Âsht dyzimi mâ i madh qé m’bân me u mendu’ … nuk e kam fjalén pér pakicat linguistike te ne, por pér pérballjen: dialekt – standard, té shqipes.
Si duhet me fol apo me shkrue, me “gjuhén e qumshit” apo me “gjuhén e bukés”?
E para âsht e folmja qé na msuen’ prindét (gjuha e qumshit). Ata e ngjuen’ prej prindvet té tyne dhe, ma voné me té na folén, e ne ja pércollém fmive’ toné. Tan’ dit’n e Zotit flasim n’dialekt dhe s’kemi pse ta mçefim.
Merret me men’ qé “gjuha e qumshit” vjen te ne … he he … qy nga zanafilla joné. A mund ta mohojmé até?
(Dikur, njani nga djemt’ e mi qé ishte né klasén e paré té fillores erdhi i mérzitun, sepse mésuesja ia kishte shénue gabim fillimin e detyrés: “E hané. Detyr shpije”. Kur uné e sqarova dhe i dhashé té drejtë mésueses, ai me naivitetin e fmisé nguli kâmbé né té tijén e m’tha: “Po pse o ba’?, … ne kshu’ flasim”).
E dyta është ajo që na mëson standardi ose norma zyrtare, me përdorimin e së cilës punojmë dhe ushqehemi (gjuha e bukës). Ne duhet të shkruajmë dhe të flasim sipas këtyre rregullave gjuhësore të kyçura në standard. Unë jam përkrahës i standardit gjuhësor të shqipes, sepse mendoj që është i vetmi element përbashkimi që kemi, ndonëse i di mjaft mirë kushtet historike të kohës kur u hartua ai. Mundet dhe shpresoj që duhet të përmirësohet, por nuk po ngutem të jap mend ose t’ia fus kot, sepse nuk jam specialist i gjuhës.
E pra, shpesh më duket sikur po përdor dy gjuhë, njërën të dialektit kur flas (gjuha e qumështit) dhe tjetrën të standardit kur shkruaj (gjuha e bukës).
Pavarësisht faktit që flas me dialekt, personalisht përpiqem të shkruaj sa më saktë sipas standardit. Mirëpo, ndonëse kanë kaluar 50 vjet nga Kongresi i Drejtshkrimit (1972), vërej që ky standard nuk respektohet. Nuk e di pse vjen kjo; nga padija, shpërfillja apo pamjaftueshmëria e standardit? Nuk bëhet fjalë për pasaktësinë e disa tabelave nga shitës ose dyqanxhinj të cilët shkruajnë mysybet, por për shkresa zyrtare ose njoftime shkollore me mjaft pasaktësi.
Më e shpifura është përzierja e dialektit me standardin në të njëjtën shkresë, por që të dyja të pasakta. Një mishmash i vërtetë ose përçudnim i shqipes.
Më bën përshtypje një thënie e F. Konicës, në të cilën cilësohen “tradhëtarë” ata që e mohojnë prejardhjen e shqipes nga pellazgjishtja, ndërsa nga gjuhëtarët e sotëm, pellazgjishtja konsiderohet një “përrallë”. Dhe unë i vobekti nuk di nga t’ia mbaj.
Po ashtu, në shumë postime ose komente – disa miq të mi, të cilët unë i njoh që janë goxha të arsimuar – shkruajnë copë-copë, shkruajnë me gjymtyrë të gjymtuara të fjalisë, pra, jo vetëm me gabime ortografike, por me përdorim të gabuar të sintaksës.
Ç’duhet bërë?
O gjuhëtar i nderuar! …“Diku përtej së drejtës dhe së gabuarës është një lëndinë… po pres të të takoj atje!” […]
Bukurosh Dylgjeri
Elbasan, Mars 2023