//

Elbasani Pak Histori 1913-1937

Pas Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, entuziazmi i ligjshëm i kësaj ngjarje madhore, po ia lëshon vendin pak e nga pak, luftës së heshtur për pushtet e drejtim. Edhe në Elbasanin e kohës vihen re kontradikta të mëdha për pozicionim dhe dominancë në këtë realitet të ri.

1579 pamje
25 minuta lexim

Pas Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, entuziazmi i ligjshëm i kësaj ngjarje madhore, po ia lëshon vendin pak e nga pak, luftës së heshtur për pushtet e drejtim. Edhe në Elbasanin e kohës vihen re kontradikta të mëdha për pozicionim dhe dominancë në këtë realitet të ri. Kështu, pas tërheqjes së ushtrive serbe nga Elbasani në muajin prill të vitit 1913, paria vendase dhe populli ishin të lidhur me qeverinë e Ismail Qemalit. Por, përpjekje për influencë bënte edhe qeveria e Esat Pashë Toptanit në Durrës, me anë të Dervish bej Biçakut në Elbasan. Kjo shkaktoi në disa raste edhe përpjekje të përgjakshme midis grupimeve politike rivale.

Në këto vite, busulla kombëtare e shqiptarëve ishte krejtësisht e çorientuar, pasi vendi ishte i sulmuar në veri nga serbët dhe në jug nga grekët, në brendësi gëlonin gjithfarë çetash të armatosura si: komita, atdhetarë, cuba, grabitqarë e pseudopatriotë të çdo kalibri.Sikur të mos mjaftonin këto, në pranverë të vitit 1914 shpërthen lëvizja fshatare e Shqipërisë së Mesme e njohur me emrin Kryengritja e Haxhi Qamilit ose rebelat. Kjo lëvizje tepër famëkeqe, pati orientim proosman, por edhe me ndërhyrje të qarta të fqinjëve tokësorë dhe, u shoqërua me efekte negative edhe në Elbasan. Edhe këtu shumë patriotë iu nënshtruan vrasjeve, plaçkitjeve, djegjeve të shtëpive etj. që ndërmorën rebelët e mësipërm. Në Tiranë ata dogjën shtëpinë e Abdi Toptanit dhe në Elbasan atë të Aqif Pashës (sot ndodhet Drejtoria Arsimore, në lagjen “Gurabardhë”). Në Elbasan, këta kryengritës u futën në datë 23 Qershor 1914.

Pas shpartallimit të kësaj lëvizje të armatosur anarkiste dhe dënimit me varje në litar të drejtuesit të saj në Durrës, në qytetin e Elbasanit mbërrijnë oficerët e parë hollandezë të kryesuar nga komandanti i tyre De Wer, të cilët u morën me organizimin e forcave të armatosura shqiptare. Në muajin qershor 1915 (Lufta e -I- Botërore) Elbasani pushtohet për herë të dytë nga ushtria serbe. Ndonëse të armatosur edhe me artileri të rëndë, për shkak të goditjeve nga popullsia vendase, ata përparojnë me vështirësi drejt Tiranës e Durrësit.

Elbasani

Në Nëntor të këtij viti, në qytet vjen për herë të parë një automobil. Kjo ishte një veturë ushtarake serbe, që transportonte oficerë të asaj ushtrie. Në muajin Shkurt të vitit 1916, në Elbasan mbërrijnë trupat ushtarake bullgare, të cilët ishin në ndjekje të ushtrive serbe, pasi bullgarët ishin aleatë të gjermanëve dhe austro-hungarezëve gjatë Luftës -I- Botërore. Ato ditë gjithashtu, mbërrin edhe aeroplani i parë në Elbasan, i cili u ul në Fushë-Mbret. Ky ishte një avion ushtarak bullgar.

Pararoja e ushtive austro-hungareze erdhi në Elbasan pas atyre bullgare dhe, pasi kishte kaluar mbi Martanesh e Shëngjergj. Në përbërje të saj kishte edhe vullnetarë shqiptarë të kryesuar nga djaloshi matjan Ahmet Zogu (1896 – 1964), i cili më vonë do të bëhet Mbret i Shqiptarëve. Këto trupa komandoheshin nga kapiteni i huaj Gilhard dhe Selahudin Blloshmi. Më 29 Janar 1916, në Elbasan nënshkruhet një procesverbal midis trupave ushtarake bullgare dhe përfaqsuesve të qytetit Lef Nosi, Kasem Sejdini, Filip Papajani dhe Emin Matraxhiu.

Më 16 shkurt të po atij viti, bëhet një mbledhje me pjesëmarrjen e Ahmet Zogut, Qemal Karaosmanit, Ahmet Haxhisinanit, Ymer Stringës, Shefqet Daiut, Sava Papajanit, Simon Shuteriqit, Thanas Floqit dhe Lef Nosit, ku u vendos që në datë 2 Prill 1916 të mbahej në Elbasan një Kongres Kombëtar, i cili do të bisedonte për “Punët e Atdheut”. Pikërisht në këtë kohë dhe vitet në vijim, me nxitjen dhe pjesërisht financimin e Aqif Pashë Elbasanit, do të fillojë edhe dërgimi i rreth 43 studentëve elbasanas në Austri, për studime të ndryshme universitare në qytetet Linz, Vienë, Insbruck, Grac etj.

Trupat ushtarake austriake ndërtuan edhe një rrjet hekurudhor për dekovil nga Durrësi në Elbasan e, që vazhdonte deri në fshatin Labinot-Fushë. Po kështu ata ndërtuan edhe një të tillë që niste nga fshati Papër e shkonte deri në zonën e Sulovës dhe më tej në Berat. Të dyja këto linja hekurudhore u shkatërruan nga banorët e zonave në fjalë, fill pas largimit të ushtrisë austro-hungareze nga vendi ynë.

Në fund të vitit 1916, u formua në Elbasan “Komiteti i Fshehtë për Çlirimin e Korçës nga Grekët”, ku merrnin pjesë Aqif Pashë Elbasani (Biçaku), Themistokli Gërmenji, Sali Butka etj. Veç këtyre lëvizjeve të armatosura, Elbasani ishte bërë edhe qendra e përpjekjeve për njësimin dhe standartizimin e gjuhës shqipe, lehtësisht të përdorëshme për të gjithë shqiptarët. Kështu, Komissija Letrare me qendër në Shkodër, kishte pranuar si themel të një gjuhe të përbashkët dialektin e Elbasanit, në bazë të një Promemorije që përgatiti profesori austriak Nachtigall. Ky i fundit, bashkë me studiuesit shqiptarë Dr. Gjergj Pekmezi dhe Ndre Mjeda, erdhën në Elbasan në vitin 1917, ku filluan të studiojnë gjuhën shqipe nga pikpamja shkencore dhe glotologjike.

Po këtë vit, erdhën në Elbasan veglat muzikore të bandës “Afërdita”, si dhe mbërrin në qytet një trupë teatrore austriake, e cila dha disa shfaqje për publikun. Në vitin 1917 u krye mbi Elbasan i pari inkursion ajror nga aviacioni italian, që synonte bombardimin e trupave austriake në qytet, por që nuk mundi të lëshojë asnjë bombë, pasi artileria ajrore austriake u përgjigj me zjarr.

Nga Qershori 1916 deri në mars 1917, në përbërje të trupave ushtarake austriake ka qëndruar edhe rreshteri sanitar, çeku Stanislav Koska Noiman. Mirënjohjen për popullin e Elbasanit ai e tregoi në 22 poezi dhe 35 piktura në akuarel me motive elbasanase. Një tjetër personalitet ushtarak i huaj ishte edhe kryetari i bandës muzikore të ushtrisë austro-hungareze në qytet, kompozitori Anton Zimpfl. Ai kompozoi hymnin e Elbasanit “Elbasan, qytet me famë…” sipas tekstit të mjekut elbasanas Filip Papajani.

Pushtimi austriak, i quajtur nga populli “koha e nemces”, zgjati deri në vitin 1918. Gjatë ndërtimit prej tyre të dekovilit hekurudhor Durrës-Elbasan, austriakët prunë në Elbasan edhe një motor me karburant për prodhimin e energjisë elektrike me të cilën filluan të ndriçohen disa rrugë kryesore të qytetit dhe zyrat ushtarake. Po ashtu, ata sollën edhe një aparat për shfaqje filmash “Kino”, aty ku sot janë përqëndruar zyrat e gjendjes civile të Bashkisë Elbasan. Gjatë tërheqjes nga Elbasani, austriakët shkatërruan me eksploziv dy këmbë të Urës së Shkumbinit dhe një këmbë të Urës së Zaranikës.

Në muajin Tetor 1918 në Elbasan mbërrijnë ushtritë italiane dhe, një ditë më pas, ata franceze. Në fund të tetorit të po këtij viti, një grup djemsh elbasanas shfaqin për publikun për herë të parë një pjesë teatrale të përkthyer e të titulluar “I mjeri djalë”.

Në Dhjetor 1918 vdes në Itali, Ali Agjahu. Thuhet, se ai ishte internuar atje nga Esat Pashë Toptani. Të gjithë pasurinë e tij, ky filantrop i madh elbasanas e lë me testament për arsimin e Elbasanit. Kështu, në vitin 1937 pranë Namazgjasë ndërtohet shkolla e sistemit fillor, që mban emrin e tij. Në fillim të vitit 1919, në Elbasan filloi të botohet revista letrare “Kopështi Letrar” nga Lef Nosi.

Në verën e vitit 1920, nisi Lufta e Vlorës për çlirimin e saj nga italianët që e mbanin të pushtuar. Kjo ngjarje nuk do të përcillej me indiferentizëm nga elbasanasit. Fillimisht atje ishte inkuadruar elbasanasja Zekie Krasta, e cila shënohet edhe si e para infermiere që u mjekonte plagët luftëtarëve të plagosur, nga njëra llogore në tjetrën. Gjithashtu, Banda Muzikore “Afërdita” e qytetit të Elbasanit filloi të mbledhë ndihma në popull për luftën dhe vetëm në Elbasan u grumbulluan 2000 napolona flori. Nën goditjet e parreshtura të luftëtarëve shqiptarë, nga data 17 Gusht deri më 2 Shtator 1920, italianët u detyruan ta lëshojnë Vlorën duke mbajtur vetëm ishullin e Sazanit. Me ftesën e Komisionit për Kremtimin e Çlirimit të Vlorës, niset atje edhe banda muzikore “Afërdita”. E përbërë prej 30 vetësh dhe ngarkuar në karvan kuajsh, përshkon rrugën tokësore Belësh – Fier – Llakatund e pas tri ditë e gjysmë udhëtim, mbërrijnë në Drashovicë. Në mëngjesin e 3 Shtatorit banda “Afërdita” duke u vënë në krye të luftëtarëve fitimtarë, parakalon triumfalisht para popullit të Vlorës, i cili e priti me brohoritje dhe krisma pushkësh. Entuziazmi i vlonjatëve u shtua edhe më shumë kur djemtë e “Afërditës” nga mosha 13 –16 vjeç interpretuan me disiplinë dhe plot solemnitet, pjesë artistike patriotike. Rrugën e kthimit në Elbasan, ata do ta bëjnë nëpërmjet detit, me anije nga Vlora në Durrës, për të vijuar më pas rrugës tokësore në Kavajë, Peqin dhe, kudo ku kaluan ata ishin të mirëpritur me respekt dhe dashuri.

Në vitet 1920 e tutje, kapitali elbasanas filloi të ndërmarrë disa investime të fuqishme në fushën e ekonomisë së brendëshme. Borgjezia e pasur tregtare dhe çifligarët e tokave marrin pjesë në shoqëritë anonime “STAMLES” në Durrës dhe “SITA” në Tiranë. Dhjetor 1920. Lëkundje të vazhdueshme tërmeti ndjehen në Elbasan që nga fundi i Nëntorit. Këto lëkundje arrijnë kulmin në mëngjesin e datës 18 Dhjetor 1920, kur si pasojë e një lëkundje të fuqishme u shkatërruan shumë shtëpi dhe u vranë disa banorë. Shirat e vazhdueshëm që vijuan e vështirësuan edhe më shumë gjendjen e rënduar prej tërmetit.

Më 14 Kallnuer (Janar) 1921 fillon botimin gazeta “Shkumini” e drejtuar nga publicisti dhe mjeku Filip Papajani, në bashkëpunim të ngushtë me Emin Matraxhiun. Po në këtë vit, mblidhet në Tiranë i pari parlament shqiptar dhe në Elbasan fiton grupi i Shefqet bej Vërlacit. Në ceremoninë e hapjes së këtij parlamenti mori pjesë edhe banda muzikore “Afërdita”. Në Prill 1921, mbërrin në Elbasan politikani i shquar francez Zhystel Godar i cili u prit këtu me përzemërsi të madhe. Ky politikan mik, me fjalimet dhe veprimet e tij, ka mbrojtur vazhdimisht interesat e popullit shqiptar, (veçanërisht në pushtimin e vitit 1939).

Më 1 Janar 1922 vjen në Elbasan, Fan Noli i cili ishte nisur nga Korça. Ai propagandon autoqefalinë e kishës orthodokse shqiptare dhe në këtë nismë, gjeti një mbështetje të fuqishme ndër orthodoksët elbasanas. Në Nëntor të vitit 1922, fillon të botohet për herë të parë gazeta “Elbasani”, që dilte një herë në javë. Kjo gazetë, e kontrolluar nga përfaqësuesit feudalë të qytetit, ndonëse pati disa ndërprerje, doli deri në në vitin 1925. Në dhjetor 1922 vdiq në Bari të Italisë ku kishte shkuar për kurim, gazetari dhe demokrati Emin Matraxhiu.

Në mbledhjen që u mbajt në Vlorë më 1921, që është quajtur Kongresi i Shoqërive, përfaqësuesit elbasanas të shoqërive “Përparimi” dhe “Afëdita” pranuan shkrirjen e të gjitha shoqërive në nje organizatë të vetme me emrin: Federata “Atdheu”.Pasi pushoi botimin e saj gazeta “Shkumini” më 1922, më 23 Mars 1923 filloi të botohej një gazetë tjetër me emër “Ura e Shkuminit” nga Ahmed Dakli, e cila në programin e saj ishte kundër influencës së feudalizmit në Shqipëri. Në këtë kohë Vërlaci fejon vajzën e tij me Ahmet Zogun, fejesë e cila më pas do të prishet.

Më 2 Nëntor 1923 formohet në Elbasan grupimi politik “As i Pashës, as i Beut” i cili ishte kundër ndikimit të Shefqet Vërlacit. Ky grupim, i cili në fakt kishte performancën e partive të majta politike perëndimore, vuri në programin e tij reformën agrare, ngritjen e bankave bujqësore dhe përsosjen e sistemit të taksave. Shumë shpejt, partia politike e mësipërme do të mbështetet nga shtresat e mesme dhe të varfëra të qytetit dhe fshatit. Në Dhjetor të vitit 1923 zhvillohen zgjedhjet për në Asamblenë Kushtetuese. Sipas regjistrimit të popullsisë që u krye në tetor 1923, Qarku i Elbasanit kishte 81.541 banorë (rrethi Elbasan kishte 22.223 meshkuj + 22.105 femra, rrethi Peqin kishte 5003 meshkuj + 4926 femra, rrethi Librazhd kishte 5788 meshkuj + 5718 femra dhe rrethi i Gramshit kishte 7546 meshkuj + 8242 femra). Mbi bazën e kësaj popullate qarkut të Elbasanit i takonte të nxirrte 7 deputetë. Zgjedhjet u kryen në dy faza dhe në mënyrë të tillë që: 500 burra me të drejtë votimi kishin të drejtë të zgjidhnin një zgjedhës të dytë dhe 24 zgjedhës te dytë kishin të drejtë me zgjedh një deputet. Gratë nuk kishin të drejtë votimi. Fushata e zgjedhjeve u shoqërua me acarime, keqtrajtime dhe në disa raste edhe me terror të hapur që thuhet se njerzit e Vërlacit ushtronin ndaj rivalëve. Kështu, më 23 Nëntor 1923 në Peqin vritet patrioti Adem Gjinishi, ndërsa në Elbasan keqtrajtohen Hysen Taushani, Met Dilja, Xhemal Mezja, Xhaferr Hakani etj. që të gjithë këta ishin përkrahës të partisë “As i Pashës, as i Beut”. Zgjedhjet përfunduan më datë 27 Dhjetor 1923 dhe fitues dolën kandidatët e Grupit Pleqësor të kontrolluar nga Vërlaci. Vetë Aqif Pasha u zgjodh deputet në Korçë.

Në datë 9 Mars 1923, në Elbasan u formua Dhoma Tregtare e Elbasanit, e përbërë nga 663 antarë dhe drejtuesit u zgjodhën me votat të fshehta. Kryetari i parë i kësaj dhome u zgjodh Arif Dardha.

Në Janar të vitit 1924, fillon të botohet në Elbasan gazeta “Ku vemi” e drejtuar nga patrioti Sali Çeka. Në këto vite shumë djem nga Elbasani të cilët kishin përfunduar studimet në Normale, shkojnë nëpër Europë për studime universitare. Janë rreth 43 të tillë që kryesisht studiuan në Austri, Gjermani etj. Ndër to përmendim Aleks Buda, Hasan Ceka, Ibrahim Biçaku etj. Rast interesant është edhe ai i zonjës Agni Todri e cila jo vetëm që ishte femër, por që në moshë 6-vjeçare shkon në Austri dhe i kryen atje të gjitha shkallët e arsimimit. Gjithashtu edhe gratë myslimane të qytetit kishin filluar të arsimoheshin dhe të bëheshin mësueset e para të vajzave qytetare. Me këtë rast përmendim zonjën Shefikat Narazani si përfaqësuese e parë e tyre.

Në vitin 1926 përfundon ndërtimi i rrugës automobilistike Elbasan-Pogradec. Në vitin 1928 u themelua në Elbasan shoqëria tregtare anonime e duhanit “SAIDE”. Në vitin 1937 ndërtohet kinema “Nacional” nga Xhavit bej Biçaku.***

Mblodhi: B. Dylgjeri, Qershor 2014 (foto web)
b.d. Elbasan, Shtator 2020

Bukurosh Dylgjeri

RSS
Ndiq me Email
Share