/

Bashkëqytetarët Tanë Me Ngjyrë

Nuk dihet nga kanë ardhur te ne dhe ekzistojnë plot legjenda për mbëritjen e tyre në vendin tonë (Aleksandri i Madh, Perandoria Osmane etj), por janë vendosur në Elbasan prej shekujsh dhe banojnë në dy lagje të veçanta periferike të qytetit: lagjja Dautbej (në Jug ose pranë stacionit të trenit), si dhe lagjja Tabakhane (Jug-lindje e qytetit).

388 pamje
5 minuta lexim

(Komuniteti Egjyptian)

Këta janë bashkëqytetarët tanë me ngjyrë që ne i njohim me emrin: jevg nj./jevgj sh, ndërsa ata na quajnë ne: gaxhi nj./gaxhoj sh.

Nuk dihet nga kanë ardhur te ne dhe ekzistojnë plot legjenda për mbëritjen e tyre në vendin tonë (Aleksandri i Madh, Perandoria Osmane etj), por janë vendosur në Elbasan prej shekujsh dhe banojnë në dy lagje të veçanta periferike të qytetit: lagjja Dautbej (në Jug ose pranë stacionit të trenit), si dhe lagjja Tabakhane (Jug-lindje e qytetit).

(Ndonëse nuk janë popullsi rurale, ata çuditërisht banojnë në një lagje të madhe edhe në fshatin Shushicë, buzë lumit Shkumbin).

Megjithatë, unë mendoj që kostumet e tyre popullore, mënyra e jetesës, kangët e dasmave ose të vajit etj, janë cak i volitshëm për studiuesit e etnokulturës.

Banorët e lagjes Dautbej, (në krahasim me sivëllezërit e tyre të Tabakhanes), e mbajnë veten se janë më të sojëm, më të ngritur, e konsiderojnë veten që i përkasin një rendi më të lartë shoqëror, ndaj nuk bënin krushqi me ata të Tabakhanes.

Në përgjithësi këta banorë me ngjyrë bënin punë të rënda e të pista, si: hamej, kovaçë, vjelje ullinjsh, pastrime të ndryshme etj. Janë njerëz të urtë, punëtorë, por edhe muzikantë etj. Tekstet e këngëve të tyre janë melankolike, të trishtuara … sa që të duket sikur i këndojnë një kohe të lashtë kur ata ndoshta kanë qenë të lumtur atëhere.

Kryesisht, mbiemrat familjarë të tyre janë toponime tonat.

Mirëpo, prej banorëve të lagjes Dautbej, familjet tona dikur pajtonin me pagesë vajza ose gra që kujdeseshin te ne për punët e shtëpisë: larje, pastrime, gatime, përkujdesje për foshnjat, e në raste të veçanta edhe ushqyerje me gji për vogëlushët tanë, kur e ëma e kishte të pamundur.

Sidoqoftë, duhet përmendur se ndër ne ka ekzistuar me kohë një ndjenjë dhe qendrim diferencimi e përçmimi ndaj tyre, megjithëse prej tyre unë kam pasur mësuesen e gjuhës angleze në ish-shkollën 8-vjeçare. Ajo ishte një zonjë e vërtetë, si dhe bashkëshorti i saj ishte mjek, të cilët pavarësisht profesioneve, mbi të gjitha ishin njerëz të kultivuar.

Shprehjet denigruese “punë jevgjish – gjellë qensh”, “jevg m*ti”, apo “n’dorë nji gotë rakije e n’prehën ‘i çingije” etj, janë ofenduese dhe të papranueshme.

Zyrtarisht ata sot njihen “Komuniteti egjyptian” (megjithëse diku kam lexuar që shteti i Egjyptit nuk i njeh për pakicën e tyre etnike).

Ata e kanë humbur gjuhën e tyre origjinale dhe flasin vetëm shqip, të cilën e artikulojnë me intonacion të veçantë, duke i zgjatur pak zanoret në fund të fjalëve. 😊

Thuhet se dikur, moteve të shkuara, kur dënohej ndonjë person me vdekje (varje në litar) për veprime kriminale, shkâmin (stolin) nga këmbët e të dënuarit e hiqte një jevg, për të shmangur hakmarrjen e familjarëve të viktimës. Konsiderohej turp i madh nëse dikush hakmerrej ndaj një jevgu.

Bukurosh Dylgjeri

Bukurosh Dylgjeri

Elbasan, Prill 2023

RSS
Ndiq me Email
Share