//

Elbasani, djepi dhe përhapësi i mendimit arsimor

Elbasani shquhet si qendër e fuqishme arsimore dhe kulturore në përpjekjet që bënë figura si Onufri, Mehmet Sedefqar Biçakçiu e Kostandin Shpataraku, të cilët përfaqësonin epokën e humanizmit shqiptar.

2438 pamje
9 minuta lexim

Elbasani shquhet si qendër e fuqishme arsimore dhe kulturore në përpjekjet që bënë figura si Onufri, Mehmet Sedefqar Biçakçiu e Kostandin Shpataraku, të cilët përfaqësonin epokën e humanizmit shqiptar.

Këta figura dëshmonin për traditat kulturore dhe arsimore të Elbasanit.

Në gjysmën e parë të shekullit XVIII Anonimi i Elbasanit (Teodhor Bogomili) çeli serinë e alfabeteve origjinalë. Gjuha e tij e pasur dhe e punuar dëshmon se ai nuk kishte punuar në një terren të palëruar më parë. Në vitin 1812 sipas kodikut të esnafëve të kazanxhinjve, argjendarëve, gëzoftarëve dhe esnafët e tjerë paguanin mësuesin Argjir që t’u mësonte fëmijëve të tyre shkrim e këndim. në mesin e shekullit të XVIII dhe fillim shekullin e XIX shkrimi shqip në Elbasan ishte bërë nevojë e parë në marrëdhëniet ekonomiko -shoqërore të shtresës tregëtare të pasur.

What would we do baby, without us?

Shkollat fillore turke patën mësues midis të tjerëve dhe Hoxhë Gjelin e Hoxhë Karadakun. Në gjysmën e dytë të shekullit të XIX-të u hapën shkolla të fshehta në shtëpitë e dyqane të qytetarëve, ku mësohej gjuha shqipe. Kostandin Kristoforidhi shfaqet në këtë kohë si shkencëtar, por edhe si mësues i gjuhës. Në vitin 1890 Abdyl Abdullah Xhinsi, që kishte mbaruar Normalen në Stamboll, hapi një shkollë fillore private në Elbasan, ku për herë të parë në këtë shkollë u përdorën bankat. Në vitin 1897 u hap një tjetër shkollë private për mësimin e gjuhës shqipe, por autoritetet futën mësuesin në burg dhe shkolla pushoi së funksionuari.

Relacionet nga Durrësi në 2 – 5 prill të vitit 1900 vinin në dukje se në Elbasan përparimi i shqipes ishte kaq i madh, saqë këndonin librat shqip në sy të njerëzve të qeverisë, të cilët nuk guxonin të kapnin ndonjë nga përhapja e përditshme e tyre. Gati në çdo familje kishte një deri në dy anëtarë që dinin të shkruanin e të lexonin gjuhën shqipe. Në dhjetë vjeçarin e parë të shekullit të XX, në Elbasan krahas shkollës Greke të Kalasë e hapur në vitin 1736, por edhe asaj greke të Valshit e hapur më 1900, funksiononin tre shkolla turke meshkujsh e femrash. Në korrik të vitit 1908 u grumbulluan ndihma, që brenda një dite arritën në 5500-6000 franga, me të cilat do të paguheshin mësuesit që do të jepnin gjuhën shqipe në të gjitha shkollat. Një pjesë e këtyre mësuesve ishin pajisur me arsim pedagogjik në shkollat Normale të Selanikut, Manastirit, Stambollit e gjetkë.

Pas shpalljes së Hyrjetit, më 2 gusht 1908 nga Fejzulla Guranjaku, po këtë vit në muajin tetor u hap shkolla shqipe në Valsh të Shpatit. Në shtator të vitit 1909 në Elbasan zhvilloi punimet “Kongresi i Elbasanit”, ku me nismën e Aqif Pashë Biçakçiut ( atdhetar, personalitet politik) dhe me ndihmat e popullit u ngrit e para godinë posaçërisht për shkollë, ku në vitin 1912 u vendos shkolla ” Qendrore”. Në qershor të vitit 1909 misionarët Amerikanë me përfaqësuesin e tyre Telford Erikson bënë përpjekje për të hapur një kolegj në Krastë. Më 1 dhjetor të vitit 1909 u hap shkolla e parë e mesme shqipe ” Normale”, e cilësuar si arritja më kulmore e arsimit shqiptar.

Ajo me veprimtarinë e saj të gjerë u shndërrua në një institucion arsimor, edukativ, studimor, me përmasa kombëtare

Në fillim shekullin e XX do të vihej re masivizimi arsimor fillor në qytet, në 22 nëntor të vitit 1913 u hap shkolla fillore në lagjen ” Shënkoll” me tre mësues dhe në vitin 1915 u pagëzua me emrin ” Zgjimi’. Më 1 dhjetor të vitit 1915 u hap zyrtarisht shkolla e “Qoshes” që më pas mori emrin ” Agimi”, në vitin 1916 hapet shkolla fillore ” Kostandin Kristoforidhi”.  Në vitin 1913-1914 në Elbasan kishte tre shkolla dhe veç këtyre ishin hapur shkolla edhe në fshatrat Belsh, Godolesh, Balëz, Shushicë, Bixëlle, Bishqem, Lleshan, etj. Në vitin 1923 në Elbasan, hapet shkolla “Ushtrimore”, pranë asaj Normale, e para shkollë e këtij lloji në Shqipëri. Kjo shkollë shërbeu për zhvillimin e praktikës pedagogjike të maturantëve të parë të shkollës “Normale”.

Në vitin 1934 për herë të parë në Elbasan do të hapej shkolla foshnjore, me drejtoreshë Agni Todrin, e cila kishte studiuar në Austri, ndërsa në vitin 1939 shkolla e Mesme e Punës, me drejtor Ali Cungun. Në vitin 1937 në Elbasan funksiononin 2 shkolla të mesme dhe pesë fillore, ndërsa në fshat funksiononin 42 shkolla fillore. Shumë elbasanas mësues në Ushtrimore ose pedagogë në Normale para Luftës së II -të Botërore ishin specializuar për pedagogji e psikologji në vende të ndryshme jashtë Shqipërisë si në Austri, Lion, Strasburg, Romë. Ndër ta mund të veçohen, Luigj Gurakuqi, Simon Shuteriqi, Aleksandër Xhuvani, Petër Dodbiba, Dhimitër Paparisto etj. Të gjithë këta e shumë të tjerë jo vetëm në Elbasan, por kudo që punuan, me studimet, përkthimet, monografitë e botuara, dhe veprimtarinë praktike  pedagogjike, u bënë përçuesit e mendimit didaktik përparimtar perëndimor, në shkollat shqiptare. Ata u shquan si organizatorë arsimi në prefekturat Korçë, Berat, Vlorë, Elbasan, Durrës, Dibër dhe në Ministrinë e Arsimit në cilësinë e specialistit ose të drejtorit. Në Kosovë e Maqedoni në periudhën 1941-1950 kanë shërbyer 149 mësues nga Elbasani.

RSS
Ndiq me Email
Share