MËSUESIT NORMALISTË NË KOSOVË E MAQEDONI
“Elbasanas gjith’ sa burra jemi
mamedhen’ me shpirt ta duem’.
Me nji goje te tâne po themi,
ne nuk jemi mâ ne gjume.
Gjuha jonë te mesohet,
n’t’kater an’t e Shqipnis’.
Kombi yn’ te ndritohet,
t’rroki udh’n e ditunis’.
Në çdo përvjetor të Normales së famshme të Elbasanit, në kujtesën tonë “parakalojnë” madhërishëm ata burra patriotë që e krijuan dhe e mbrojtën atë, ata profesorë dhe pedagogë që pasi morën dije në vende të huaja erdhën dhe e mëkuan këtë dije te fëmijët shqiptarë, si dhe ata nxënës e studentë të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare dhe këtu në Elbasan, u bënë mësuesit e parë të shqipes për shumë gjenerata shqiptarësh.
Të gjithë këta pra, janë të shenjtë për ne dhe ne ndjehemi krenarë që i kemi ata.
Ndonëse për Normalen është shkruar shumë dhe me të drejtë do të shkruhet vazhdimisht, ky shkrim do t’u kushtohet veçanërisht atyre mësuesve normalistë që punuan dhe u dhanë mësim fëmijëve shqiptarë të Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore në periudhën e Luftës -II- Botërore.
Siç dihet, në fillim të viteve 1940 Kosova jonë, që prej 30 vjetësh ishte e ndarë nga trungu natyral shqiptar dhe ndodhej në zgrip të shpërbërjes e asimilimit nga dhuna serbo-sllave. Në Kosovën dhe Maqedoninë e asaj kohe nuk kishte shkolla shqipe dhe nuk kishte administratë shqiptare. Regjimi monarkist sllav kishte hartuar me kohë programe politikë dhe ushtarakë (Naçertanja, Memorandumi) për zhdukjen e shqiptarëve dhe shpërnguljen e tyre me dhunë në drejtim të Shqipërisë dhe Turqisë. As që bëhej fjalë për arsimimin në gjuhën amtare të shqiptarëve në viset e Dardanisë antike.
Por, ishte pikërisht pushtimi fashist italian i Shqipërisë i cili për nevoja të propagandës së tij, bashkoi të gjitha trojet shqiptare të shkëputura në vitin 1913. Megjithëse përkohësisht, edhe e keqja (pushtimi) e pati një të mirë (bashkimin etnik). Patriotët shqiptarë e shfrytëzuan këtë situatë dhe me thirrjen e ministrit të arsimit të kohës Ernest Koliqi, vrapuan drejt Kosovës dhjetra arsimtarë dhe zyrtarë të ndryshëm të administratës civile dhe ushtarake nga Shqipëria.
Por, në këtë shkrim po përqëndrohem vetëm tek arsimtarët tanë. Numrin më të madh të këtyre arsimtarëve që shkuan në Kosovë e Maqedoni e përbënin normalistët tanë të nderuar. Kështu mund të përmendim mësuesit Tajar Hatipi, Mehmet Gjevori, Dhimitër Marku (nga Himara i cili ka qenë mësuesi i parë i Prof. Dr. Zekeria Canës), vëllezërit Hasan dhe Tajar Dylgjeri; në Maqedoni ishin Gavril Santo, Jonuz Balla, Ismail Bedhija, Myrteza Peza etj. etj. (U kërkoj ndjesë sinqerisht familjeve të atyre normalistëve që për arsye vendi, por edhe të mungesës së informacionit nuk u përmenden emrat. Unë besoj se shpreh mirënjohjen time të thellë, si dhe të bashkëqytetarëve elbasanas për të gjithë Ata). Sepse Ata nuk ishin thjeshtë mësues që merrnin rrogën dhe kaq, por ata ishin njëkohësisht apostuj edhe mesazherë të shqiptarizmës, përhapjes së dijes dhe të frymës së lirisë nga pushtuesi sllav, të bindur se vetëm njerëzit e ditur mund të jenë të lirë dhe luftojnë për të qenë të lirë.
Shumë prej këtyre mësuesve kanë dhënë kontribute edhe në fusha të tjera si në letërsi, didaktikë, histori, muzikë, teatër etj. Pikërisht në ato kohëra, vogëlushët shqiptarë të Kosovës e Maqedonisë para se hynin në klasë për të filluar mësimin, të drejtuar nga mësuesit normalistë do të këndonin hymnin universal shqiptar ku në njërën strofë të së cilës thuhet:
“… Do të valojë përsëri
Flamuri Kuq e Zi
Në Kosovë e Çamëri …”
Me përfundimin e Luftës -II- Botërore u mbyll edhe ajo periudhë e shkurtër, por e artë e bashkimit të të gjitha trojeve shqiptare dhe mësuesit normalistë, me përjashtime të pakta, u kthyen pothuajse të gjithë në Shqipëri. Në këtë kohë në vendin tonë ishte instaluar diktatura komuniste, e cila posi një zgjyrë e zezë rrodhi që nga moçalishtet e Rusisë dhe u përhap te ne si një mallkim ndaj shpirtit të pastër njerëzor dhe si mallkim ndaj vetë Tokës; mohuese e Zotit dhe shkatërruese e moralit, normave dhe kodeve më të mira që shqiptarët kishin krijuar përgjatë shekujve.
Nën këtë realitet të ri, mësuesit normalistë krahas zhvillimit të lëndëve mësimore, nuk do t’u mësonin më vocrrakëve këngë patriotike, por … këngët çjerrëse të internacionalistëve brekëgrisur të mbarë globit.
Në shkolla dhe jashtë tyre, për këta mësues nuk flitej gjëkundi, nuk shkruhej asgjë, bisedat për ta bëheshin në rrethe tepër të mbyllura.
Familjet e mësuesve normalistë që punuan në Kosovë e Maqedoni duhet të ndjehen fatlumë që rritën këta bij të mrekullueshëm dhe, ne të gjithë do të jemi mirënjohës para veprës së tyre.
[Foto e godinës së parë të Normales së Elbasanit. 1909 (marrë me qira shtëpia e Hysni bej Zylfit, e cila ndodhej në Fushën e Kazazit (sot në veri-perëndim të parkut “Rinia”. Për shumë vite kjo ndërtesë u përdor për zyra të një ish-ndërmarrje shtetërore. Fatkeqsisht, kjo godinë historike e mbarë kombit tonë, ka 2-3 vjet që u shemb për t’u shndërruar në pallat. Kështu, humbi edhe një objekt i historisë sonë. Ndihem fajtor që nuk munda ta fotografoj, sepse kaloja shpesh andej].
(postuar me shkurtime, fillimisht është botuar në muajin gusht 2009 në prag të 100-vjetorit të Shkollës Normale)
Bukurosh Dylgjeri
Elbasan, Dhjetor 2022