/

110 VJET NGA SHPALLJA E PAVARËSISË SË ELBASANIT25 NËNTOR 1912 – 25 NËNTOR 2022

Për herë të parë në historinë moderne shqiptare, Elbasani ishte qyteti i parë që ngriti Flamurin e Pavarësisë që më datë 25. 11. 1912.

616 pamje
4 minuta lexim
flamuri_elbasanit

25 NËNTOR 1912 – 25 NËNTOR 2022

Për shkak të humbjeve të njëpasnjëshme ushtarake në të gjithë Rumelinë, ushtria dhe administrata osmane e pushtimit po largohej me shpejtësi nga Shqipëria. Që në fillim të vitit 1912, ushtria serbe e komanduar nga Bozhidar Janko, e cila ishte në ndjekje të ushtrisë osmane, kishte qëllim kryesor gllabërimin e tokave shqiptare, duke i konsideruar ato si territore osmane.

Kjo ushtri gjakatare më shumë masakroi shqiptarët e pambrojtur në Kosovë dhe në Veri të vendit, sesa shënoi ndonjë betejë me osmanët. Pra, zbrazëtirën e krijuar nga largimi i osmanëve, synonte ta mbushte Serbia aneksioniste.

Përballë këtij rreziku të ri, patriotët elbasanas vendosën urgjentisht të shpallnin Pavarësinë e Elbasanit.

Për herë të parë në historinë moderne shqiptare, Elbasani ishte qyteti i parë që ngriti Flamurin e Pavarësisë që më datë 25. 11. 1912. Pas shpalljes së Pavarësisë së Elbasanit, Aqif Pashë Elbasani arriti të miratojë një pakt mossulmimi me komandën e ushtrisë serbe, e cila ndodhej në rrethinat e Elbasanit, dhe pikërisht në vendin e quajtur Rrapi i Vojvodës (pranë parkut “Rinia”). Akt tepër i guximshëm dhe i lavdërueshëm i tij, pasi mund të kishte një përballje ushtarake midis popullsisë së paarmatosur të Elbasanit me ushtrinë moderne serbe. Thuhet se Aqif Pasha i siguroi ushtarakët serbë që në qytet nuk ka ushtri dhe administratë osmane, jemi të pavarur, si dhe jemi popull krejt i veçantë nga popujt e Perandorisë Osmane.

Firmëtarët e Pavarësisë së Elbasanit janë:

  • Aqif Pashë Elbasani (Biçaku),
  • Shefqet bej Vërlaci,
  • Abdullah bej Tirana,
  • Venemin Deliana,
  • Ali bej Agjahu,
  • Refik Myftiu,
  • qehajai i Esnafit shejh Mahmud Guma,
  • shejh Hysen Sulova,
  • Ruzhdi Alushi,
  • Alush Saraçi,
  • Venemin Nosi,
  • Kolë Papajani,
  • Emin Haxhiadem Shijaku,
  • Ymer Peni,
  • Hysen Dakli,
  • Hysen Hostopalli,
  • Serafin Jorgaqi,
  • Dhimitër Paparisto,
  • Hasan bej Biçakçiu,
  • Fuat bej Kahremani,
  • Servet bej Zylfi,
  • Demir bej Sulçebeu,
  • shejh Xhaferr Pasmaqi,
  • Taqi Buda,
  • Haxhi Nikolla Jorgaqi,
  • Rrapush Demeti,
  • Mahmud Hakani,
  • Isuf bej Taushani,
  • Hasan Çiftja,
  • Demir Zenelhoxha,
  • hafëz Sulejman Kungulli dhe
  • Zv/mitropoliti Dhimitër Dhimitruka.

Ndërsa në Vlorë do të jenë delegatë elbasanas në firmosjen e aktit të Pavarësisë së gjithë Shqipërisë:

Qemal bej Karaosmani, Lef Nosi dhe Shefqet bej Daiu. Përfaqësues i Elbasanit ishte edhe Mid’hat bej Frashëri.

(Dokumenta Historike, Prill 1924, Nr. 4, Shtypshkronja “Elbasani”, boton Lef Nosi, fq. 103).

Bukurosh Dylgjeri

Bukurosh Dylgjeri

Elbasan, Nëntor 2022

RSS
Ndiq me Email
Share