimin e Kongresit të Elbasanit më datë 2-9 shtator 1908. Qyteti i Elbasanit u zgjodh jo vetëm se ishte gjeografikisht pothuajse i barazlarguar nga të gjitha trevat shqiptare, por edhe për faktin se këtu ndjenjat atdhetare dhe arsimore kishin arritur zenithin.

Fillo leximin

Përpjekjet e Elbasanasve Për Gjuhën Shqipe në Fillim të Shekullit XX

Në fillim të Shekullit XX, pas gati 5 shekuj nën robërinë Osmano-Turke, Elbasani u bë një qendër e fuqishme e veprimtarisë patriotike për çlirim kombëtar si dhe për lëvrimin dhe përhapjen e shkollave shqipe njëkohësisht. Është e vërtetë se pushtuesit turq ua kishin lejuar shkollën dhe fenë popujve të tjerë si grekëve, serbëve, bullgarëve, armenëve dhe çifutëve…, por nuk ua lejonin këto të drejta Shqiptarëve. Kështu, që më herët në Elbasan kishin filluar përpjekjet rreth përpunimit të gjuhës shqipe dhe krijimin e alfabetit me gërma latine. Një ndërmarrje e tillë kishte filluar me Anonimin e Elbasanit i verifikuar si Theodhor Bogomili. Interesant është edhe një dorëshkrim i papa Totasit rreth kësaj çështje. (Studime Historike, autor Dh. S. Shuteriqi, 1980, botim i Akademisë së Shkencave të R.P.S. Shqipërisë, fq. 200).

Ndonëse të pa ndriçuara mirë studimi i këtyre teksteve elbasanase paraqet një interes tepër të madh për historinë e gjuhës shqipe, sepse asnjë të folme tjetër të shqipes nuk e gjejmë të dokumentuar kaq shumë dhe në mënyrë të vijueshme sa elbasanishten e Shekullit XVII-XIX.

Porta e Kalasë

Një personalitet i shkëlqyer i përdorimit të shqipes ishte pa dyshim Theodhori i Haxhi Filipit, siç e njihnin bashkëqytetarët ose Dhaskal Todri (1740? – 1806?). Ai u arsimua në “Akademinë e Re” të Voskopojës dhe kthehet në vendlindje duke punuar mësues në shkollën greke të kalasë në Elbasan e ndërkohë merret edhe me përkthime të literaturës kishtare. Todri nuk donte që për shkrimin e shqipes të përdorte alfabet grek si në “Akademinë…” e Voskopojës. Vetë ai shpiku një alfabet të veçantë që përmbante 52 shkronja dhe bleu në Europë një shtypshkronjë me germat e tij, por që nuk arriti ta përdorë pasi u vra tinëzisht nga armiqtë e kombit rrugës së kthimit. Ky alfabet mund të konsiderohet më i përsosuri dhe më i miri i të gjithë alfabeteve të shqipes pasi ai e shënonte me shkrim çdo tingull të gjuhës së pasur shqipe. (Rreth vdekjes së Todrit ekzistojnë dy hipoteza. Në njërën prej tyre thuhet se atë e vranë qiraxhinjtë arumunë (?) në fshatin Dardhë të Librazhdit përgjatë Egnatias, të cilët menduan se Todri po transportonte florinj, ndërsa në hipotezën tjetër thuhet se ai u vra në Dhiavat pranë Manastirit dhe ky variant paraqet interes të veçantë sepse peshkop i atyre anëve në atë kohë ka qenë një i quajtur Nektar që shquhej për zellin e tij në përhapjen e gjuhës greke i cili gjithashtu ishte kundër shkrimit të gjuhëve jogreke në Ballkan. Todri duket se nuk ka marrë leje nga kisha greke, ndaj ajo nuk mund ta lejonte ngritjen e një shtypshkronje me germa të tjera prandaj hipoteza e “barrëve me florinj” duket e sajuar në trajtën e një legjende mashtruese. Edhe pas vdekjes së tij, kjo kishë e ndoqi Todrin dhe ia dogji dorëshkrimet në vitin 1827 kur në Elbasan ra sëmundja e murtajës, e cila i shoi edhe nipërinë Todri. Mbi bazën e këtij subjekti u xhirua edhe filmi lapidar “Udha e Shkronjave”).

Pas vdekjes enigmatike të Todrit, një tjetër personalitet me të vërtetë brilant i shtohet panteonit elbasanas në lëmin e lëvrimit dhe përhapjes së gjuhës shqipe. Ky ishte Kostandin Kristoforidhi (Nelku) (1827?-1895) i cili kishte lindur në lagjen “Kala” dhe pasi mori mësimet fillestare në shkollën e kishës, shkon për t’u arsimuar edhe jashtë vendit. Ai ishte edhe antar i Shoqërisë Biblike në Londër. Më pas kthehet dhe përhap diturinë ndër bashkëqytetarët e tij. Kristoforidhi shquhet me përkthime në shqip të teksteve me përmbajtje fetare dhe laike, grumbullon fjalë të urta dhe proverba, boton një fjalor të gjuhës shqipe, boton gjithashtu edhe disa libra etj. Me të drejtë ai është quajtur “Babai i gjuhës shqipe”.

Kjo ishte gjendja deri afër vitit 1900 në Elbasan. Në këtë kohë vërehet një lëvizje e tërë popullore për mësimin e shkrim-leximit shqip dhe njëkohësisht përhapjen e saj te të afërmit, miqtë, fëmijët etj. Dallohet sidomos në këtë periudhë Hysen Ceka i cili u bë edhe mësues shëtitës në lagje dhe fshatra. Mësimi i shqipes u përhap shumë shpejt si uragan në të gjithë qytetin e Elbasanit, si dhe në krahinat përqark, si Shpat, Gramsh, Peqin etj. Pothuajse në të gjitha shtëpitë elbasanase kishte nga një ose dy antarë që dinin të shkruanin dhe të lexonin shqip. Mësimi bëhej më shumë fshehurazi për t’u ruajtur nga xhandarmëria turke që e ndalonte atë. Në çdo ambient ku takoheshin dy apo më shumë njerëz, menjëherë fillonte mësimi i shqipes si dhe propaganda për ta përhapur tek të tjerët. Kështu, mësimi i shqipes bëhej në shtëpi, në dyqan, në kullotë etj. Ishin përfshirë në këtë betejë kulturore djemtë dhe burrat më të mirë të qytetit si, Hysen Ceka, Vasil Llapushi, Simon Shuteriqi, Fejzullah Guranjaku (hoxhë), Muç Berberi i mbiquajtur Muç Shqiptari, Altin Cika etj. Abetaret, tekstet letrare dhe mjetet ndihmëse siguroheshin nga konsullatat e huaja dhe nga tregtarët vendës që shkonin në Rumani, Turqi, Egjypt etj. Pas pak vitesh, aktivistë të tjerë iu bashkuan të parëve si, Hasan Gjevori, Hysen Haxhiu, Faik Duhanxhiu, Ali Hasan Çiftja, Petër Dodbiba, Dhimitër Paparisto, Kodhel Dedja e Dule Dervishi (ose Mitër Çullhaj nga krahina e Shpatit, i pushkatuar në moshë të thyer nga regjimi komunist në vitin 1945 si “tradhtar”), Dhimitër (Tush) Pina i cili ishte nxënës i K. Kristoforidhit etj. etj.

Mirëpo, brenda kësaj “armate” burrash atdhetarë, nuk ka se si të mos dallohen edhe dy figura tepër të veçanta, dy margaritarë të kësaj lëvizje. Ata janë dy gratë patriote Tushi Xhani dhe Alemshah Dylgjeri. Këto dy gra kanë qenë ndër propagandistet më të zjarrta në Elbasan për përhapjen e ideve të çlirimit kombëtar nga turqit dhe mësimin e gjuhës shqipe njëkohësisht. Ato pasi e mësuan vetë shkrimin e leximin shqip, ua mësonin atë edhe vajzave e grave të tjera të fisit, lagjes, kushërinjve etj. Kjo përpjekje e tyre për mësimin e shkrim-leximit shqip dhe përhapjes tek të tjerët nën kushtet e rënda të obskurantizmit fetar, si dhe të pushtuesit turk, mund të konsiderohet edhe si lëvizja e parë feministe shqiptare me synime atdhetare. Çuditërisht këto dy gra patriote dhe dy amvisa shembullore, të pa shtyra nga askush dhe të pa sponsorizuara nga asnjë në lëvizjen për përhapjen e shqipes u nderuan dhe u respektuan gjatë regjimit komunist dhe fotot e tyre kanë qenë të ekspozuara në ish-muzeun e arsimit Elbasan deri në vitin 1990. Ndërsa sot nuk gjendet dot një fletë që të shkruhej diçka për secilën prej tyre në botimin voluminoz Elbasani-Enciklopedi, i cili ndër të tjera ka pasqyruar me shumicë inxhiniera, mësues, oficera dhe … furrxhinj, të cilëve nganjëherë nuk u dihen emrat dhe nuk shquhen për ndonjë meritë të veçantë. Megjithatë, burrat dhe gratë veprimtarë të arsimit shqip, pothuajse të panjohur për publikun e gjerë, janë përfaqsuesit më dinjitozë të këtij komuniteti të mrekullueshëm, sepse ata iu përgjigjën atdheut kur ai kishte nevojë për ta, pa zhurmë e bujë, pa lavde, të heshtur, por të vendosur dhe të ndërgjegjshëm për atë që bënin.

Thuhet se gjenialiteti njerëzor mbështetet në tre shtylla: madhështia e qëllimit, mjetet e pakta në dispozicion si dhe rezultatet fantastike të arritura, aherë për ne sot ata patjetër që e meritojnë emërtimin: gjenialë. Kjo lëvizje e gjerë atdhetare e elbasanasve do t’u binte në sy edhe konsujve të huaj në vendin tonë. Interesant paraqitet një raport i konsullatës Austro-Hungareze në kryeqendrën e Vilajetit, Manastir (Bitola) që mban datën 24.12.1900 ku ndër të tjera thuhet: “Çdo elbasanas patriot, me në krye myslimanët, kanë një farë ambicie që pikërisht në qytetin e tyre të krijohet kisha e parë kombëtare dhe shkolla kombëtare…”. (Lufta e popullit të Elbasanit për gjuhën dhe shkollën shqipe, Besim Qorri, botim i SEJKO, 2000, fq. 40).

Populli i Elbasanit e memorizoi luftën për çlirim kombëtar dhe përhapjen e shqipes edhe me vjersha e këngë, që në fakt ishin kumtesa historike dhe që nuk kishin të bënin aspak me bejtet e divaneve apo me muzikën e ahengjeve dhe çingijeve. Ja njëra prej këtyre vjershave kuptimplote që qarkullonte në atë kohë:

Elbasanas gjith’ sa burra jemi

Mamëdhen’ me shpirt ta duem’,

Me nji gojë të tânë po themi,

Ne nuk jemi mâ në gjumë.

Gjuha jonë të mësohet,

n’t’katër an’t e Shqipnis’,

Kombi ynë të ndritohet,

t’rroki udh’n e ditunis’.

Hovi popullor i elbasanasve për çlirim dhe arsim shqip, i përkrahur nga të gjitha shtresat sociale të kohës do të arrinte pikun e vet me caktimin dhe zhvillimin e Kongresit të Elbasanit më datë 2-9 shtator 1908. Qyteti i Elbasanit u zgjodh jo vetëm se ishte gjeografikisht pothuajse i barazlarguar nga të gjitha trevat shqiptare, por edhe për faktin se këtu ndjenjat atdhetare dhe arsimore kishin arritur zenithin. Në këtë Kongres morën pjesë 35 përfaqsues nga të gjitha trevat shqiptare dhe aty u caktuan detyra që, paralelisht me krijimin e çetave të armatosura që do të luftonin për çlirim kombëtar nga pushtuesit turq dhe ruajtjen e tërësisë territoriale nga fqinjët, të vazhdonte ngritja e shkollave shqipe në të katër anët e vendit. Tre muaj pas Kongresit të Elbasanit dhe në përputhje me detyrat e caktuara aty, pra në dhjetor 1909, u ngrit për herë të parë shkolla e mesme që filloi përgatitjen e mësuesve të rinj të gjuhës shqipe, Normalja e famshme e Elbasanit. Nuk është rastësi që vite më vonë pikërisht nga ky qytet do të dalin mjeshtra të mëdhenj të studimit dhe përpunimit të gjuhës shqipe si Aleksandër Xhuvani, Mahir Domi, Kostaq Cipo etj.

Elbasan, Mars 2009

Bukurosh Dylgjeri

RSS
Ndiq me Email
Share